Rama: Bashkëqeverisje me PD, vetëm për zgjedhje; ministrat e rinj do të jenë kujdestar të etikës zgjedhore

Në komunikimin e tij javor, Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se më 25 qershor do të kemi zgjedhje lehtësuese, ndërsa përsa i përket faktit se si u arrit marrëveshja me opozitën, ai tha se duhet një libër më vete.

Rama tha se marrëveshja është pjesë e angazhimit për në BE ndërsa bëri me dije se ministrat e rinj do të zgjidhen me konsensus të plotë.

“Marrëveshja për ata që kanë sy të shikojnë e sy të lexojnë shkon përtej këtij fakti. Angazhimi i palëve përmban si angazhim të mëtejshëm për të qenë së bashku në rrugën për çeljen e negociatave për anëtarësim në BE, mosdakortësitë për çështje të ndryshme në rrugën e bashkëjetesës mes qeverisë e opozitës nuk do jenë më arsye për t’u bërë gazi i botës ashtu sikundër marrëveshja detyron dialogun qeveri-opozitë pa pritur të huaj të bëjnë shkesin”, sqaroi ai.

Ministrja e rinj, deklaroi kryeministri, do të jenë thjeshtë kujdestarë të etikës zgjedhore.

“Ka vetëm një bashkëqeverisje në këtë marrëveshje, bashkëqeverisje për zgjedhjet. Këtë herë jo vetëm administrata është e barazpeshuar por edhe vetë qeveria është e vendosur bashkarisht vetëm në funksion të zgjedhjeve”, tha Rama.

Më tej, Rama shtoi se PS dhe PD kanë qënë kundërshtare, janë dhe do të jenë kundërshtare politike me programe të ndryshme dhe me një betejë që nuk mbaron me 25 qershor, me dy rrugë të ndryshme.

Sipas tij, mos hapja e lojës së koalicioneve nuk ka asnjë lidhje me bashkëqeverisjen.

Rama tha se paketa Mc Allister ishte vetëm receta për të gjetur një zgjidhje më afatgjatë.

“Paketa Mc Allister ishte një recetë për të kapërcyer një krizë të radhës kurse marrëveshja është një zgjidhej afatgjatë. Gojët e mëdha s’kanë pushuar një sekondë duke hedhur baltë mbi marrëveshjen si një pazar bashkëqeverisje në kurriz të demokracisë, apo të partive të vogla të cilat vetëm garantë të drejtësisë as kanë qenë ndonjëherë as mund të jenë dot për vetë peshën e tyre. Ka vetëm një bashkëqeverisje në këtë marrëveshje, për zgjedhje, për të siguruar një “fair play” si asnjë herë më parë”, deklaroi kryeministri Rama.