Rama: Marrëveshja me Bashën nuk është pazar

Kryeministri Edi Rama i është rikthyer marrëveshjes me kreun e opozitës Bashaj gjatë një takimi me disa të rinj korçarë. Ai del kundër citimeve në media si pazar i asaj që ka rënë dakord me Bashën.

“Diskutohej për këtë marrëveshje nëpër këto klubet e katundit të medias, ku unë realisht nuk futem. Unë s’lexoj gazeta. Vetëm marr informacionet bazë nga zyra. Diskutohej dhe të gjithë thoshin “pazari”. Pazari, se morën kaq ministra e aq drejtorë, do bëjnë tendera, do bëjnë kështu e ashtu. Të gjithë merreshin keku, byreku, revania, sultjashi, fasulet, sepse, për fat të keq, ata ashtu e konceptojnë, se ashtu e duan dhe ashtu e bëjnë. Ndërkohë që pika më e rëndësishme e asaj marrëveshje nuk është as sa ministra, as sa drejtorë, – për më tepër nuk janë fare ministra e drejtorë që do bëjnë tendera, se këto të gjitha janë procese që ne i kemi bllokuar pa u bërë kjo, – por është kjo përpjekje për të bërë zgjedhje ku opozita të ndihet e parënduar nga presioni i administratës, i pushtetit etj” – tha Rama.