Trump si Nikson? Kërkohet shkarkimi i Presidentit

Ka qarkulluar shpesh nëpër media, por Kongresmeni i Teksasit, Al Green bëhet i pari ligjvënës amerikan që kërkon zyrtarisht shkarkimin e Presidentit Donald Trump.

Green bëri publike kërkesën e tij gjatë fjalës së mbajtur në Kongres të mërkurën.

“Sot bëj thirrje në emër të përgjegjësisë dhe detyrës që më kanë ngarkuar njerëzit që më kanë zgjedhur, në emër të detyrës për këtë vend dhe të zbatimit të Kushtetutës! Ju bëj thirrje sot për shkarkimin e Presidentit të Shteteve të Bashkuar”, tha Green.

Green ngre ndaj Donald Trump të njëjtën akuzë të ngritur ndaj Richard Nixon për skandalin “Watergate” e që e detyroi atë të dorëhiqet; pengim të drejtësisë dhe të së vërtetës.