Ku gabon Qosja me Kadarenë

 

 

Prof. Fatos Tarifa

Më erdhi mirë që, në një intervistë të gjatë për gazetën DITA këtë javë, i pyetur se ç’mendon ai për debatin e kohëve të fundit mbi Marksin, Prof. Rexhep Qosja u shpreh pozitivisht për kritikën time ndaj Ismail Kadaresë mbi këtë çështje. Rexhep Qosja është një figurë e respektuar në hapësirën kulturore shqiptare dhe unë e vlerësoj atë si intelektualin publik më të spikatur në Kosovë. Sidoqoftë, ndërsa thotë se i çmon “shpjegimet dhe vlerësimet” e mia për “rëndësinë mendore dhe humane të veprës së Marksit”, Prof. Qosja, fare pa vend, thotë se “gjykimeve historike-letrare” që unë kam shprehur për veprën letrare të Kadaresë u mungon “karakteri shkencor”. Them “fare pa vend”, sepse qëllimi im në atë polemikë me Kadarenë nuk ishte të vlerësoja “shkencërisht” veprën letrare të shkrimtarit tonë më të madh; madje, kjo jo vetëm është një gjë e panevojshme, por edhe një detyrë e pamundur për këdo, përfshirë edhe Rexhep Qosen.

Prof. Fatos Tarifa

Për të gjithë ata që e njohin historinë e marrëdhënies së vështirë të Qoses me Kadarenë, është e kuptueshme se kjo kritikë e Qoses nuk më adresohet mua, por “veprës letrare” të Kadaresë. Të thuash se gjykimi “historiko-letrar” i dikujt për krijimtarinë e Ismail Kadaresë nuk ka “karakter shkencor”, pra se vlerësimi për të nuk mbështetet në “shkencë”, është një absurditet. Kjo do të thotë, as më shumë as më pak, se vepra letrare e Kadaresë nuk meriton atë vlerësim që unë, ashtu si qindra mijëra lexues të tjerë, shqiptarë dhe të huaj, kemi për të. Në intervistën e tij të fundit, Kadarenë, si shkrimtar, Qosja e rendit, jo rastësisht (dhe unë besoj as mbi bazën e ndonjë vlerësimi “shkencor”), pas Petro Markos, Jakov Xoxes dhe Dritëro Agollit. Madje, në renditjen e Qoses, Kadareja nuk dallon shumë nga shkrimtarë të tjerë, si Sterjo Spasse, Sabri Godo, Qamil Buxheli, Vath Koreshi, Skënder Drini, Dhimitër Xhuvani, Fatos Kongoli, Ndoc Gjetja, Anton Papleka, Zija Çela… Qosja e lë të hapur listën e shkrimtarëve shqiptarë, vlerat e të cilëve mund të krahasohen me ato të Kadaresë, ashtu sikurse vlerat e mëdha të shkencëtarëve tanë më të shquar, Eqrem Çabej, Aleks Buda, Arben Puto etj., pothuajse i krahason me ato të “pasardhësve të tyre”, një listë e gjatë individësh (gati-gati çdo historian dhe gjuhëtar që Prof. Qosja njeh në Tiranë), një pjesë e madhe e të cilëve nuk janë shquar kurrë për ndonjë kontribut origjinal në shkencën shqiptare.

Për vite me radhë, Rexhep Qosja nuk ka mundur të ngrihet dot mbi animositetin e tij ndaj shkrimtarit tonë më të shquar, Ismail Kadaresë, të cilin, edhe në këtë intervistë të fundit, gjen rast ta denigrojë. Ndërsa unë nuk i heq asnjë presje kritikës sime ndaj komenteve të Kadaresë për Marksin dhe e quaj të gabuar e krejt të painformuar gjykimin e tij për këtë gjeni të njerëzimit, e shoh pa vend, madje tinëzare, përpjekjen e Qoses për ta minimizuar vlerën e krijimtarisë letrare të tij.

