Përgjigje për fustanellën e Mirelës

 

Auron Tare

Një koment  mbi shpërdorimin e imazhit dhe rëndësisë historike të fustanellës tonë paraqitur në foto nga një zotëri në krah të ministres sonë të Kulturës është kthyer në një lajm në mediat tona online. Më vjen mirë që në zallamahinë e lajmeve mbi mbylljen e çadrës dhe marrëveshjes politike media i kushton vëmendje edhe çështjeve të trashëgimisë. Që zotëria në foto e përdhos  imazhin e mrekullueshëm të fustanellës, një prej  simboleve tona kombëtare, kjo nuk ka asnjë diskutim nga kushdo që e njeh sado pak këtë veshje kombëtare. Fustanella jonë, një prej veshjeve që ka frymëzuar një sërë artistësh dhe figurash të rëndësishme evropiane, është sulmuar shpesh jo si një veshje pa vlerë, por pikërisht për vlerat e mëdha historike dhe estetike që mbart ajo. Fqinjët tanë me mund dhe me mjaft përpjekje kanë arritur të përdorin fustanellën edhe pse në një version femëror në Gardën e tyre Kombëtare duke dashur ta përvetësojnë sado pak këtë simbol të elegancës burrërore shqiptare. Por që fustanella jonë të përdhosej kaq keq dhe aq më shumë në krah të Ministres së Kulturës nuk kishte se si të mos më bënte të ndihesha keq. Jam ndjerë keq ashtu siç jam ndjerë keq kur Muzeumi Benaki i kishte kushtuar një album të tërë fustanellës dhe motiveve të saja të pikturuara nga  Leon Jerom duke dashur t’i përvetësonte ato si pjesë e kulturës greke. Por  një shqiptar në krah të Ministres së Kulturës me atë lloj beze trikotazhi si imazh i  fustanellës më dha një ndjesi përzjerje njësoj si ato gratë e veshura me zhizha turke në fillimet e viteve ‘90.

Për shqiptarin me fustanellë me zhizha në krah të Ministres së Kulturës po sjell disa rreshta  nga i madhi Noli për fustanellën tonë kombëtare.

“E kam takuar Konicën për herë të parë më 1909. Ishte diçka që nuk kam për ta harruar kurrë. Më kishte shkruar nga Londra se do të vinte në Boston i veshur me kostum shqiptar. Ideja ishte që të dilte fotografia e tij në gazetë dhe të shfrytëzohej rasti për të propaganduar çështjen kombëtare shqiptare, e cila ka qenë pasioni i gjithë jetës së tij. Unë mbeta i shtangur. Si prift ortodoks i modës së vjetër, në atë kohë unë vetë mbaja një mjekër të gjatë të zezë, për të cilën më duhet të pranoj se nuk u pëlqente djemve të Bostonit. E merrja me mend se sa do të dëfreheshin ata djem po të më shihnin duke ecur me një burrë të veshur me fustanellën shqiptare.

Ndonëse nuk kisha parë kurrë ndonjë fustanellë greke, një lloj fundi i balerinave. Unë isha i shkurtër e i bëshëm, Konica ishte  e i thatë, kështu që të dy do të dukeshim si Don Kishoti me Sanço Pançën të arratisur nga ndonjë cirk. Sa u habita këtë herë kur pashë se djemtë e Bostonit e harruan gjithçka lidhur me mjekrën time dhe thjesht zunë të shihnin Konicën me adhurim. Atëherë e kuptova se fustanella shqiptare nuk ishte fustanellë qesharake greke, por diçka që i ngjante kiltit të skocezëve dhe se i përshtatej shumë një burri të pashëm si Konica.

Meqë ra fjala, lexuesi mund ta gjejë në librin e Konicës ndryshimin ndërmjet kostumit grek dhe veshjes shqiptare: është e vërtetë se grekët e kanë përshtatur nga shqiptarët, por ata u përpoqën ta stërhollojnë sa që e bënë një veshje grash me aq sa mundën”.