BE publikon raportin për ecurinë e ekonomisë në Shqipëri: Vendi po përjeton një nivel të lartë informaliteti dhe korrupsioni

Sot përfaqësues të Shteteve Anëtare të BE-së, Komisionit Evropian dhe Bankës Qendrore Evropiane u takuan me homologët e tyre nga Ballkani Perëndimor dhe Turqia për dialogun vjetor të politikave ekonomike. Programet e Reformës Ekonomike 2017 të paraqitura nga vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Turqia përshkruajnë kuadrin makroekonomik dhe fiskal afatmesëm, si dhe një gamë të gjerë reformash strukturore për rritjen e konkurrencës dhe zhvillimin afatgjatë.
Programet mbulojnë periudhën 2017 – 2019. Dialogu mbi qeverisjen ekonomike me vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Turqinë synon t’i përgatisë ato për pjesëmarrjen e ardhshme në koordinimin e politikave ekonomike të BE-së dhe reflekton deri diku procesin e Semestrit Evropian në nivelin e BE-së.
Pjesëmarrësit kujtuan angazhimin për krijimin e një seti të ri udhërrëfyesish të përcaktuar politikë për të mbështetur përpjekjet për përmbushjen e kriterit ekonomik të Kopenhagës. Në këtë kontekst, pjesëmarrësit vunë gjithashtu në dukje lidhjet mes progresit në çështjet e shtetit ligjor/lirive themelore dhe përmirësimit të qeverisjes ekonomike dhe sistemit gjyqësor. Dialogu do të vazhdojë në vitin 2018, përfshirë në lidhje me zbatimin e këtyre konkluzioneve.

Vlerësimi për Shqipërinë
Vendi po përjeton një përmirësim gradual ekonomik që pritet të vazhdojë në periudhën 2017 – 2019. Konsolidimi fiskal e ka reduktuar deficitin e buxhetit në një nivel të ulët të zgjatur në vitin 2016, ndërsa planet rregulluese fiskale për tre vitet e ardhshme pritet të jenë të moderuara, por të mjaftueshme për të vazhduar reduktimin e borxhit publik si pjesë e PBB-së, në përputhje me rregullat fiskale të miratuara kohët e fundit. Raporti i huave të këqija ka mbetur i lartë, me gjithë zbatimin e pjesshëm të strategjisë për zgjidhje dhe futjen e zbritjeve të detyruara nga taksat.
Shqipëria i ka zbatuar pjesërisht udhëzimet e përcaktuara politike të vendosura në konkluzionet e Dialogut Ekonomik dhe Financiar të majit 2016.
Me gjithë progresin, pengesat strukturore për zhvillimin dhe konkurrencën përfshijnë pronësinë ende të paqartë mbi tokën, qasjen e ulët në financë, një nivel të lartë informaliteti dhe korrupsioni, një barrë rregullatore të tepruar dhe paparashikueshmërinë në sistemin gjyqësor, çka dekurajon investimet e huaja dhe të brendshme. Janë arritur përmirësime përmes futjes së sistemit të lejeve elektronike të ndërtimit, masave që trajtojnë ekonominë informale, si dhe hapave për nxitjen e qëndrueshmërisë financiare të sektorit të energjisë elektrike.
Rekomandimet e Udhërrëfyesit Politik për Shqipërinë

Të vazhdojë rregullimet fiskale duke pasur parasysh plotësimin e objektivave të treguara afatmesme për reduktimin e borxhit publik si pjesë e PBB-së. Të fusë masa të mëtejshme për konsolidimin fiskal, nëse reduktimi i borxhit rrezikon të mos e plotësojë objektivin.

Të këmbëngulë me përpjekjet e kohëve të fundit për mobilizimin e të ardhurave, në veçanti (i) duke forcuar më tej administratën e taksave; (ii) duke zgjeruar bazën e taksave bazuar në një rishikim të shpenzimeve të taksave; dhe (iii) duke futur një taksë pronësie të bazuar te vlerësimi.

Të zbatojë masat e mbetura të strategjisë së zgjidhjes së huave të këqija. Të zbatojë masat e parashikuara në Memorandumin e Bashkëpunimit për rritjen e përdorimit me efektivitet të monedhës kombëtare, përfshirë kërkesat e diferencuara rezervë për lekun dhe depozitat në monedhë të huaj. Të forcojë mbikëqyrjen e sektorit financiar jobankar, duke rritur kapacitetin e autoritetit mbikëqyrës financiar. Të kthehet te normalizimi i politikës monetare nëse përqindjet e inflacionit konvergjojnë tek objektivi në mënyrë të qëndrueshme.

Të sigurojë ndarjen e plotë të aktiviteteve të transmetimit dhe shpërndarjes së sektorëve të energjisë elektrike dhe gazit, si dhe të fusë shkëmbimin e energjisë. Të miratojë dispozitat e nevojshme ligjore për promovimin dhe monitorimin e masave për përmirësimin e eficiencës së energjisë në përputhje me Traktatin e Komunitetit të Energjisë.

Të vazhdojë proceset e sqarimit të pronësisë së tokës bujqësore dhe regjistrimin e pronës, si dhe të krijojë një kadastër funksionale gjithëpërfshirëse dhe një e-kadastër deri në vitin 2019.

Të rrisë kapacitetet e shërbimeve të punësimit dhe sigurimin nga ana e tyre të masave aktive për tregun e punës për të papunët dhe joaktivët. Në fund të vitit 2017, të hartojë plane konkrete për të trajtuar punën e padeklaruar. Të intensifikojë trajnimin e mësuesve për përmirësimin e cilësisë së mësimdhënies dhe të mbështesë reformën kurrikulare.