Albspirit

Media/News/Publishing

Ç’mund të bëjë feja për krizën politike në Shqipëri?

Gjergj Meta

Mund të thuhet pa mëdyshje se situata e krijuar në Shqipëri, jo vetëm tani, por edhe në të kaluarën, në këtë të kaluar tranzicionale, nëse duam t’i japim këtë emër kohës që përfshin periudhën nga rënia e regjimit komunist e deri më sot, ka shkaktuar një llojdemotivimi kolektiv brenda shpirtrave të njerëzve.

Ky demotivim është skajshmërisht i dukshëm në jetën e përditshme të familjeve dhe të individëve. Më kot mundohen demagogë te politikës që, duke përdorur aty këtu edhe ndonjë shprehi religjioze apo “shpirtërore”, të motivojnë njerëzit. Të vetmit që “motivohen” në fakt janë një pjesë e vogël e militantëve përkatës të partive politike, por jo pjesa më e madhe e shoqërisë shqiptare.

Pak ditë më parë religjionet në Shqipëri, me një frymë ndërtuese dhe vllazërore, i drejtuan një apel politikës, duke vënë gishtin në disa plagë të shoqërisë tonë e duke bërë përgjegjëse për këtë klasën poltike e duke i kërkuar asaj përgjegjshmëri për të mirën e përbashkët. Deklarata të këtilla vlerën më të madhe e kanë në njëzëshmërinë e tyre dhe në modelin që krijojnë për një bashkëpunim ndërmjet të ndryshmëve për të mirën e qytetarëve.

Në këtë situatë më duket se religjionit i mbetet një detyrë e madhe. Jo ajo e gjetjes së zgjidhjeve për daljen nga kriza apo krizat që krijohen herë pas here, pasi ajo u përket partive politike dhe këtë religjionet e kanë theksuar qysh në fillim të deklaratës së tyre, por në motivimin e ndërgjegjeve, në hapjen ndaj shpresës dhe në orientimin ekzistencial të shumë njerëzve.

Këtë politika, së paku ajo shqiptare, nuk mund ta bëjë edhe pse shpesh, nëpërmjet sloganeve ajo përpiqet të marrë një rol motivues dhe entuziazmues, por që është vetëm fasadë. Në fakt politika, por jo vetëm ajo, edhe arti, kultura dhe mass media, fatkeqësisht në Shqipëri janë zbehur në këtë funksion të tyrin motivues.

Aktualisht politika në Shqipëri po luan çdo ditë e më shumë një rol demotivues, kur duhet të ndodhte e kundërta. De facto ajo, nëpërmjet një lufte nervash, nëpërmjet një gjuhe apokaliptike (opozita) nga njëra anë dhe një gjuhe parriziake (qeveria) nga ana tjetër, ka futur në mes, si në dana, një popull të tërë që është thjesht i hutuar dhe i paorientuar.  Është e vërtetë që në këtë lojë nuk duhet të fusim të huajt, të cilët kanë një këndvështrim tjetër dhe rrallëherë arrijnë t’i kuptojnë bizantinizmat tonë dhe në fund të fundit mosinqeritetin tonë. Mosinqeriteti është trajtë dalluese e epokës tranzicionale shqiptare dhe shoqërive që kanë kaluar trauma të forta e të thella.

Thelbi hipokrit i joni si shoqëri, që i ka rrënjët e largëta, qoftë në sundimin qindravjeçar otoman e qoftë në 50 vitet komunizëm,  në kohën moderne vishet bukur, flet bukur dhe ka ndërtuar përreth vetes një kore të padepërtueshme. Vetëm ne që jemi brenda e kuptojmë këtë gjë, por jemi të pafuqishëm të veprojmë dhe ta ndryshojmë gjëndjen për shumë arsye. Në epokën e imazhit kjo kore është bërë akoma dhe më e fortë dhe ushqehet vazhdimisht me iluzione dhe gënjeshtra.

Politika në shumë raste vishet edhe me trajta religjioze dhe merr trajtat e religjionit. Këtë komunizmi e bëri shumë mirë duke zëvendësuar për shembull “rrëfimin” me “autokritikën” para kolektivit, duke folur për nënën Parti, duke imituar një lloj “noviciati” për të hyrë në parti, po ashtu një komitet qëndror që i ngjante kolegjit të apostujve me njëshin në krye, sekretari i partisë që kishte rolin e një famullitari e kështu me rradhë.

Por edhe sot nuk hiqet dorë nga veshja e politikës me ngjyrime religjoze duke përdorur edhe terma si “ëndërr”, “rilindje”, po ashtu vetë “çadra” është një koncept me nënshtresa të forta biblike,premtimet e një parajse që shqiptarët ende nuk e kanë parë në këto 25 vite, duke qenë se largohen vazhdimisht nga Shqipëria, e kështu me rradhë. Kjo kore vazhdon e trashet dhe bëhet gjithnjë e më kancerogjene duke qenë se gënjeshtrat nuk përgenjështrohen, por trashen gjithnjë e më shumë.

Në këtë pikë religjioni, si një shërbim ndaj esenciales, e cila është shpirtërorja, dimensioni më i thellë e njëkohësisht më i lartë i njeriut, mund të shërbejë së paku në zbutjen e kësaj koreje në dy mënyra. Një mënyrë është ajo e ngritjes së zërit së bashku, sikurse u bë në deklaratën e para disa ditëve apo edhe herë të tjera në të kaluarën, e së dyti duke qenë një oaz në të cilin personat që kanë humbur motivimin, pra shpresën, të gjejnë një gurrë ripërtëritjeje për ekzistencat e tyre.

Sigurisht edhe religjioni nuk është imun nga korja e hipokrizisë, duke qenë se shpesh është i përfaqësuar nga një strukturë dhe zotëron një lloj pushteti dhe këto struktura e ky pushtet ka edhe trajta njerëzore.

Por këtu po flas për religjionin si shërbim ndaj përmasave më të thella të njeriut d.m.th. asaj çka quhet shpirtërore. Kundërshtarët e religjionit, apo ata që me të drejtë i numërojnë religjionit mëkatet e tij, nuk do të jenë dakort me këtë vizion, por përvoja tregon se aspekti religjioz mbetet ndalesa e fundit dhe e fundme për shumë njerëz që më pas, nëse nuk gjejnë një dritë, i dorëzohen fatalitetit apo i nënshtrohen pothuajse të pashpresë “fatit” të tyre pa marrë mundimin ta ndryshojnë atë.

Roli i religjionit, në mënyrë të veçantë në Shqipëri, edhe si aspekt i një harmonie e dialogu që vazhdon të mbahet ende në këmbë, duhet të vlerësohet më shumë nga ata që janë në krye të tyre. Nuk mund të tërhiqemi brenda kornizave tona si spektatorë të pafuqishëm apo si mbrojtës të status quo-së.

Formimi dhe motivimi i ndërgjegjeve, orientimi i ekzistencave, ushqimi i shpresës, jo si një iluzion, por si një mundësi reale, që i vjen njeriut nga forcat e tij të brendshme, që Zoti ka vendosur brenda secilit nga ne, do t’i bënte religjionin dhe religjionet në Shqipëri si një alternativë e besueshme e daljes nga kriza.

Please follow and like us: