Bashkëthemeluesi i Twitter kërkon falje që ndihmoi në bërjen e Trumpit president

Bashkëthemeluesi i rrjetit social “Twitter”, Evan Williams, ka kërkuar falje publike për rolin që ka mundur të luajë platforma e këtij rrjeti social në zgjedhjen e Donald Trumpit president të SHBA.

Në një intervistë për New York Times, Williams u pyet për komentet që Trump i kishte bërë në muajin mars, kur kishte thënë: “Mbase nuk do të isha këtu ku jam sot sikur mos të ishte Twitter”, transmeton Express.

Williams u përgjigj: “Roli i Twitter në këtë është një gjë shumë e keqe. Është e vërtetë se ai nuk do të zgjidhej president sikur mos të ishte Twitter, prandaj më vjen keq!”

Trump i ka plot 30 milionë ndjekës në llogarinë e vet personale në Twitter edhe njihej si përdorues i madh i Twitterit para se ta shpallte kandidaturën për president të shtetit më të fortë në botë.

Trump kishte thënë për Fox News: “Mendoj se, mbase, nuk do të isha këtu ku jam sot, nëse nuk do të ekzistonte Twitter, sepse shtypi është i rremë ndaj meje, i pandershëm po ashtu. Mendoj, nëse e shikoni – nuk po e përfshij Fox News këtu, sepse Fox ka qenë i drejtë ndaj meje – por nëse e shikoni CNN-in dhe këto mediat tjera”.