Tillerson: Qartazi Rusia është përzier në zgjedhjet amerikane

Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson, thotë se është e qartë se Rusia është përzier në zgjedhjet presidenciale të vitit të kaluar në Shtetet e Bashkuara dhe se të dy shtetet nuk do të jenë në gjendje t’i ripërtrijnë raportet pa probleme.

Këto komente të mbrëmshme të zotit Tillerson për rrjetin NBC, janë bërë disa ditë pas vizitës së ministrit të Jashtëm të Rusisë, Sergei Lavrov, në Uashington, dhe takimit të tij me presidentin e Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.

Deklarata e fundit e Sekretarit Tillerson është jehonë e qëndrimeve të tij të mëparshme për raportet ndërmjet dy shteteve, duke theksuar se ato kanë rënë në pikën “më të ulët prej përfundimit të Luftës së Ftohtë dhe me nivel shumë të ulët të besimit”.

Sipas tij, kjo gjendje e raporteve “nuk është e shëndoshë për botën”.

Raportet ndërmjet Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara mbesin të tensionuara për shkak të aneksimit të Krimesë së Ukrainës në vitin 2014, për mbështjetje të separatistëve në pjesën lindore të Ukrainës, për luftën civile në Siri, dhe për çështje të tjera.

Administrata Trump nuk ka bërë ndonjë lëvizje lidhur me sanksionet amerikane kundër Rusisë për shkak të Ukrainës, megjithqë Trump, gjatë fushatës zgjedhore vitin e kaluar, kishte indikuar se do ta shqyrtonte tërhqejen e masave ndëshkuese kundër Moskës.

Mendoj se është me rëndësi të kuptohet se ne nuk do të përpiqemi të startojmë” me një situatë të këtillë, tha Tillerson.

Inteligjenca amerikane, po ashtu, e ka akuzuar presidencën e Rusisë për udhëheqjen dhe ndikimin e fushatës, që kishte për qëllim ta ndihmonte zgjedhjen e Trumpit në garën kundër kandidates demokrate, Hillary Clinton, në zgjedhjet e mbajtura në nëntorin e vitit të kaluar.

Kremlini i ka hedhur poshtë akuzat se ka ndërhyrë në zgjedhjet amerikane.

Zoti Trump kishte thënë se dëshiron përmirësimin e lidhjeve me Rusinë.

Pasi ishte shprehur skeptik për akuzat ndaj Moskës, Donald Trump, megjithatë, ka theksuar se beson se Rusia kishte dorë në fushatën e sulmeve kibernetike kundër demokratëve amerikanë, por se kjo fushatë nuk ka pasur ndikim në rezultatin e votimeve.

Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson, i tha rrjetit NBC, se ndërhyrja ruse në zgjedhje ishte “e dokumentuar mirë”.

Nuk mendoj se ekziston ndonjë pikëpyetje se rusët janë përzier rreth proceseve tona zgjedhore”, tha Tillerson dhe ka shtuar se është “e paqartë” nëse ky lloj i përzierjes ka pasur ndonjë ndikim në zgjedhje.

Administrata e presidentit Trump është dominuar nga akuzat për ndërhyrjet ruse dhe për hetimet e agjencisë amerikane, FBI, dhe të komiteteve të Kongresit të Shteteve të Bashkuara për kontaktet ndërmjet ndihmësve të zotit Trump dhe zyrtarëve të Rusisë.

Trump i ka akuzuar mediat dhe kundërshtarët e tij politikë, se po synojnë shkatërrimin e presidencës së tij, duke vlerësuar se tregimi rus është “i rrejshëm”. (REL)