Rama-Kuvendit: Seancë e jashtëzakonshme, të shkarkohet dhe kreu i KQZ

Kryeministri Edi Rama i është drejtuar me një kërkesë zyrtare Kuvendit të Shqipërisë për thirrjen e një seance të jashtëzakonshme. Referuar kërkesës së tij përcaktohet që seanca plenare të mblidhet pasditen e së hënës (22 maj 2017).

Në të pritet të votohen komisionet e Vettingut, ndryshimet më të fundit në qeveri me ministrat teknikë dhe ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Sipas marrëveshjes së arritur, Partia Demokratike do të propozojë 6 ministra, zv/kryeministrin dhe disa drejtori për monitorimin dhe garantimin e zgjedhjeve.   

Njoftim Për Kërkesën e Kryeministrit për mbledhjen e Kuvendit për zhvillimin

e një sesioni të jashtëzakonshëm

Bazuar në nenin 74 të Kushtetutës dhe në nenin 42 të Rregullores së Kuvendit, Kryeministri i Republikës së Shqipërisë z. Edi Rama, i ka drejtuar Kuvendit një kërkesë të motivuar me shkrim për thirrjen e Kuvendit në sesion të jashtëzakonshëm.

Kërkesa ka përcaktuar që thirrja e Kuvendit në sesion të jashtëzakonshëm të zhvillohet ditën e hënë, më datë 22 maj 2017, në orën 18.00.

Rendi i ditës i seancës plenare do të përmbajë diskutimin dhe votimin e çështjeve për vënien në zbatim të Marrëveshjes Politike të datës 18 maj 2017, lidhur me:

Votimin e dekreteve të Presidentit të Republikës për lirim dhe emërim të zëvendëskryeministrit dhe të 6 ministrave;

Shqyrtimin dhe miratimin e paketës ligjore që ka lidhje me reformën zgjedhore;

Miratimin e anëtarëve të pakicës parlamentare në 3 komisionet ad hoc të vettingut, si dhe caktimin e zëvendësuesve;

Zgjedhjen e Kryetarit dhe një anëtari të KQZ-së.

Në përputhje me Rregulloren e Kuvendit dhe afatet e parashikuara në të, Kryetari i Kuvendit do të nxjerrë urdhrin për mbledhjen e Kuvendit në sesion të jashtëzakonshëm dhe do të publikojë rendin e ditës.