Kush është Admir Abrija, gardisti që u bë prefekt i Tiranës?

Para se të emërohej prefekt, Admir Abrija mbante detyrën e administratorit të Bashkisë së Tiranës për zonën e Farkës. Në daljet e pakta në media, përkrah Erjon Veliajt bien në sy premtimet e zakonshme për projektet e mëdha, tashmë të lëna përgjysëm.

Sipas asaj që ka shënuar në biografinë e tij, prefektit të ri nuk i mungojnë diplomat. Jetën studentore nuk e ka ndalur që nga viti 2005, kur është diplomuar fillimisht për filozofi në Fakultetin e Shkencave Sociale në Tiranë. Nga filozofia ka bërë studimet për akademinë ushtarake dhe një kurs policie. Nga viti 2005 deri në vitin 2009 ka përfunduar fakultetin e Drejtësiëë, për të vazhduar më pas një master në Bussines Laë, sërish në Fakultetin e Drejtësisë. Kjo i ka shërbyer të pajiset me licensën e avokatit.

Punën e parë, prefekti i Tiranës, e ka nisur si oficer sigurie i Gardës së Republikës në vitin 1999. Më pas bëhet zëdhënës i institucionit. Për 8 muaj punon si Shef Sigurie në presidencë, gjatë kohës kur kryetar shteti ishte Bamir Topi.

Karriera në polici nuk i ndalet gjatë qeverisjes së Partisë Demokratike si drejtues i policisë në disa poste.

Ndërrimi i pushteteve në vitin 2013 e gjen Drejtor të Kufirit në Gjirokastër, por socialistët e katapultojnë menjëherë në dogana, si vartës të Elisa Spiropalit.

Me emërimin e ri si zëvendësdrejtor i Përgjithshëm i Doganave, Abrija pati nën varësi sektorin e antikorrupsionit dhe hetimin. Gjatë kësaj kohe emri i Admir Abrijas u përmend nga KLSH, pasi bashkë me zyrtarët e tjerë të lartë, përdorën një shumë parash nga buxheti i doganave për të përmirësuar gjuhën angleze.

Me ardhjen e Erjon Veliajt në krye të Bashkisë së Tiranës, Abrija emërohet administrator i Farkës duke forcuar lidhjet me socialistët, që sot kanë vendosur ta propozojnë për prefekt të Tiranës.