Vasili: LSI forcë e parë, kemi sakrifikuar për Shqipërinë

Kreu i LSI-së Petrit Vasili, gjatë një takimi me të rinjtë e kryeqytetit deklaroi se kriza e prodhuar muajt e fundit nga PD ishte artificiale dhe në fund u pa që ishte një fishekzjarrë që dogji shumë të ardhura të ekonomisë së vendit. Gjithashtu ai shtoi se me 25 qershor LSI do të jetë forcë e parë, pasi ata kanë sakrifikuar për të mirën e Shqipërisë.

“E kemi ngritur politikën mbi një themel moral, sinqeritet, fjala e mbajtur, modestia. Themeli ynë politik ka qenë dhe mbetet programe të vërteta.

Ne kemi bazuar themelin tonë edhe ne politikë, me parjen sy më sy, me uljen gju më gju. Synimi ynë për të qeverisur vendin vjen nga një bazë shumë e shëndetshme, politika të cilat shpikin furtuna në gotë, kriza artificiale për t’i shtuar vetes rëndësinë, por duke u treguar edhe më artificialë seç janë, për të prodhuar kriza që pastaj pa u kuptuar marrin disa përgjigje që askush s’i kupton por që s’kanë përgjigje për qytetarët, kjo nuk është politika jonë, as qasja jonë”, theksoi Vasili.