Albspirit

Media/News/Publishing

Deklarata për katolikët, Basha: Fushatë denigruese ndaj meje

Në një deklaratë për mediat mbrëmjen e së mërkurës, kryetari i PD, Lulzim Basha ka denoncuar atë që e ka quajtur një “fushatë shpifjesh e dezinformimesh” që është bërë në adresë të tij.

Duke marrë shkas nga një intervistë për një gazetë perëndimore, ku konstaton “fenomenin e rëndë” të personave me rekorde kriminale në pushtet, Basha ka theksuar se kjo fushatë dezinformimi ka stigmatizuar komunitetin katolik.

“Prej disa ditësh, një fushatë shpifjesh, dezinformimesh me frymë përçarëse kombëtare ka nisur nga një mendje e prishur, që me veglat e veta të verbëra ka muaj dhe vite që dezinformon shqiptarët”, ka thënë Basha.

Basha ka refuzuar me përbuzje shpifjet e ulëta e barbare, “që adresojnë në gojën time përkatësinë fetare për kriminelët”.

“Dua ta them qartë, se qëndrimi im nuk ka qenë asgjë më shumë e asgjë më pak se një konstatim i imi se në një nga zonat e Shqipërisë, për shkak të lidhjeve të veçanta me Perëndimin, u zgjodh të kandidojnë persona me rekorde kriminale, ndonëse në komunitetin katolik nuk mungojnë profesorë, mjekë, artistë”, ka thënë Basha.

Kjo, sipas tij, mbart një frymë përçarëse për një vend që nuk krenohet me politikën, por me harmoninë fetare të shqiptarëve.

“Iu them besimtarëve katolikë se vlerësimi im dhe i PD për komunitetin tuaj është i palëkundur. Ndaj, duke hedhur poshtë me përbuzje këtë fushatë shpifjesh e denigrimesh e duke dënuar autorin, që është i njëjti që dje u mundua të ngjallte terror me protestën e opozitës, mbetem i angazhuar për garantimin e të drejtave të të gjithëve”, ka thënë Basha.

Please follow and like us: