Shtohet debati në Uashington, ndërsa Presidenti ndodhet jashtë vendit

Presidenti Donald Trump filloi një udhëtim ndërkombëtar nëntë ditor me një plan ambicioz pune në Lindjen e Mesme dhe në Evropë. Megjithëse ai shpresoi të tejkalonte trazirën politike pas shkarkimit të drejtorit të FBI-së, James Comey, një tjetër raport po ngre më shumë pikëpyetje rreth motivimit të Presidentit për ta shkarkuar atë.

Presidenti Trump filloi një udhëtim ambicioz nëntë ditor me shpresën për të lënë pas furtunën që krijoi përmes shkarkimit të James Comey-it.

Por, vetëm pak minuta pasi Air Force One nisi fluturimin, gazeta “The New York Times” njoftoi se Presidenti Trump u pati thënë zyrtarëve rusë që vizituan Shtëpinë e Bardhë javën e kaluar, se shkarkimi i Comey-it ja hoqi “presionin e madh” të ngritur nga hetimi për Rusinë. Ai gjithashtu e quajti në takim zotin Comey “krejtësisht të lajthitur”.

Në përgjigje, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Sean Spicer, shpjegoi se veprimet e zotit Comey, duke “politizuar dhe teatrizuar” hetimin, krijuan një presion të panevojshëm ndaj mundësive të zotit Trump për t’u angazhuar dhe negociuar me Rusinë.

Presidenti Trump duhet të përballet tashmë me një hetim federal të rigjallëruar për bashkëveprim të mundshëm vitin e kaluar ndërmjet anëtarëve të ekipit të tij elektoral dhe rusëve. Hetimi tashmë do të udhëhiqet nga prokurori i posaçëm Robert Mueller, i cili ka qenë drejtor i FBI-së përpara zotit Comey.

Presidenti Trump e quajti hetimin një “gjueti shtrigash” dhe kërkon të fokusohet sërish tek axhenda e tij ekonomike.

“Më dëshpëron gjithë kjo përçarje. Dakort jam që njerëzit të bëjnë gjërat që duan, por duhet t’i rikthehemi qeverisjes së këtij vendi”, tha Presidenti Trump.

Zëvendës Prokurori i Përgjithshëm Rod Rosenstein ka informuar anëtarët e Kongresit rreth hetimit. Senatori republikan Lindsey Graham thotë se duket që ka një zhvendosje të fokusit.

“Deri më tani ishte një hetim kundërzbulimi. Tashmë më shëmbëllen më shumë me një hetim penal”, tha Senatori Graham.

Emërimi i zotit Mueller si prokuror i posaçëm për të drejtuar hetimin ndaj Rusisë, shënon një përshkallëzim domethënës të hetimeve.

“Zoti Mueller ka një reputacion të sprovuar për ndershmëri dhe integritet. Ai është i pavarur nga Shtëpia e Bardhë dhe ai do të veprojë si i pavarur për një periudhë të gjatë”, thotë Paul Berman, i Universitetit George Washington.

Fokusimi tek hetimi i Rusisë është shndërruar në një shpërqëndrim të madh për Presidentin Trump dhe aleatët e tij republikanë në Kongres, të cilët shqetësohen se po devijohet axhenda e tyre për politikat e brendshme.

“Mendoj se pjesa më e madhe e bazës së tij vazhdon ta mbështesë, por shifrat në anketime po bien. Mendoj se disa anëtarë republikanë të Kongresit janë ende me të, por kërkojnë më shumë informacion, më shumë hetim”, thotë John Fortier, i Qendrës së Politikave Dypartiake.

Presidenti shpreson të ndryshojë temën dhe të fokusohet tek politika e jashtme në ditët në vazhdim, ndërsa është i ndërgjegjshëm se hetimi i Rusisë do ta presë në kthim.