Qeveria e re në Maqedoni, postet ministrore që do marrin shqiptarët

Qeveria e re maqedonase e kryesuar nga LSDM do të jetë me bazë të gjerë dhe do të parashikojë edhe përfshirjen e të gjitha partive parlamentare shqiptare.

Mësohet se BDI do të ketë numër të njëjtë të ministrave si në qeverisjes e kaluar.

Megjithatë brenda partisë së Ahmetit akoma nuk është sjellë vendim përfundimtar për to, edhe pse disa poste mund të lëvizin, në varësi të posteve që do t’iu jepen LR.PDSH-së dhe Lëvizjes Besa, nëse kjo e fundit vendos të marrë pjesë në qeveri.

Sipas asaj që shkruajnë mediat në Maqedoni, LR.PDSH-së do t’i jepen 2 ose tre poste, njëri prej të cilëve do të jetë një post zv/kryeministri, ministria e Shëndetësisë, si dhe një zv/ministër.

Siç mësohet, partitë shqiptare në koalicionin qeveritar kanë hequr dorë njëzëri nga Ministria e Arsimit, në shkëmbim të saj me dikasterin e Shëndetësisë. Burimet shpjegojnë se Lëvizja Besa akoma nuk e ka marrë vendimin nëse do të jetë pjesë e Qeverisë së re ose jo.

Jo zyrtarisht flitet se Besa ka kërkuar numër të lartë postesh, ndërkohë që nuk përjashtohen edhe zërat se qëndrimi i saj është taktikë për të mos lëkundur trupin votues për zgjedhjet lokale.

Ka zëra se kjo zmbrapsje e Besës vjen për shkak edhe të hetimeve ndaj subjekteve juridike të dyshuara si të përfshira në skemën e financimit apo qarkullimit të parave nga Turqia. Megjithatë, pasi partitë të arrijnë marrëveshje, Zaev duhet të dorëzojë në Kuvend programin e Qeverisë dhe propozimin për përbërjen e kabinetit qeveritar.

Institucioni ligjvënës, ka afat 3 ditor për ta vendosur në rend dite votimin e Qeverisë së re, për të marrë dritën jeshile me shumicë të thjeshtë.

Për postet e dyta dhe të treta, që përfshijnë postet e zëvendësministrave, drejtorive, agjencive etj, do të diskutohet me grupe të veçanta pune, dhe ky afat mund të kërkojë deri në 2 javë të tjera kohë./INA