Qosja gabon nëse pret, nga unë ose nga kushdo tjetër, që vlerësimi “historiko-letrar” për krijimtarinë e Kadaresë të jetë shkencor. Letërsia, ashtu si çdo zhanër apo formë krijimtarie artistike, as nuk janë krijimtari shkencore, as nuk vlerësohen dot shkencërisht, pra mbështetur në teori dhe në metoda shkencore. Shkrimtarët dhe artistët e mëdhenj i pëlqejmë dhe i çmojmë jo për vërtetësinë “shkencore” të veprave të tyre, por për vlerat artistike, estetike e morale që ato përmbajnë, për mesazhet që ato përçojnë dhe për stilin me të cilin ato janë realizuar. Artet dhe disiplinat humanistike nuk janë shkencë. Shekspiri, Servantesi, Balzaku, Tolstoi, Dostojevski, Hemingueji nuk kanë qenë shkencëtarë, si Njutoni, Lajbnici, Darvini, Pastëri, Tesla apo Ajnshtajni. Shkrimtarët dhe artistët nuk gjykohen e nuk vlerësohen për diturinë e re që ata sjellin në procesin e vështirë të njohjes së botës, por për mjeshtërinë artistike me të cilën ata pasqyrojnë dhe shprehin (me mjete artistike, jo përmes metodave shkencore) realitetin shoqëror të kohës së tyre dhe gjendjen tonë humane në përgjithësi. Këtë pikërisht bëjnë romani, poezia, drama, opera, piktura, simfonia. Ato nuk studiojnë dukuritë dhe ligjet e botës natyrore dhe as institucionet politike të shoqërisë apo marrëdhëniet mes grupeve shoqërore. Të parat janë objekt studimi i shkencave të natyrës; të dytat studiohen prej shkencave shoqërore.

Këtu dëshiroj të vë në dukje (edhe një herë, si shumë herë të tjera në të kaluarën), dallimin tim të madh nga Rexhep Qosja mbi vlerësim e veprës letrare të Kadaresë. Për Qosen, Kadareja mund të vihet, ndoshta, në një radhë me Skënder Drinin apo Ndoc Gjetjen, ashtu siç ai vë thuajse në të njëjtën radhë të mëdhenjtë Eqrem Çabej e Aleks Buda me akademikë anonimë, si Marenglen Verli apo Vasil Tole. Për mua, Ismail Kadare ka qenë dhe mbetet një shkrimtar i përmasave botërore. Ndryshe nga shumica e shkrimtarëve tanë, të cilët, duke u marrë me subjekte të vogla, u janë shmangur, ose s’kanë mundur të trajtojnë tema të mëdha, pjesa më e mirë e veprave të Kadaresë trajton tema të mëdha, me çka unë kuptoj tema që kanë të bëjnë me historinë e kombit tonë dhe shpirtin e tij: Kush jemi ne shqiptarët? Cili është identiteti ynë kombëtar? Po ai europian? Ç’duam të jemi? Cili është fati ynë? Cilët jemi ne në raport me fqinjët tanë? Cili do të jetë vendi ynë në universin moral kur t’i njohim e t’i kuptojmë vlerat tona? Këto të gjitha janë tema të mëdha.

Po kështu, fakti që Kadareja gjithnjë ruajti një distancë të caktuar prej nga vëzhgonte jetën e shoqërisë, pa u bërë, si shumë shkrimtarë dhe artistë të tjerë, politikisht engagé, pjesë e strukturave politike të partisë e të shtetit totalitarist, ka bërë që ky shkrimtar të ketë pasur autoritetin moral që të ndikonte mbi brezin e ri dhe lexuesin shqiptar më shumë se çdo shkrimtar tjetër. Brezi im është dëshmitari më i mirë për këtë.

Shumë studiues seriozë të veprës së Kadaresë në Shqipëri kanë vënë në dukje me kohë dimensionet e vërteta, karakterin emancipues dhe vlerat e shumta estetike që përmban vepra letrare e tij. Vlerësimin e veprës së Kadaresë e kanë bërë, gjithashtu, qindra kritikë letrarë dhe studiues të huaj. Sipas vlerësimeve të shumë prej tyre, Kadare është një prej talenteve letrare më të fuqishëm në kohën tonë.

Edhe pse të gjitha veprat e Kadaresë, të periudhës para viteve 1990, janë botuar nga një shtëpi botuese shtetërore, ato ishin, në një kuptim real të fjalës, samizdati i Shqipërisë komuniste dhe vetë Kadare ishte, në fakt, një forcë për të vërtetën, pa rivalë të tjerë në skenën letrare e kulturore shqiptare. Kadare është shkrimtari më inovativ shqiptar dhe mund të them se, pa letërsinë e Kadaresë, fati i letërsisë shqipe dhe i një pjese të kulturës artistike shqiptare do të kishin qenë krejt tjetër. Ai jo vetëm e ndryshoi letërsinë moderne shqiptare, por edhe ndihmoi në krijimin e saj. Ashtu si Hemingueji, Kadare ndryshoi mënyrën se si ne, sot, shkruajmë dhe lexojmë letërsi, duke vendosur një standard të tillë në letrat shqipe – veçanërisht me stilin e tij mjeshtëror e të fuqishëm dhe me artin e narracionit – të cilin vështirë se do ta arrijë ndonjë autor tjetër për një kohë të gjatë.

Edhe më parë kam theksuar se horizonti kulturor dhe ndërgjegjja ime qytetare do të kishin qenë sot më të kufizuara nëse, si gjimnazist, ose si student, nuk do të kisha lexuar letërsinë më të mirë të Kadaresë. Sepse, pavarësisht kohës ose vendit ku jetojmë, letërsia e mirë ka aftësinë të gjenerojë ide, të frymëzojë pikëpamje e qëndrime dhe të ndryshojë mënyrën se si ne i shohim veten, të tjerët dhe shoqërinë në të cilën jetojmë. Këtë aftësi, në letërsinë shqipe, nuk e shohim askund më mirë e më qartë sesa në veprat e Kadaresë, duke nisur nga epikat imagjinare, te kredoja filozofike e tij.

Shumë nga ne, përmes letërsisë, provojmë eksperienca humane emocionalisht nga më të fuqishmet, madje disa prej eksperiencave tona më humanizuese. Humanizuese në një kuptim thuajse fetar – në të kuptuarit prej nesh të nevojës për të falur, të kufijve deri ku mund të shkojë hakmarrja, të pasojave që vijnë nga etja për pushtet, të degradimit moral që shkakton abuzimi me pushtetin dhe me të tjerët. Doni, fjala vjen, të kuptoni kufijtë e egoizmit? Lexoni Mulliri në Flos të Xhorxh Eliotit. Kufijtë e pasurisë? Lexoni Getsbi i madh të F. Skot Fitzxheraldit. Zgjedhjet në sjelljen morale të njerëzve? Lexoni Krim dhe ndëshkim dhe Vëllezërit Karamazov të Dostojevskit. Tragjedinë dhe, bashkë me të, iluzionin e ambicies njerëzore? Lexoni Makbethin.

Bindjet, shijet estetike dhe ndërgjegjja jonë mund të ndikohen e të ndryshojnë në shumë mënyra nga letërsia që lexojmë. Unë nuk do të mund t’i përfytyroja dot mendjen time dhe shijet e mia letrare sot pa Homerin dhe Aristofanin, pa Shekspirin dhe Erazmin, pa Tolstoin dhe Dostojevskin, pa Balzakun dhe Hygoin, pa Çehovin dhe Cvajgun, pa Heminguejin dhe Kadarenë dhe pa ata shkrimtarë që kam lexuar e admiruar ndër vite, sidomos në vitet e rinisë. Krijimtaria e tyre, në një mënyrë që ndoshta e kemi të pamundur ta kuptojmë e ta shpjegojmë, përbën – ose ka ndryshuar – një pjesë të trurit tim, ka formësuar ndërgjegjen time artistike e morale, duke më dhënë njohuri mbi periudha historike, popuj e kultura, të cilat nuk do të kisha mundur t’i njihja dot ndryshe. Dhe unë besoj se kjo është e vërtetë për shumë të tjerë.

Natyrisht, Ismail Kadareja nuk është e s’mund të pritej të ishte një Martin Luter King, Jr., një Mahatma Gandi apo një Desmond Tutu, pra një njeri i madh. Ai, sigurisht, gaboi kur e quajti Marksin një mendimtar mediokër dhe mund të ketë gabuar edhe më parë, siç gabojmë të gjithë ne, si individë njerëzorë. Por kjo, në asnjë mënyrë, nuk i justifikon sulmet kundër tij si shkrimtar. Talenti artistik dhe vlerat letrare e artistike të një shkrimtari nuk maten me karakterin ose me natyrën e autorit të tyre, si individ, ashtu siç nuk maten as me ndonjë metodë shkencore, siç sugjeron Prof. Qosja.