Arjola Demiri jashtë kornizave të ‘Xhbanes’, elegante, luftarake dhe një grua e përmbushur në jetë

Arjola Demiri, aktorja tropojane e cila rrëmbeu menjëherë vëmendjen e publikut me rolin e saj rigoroz në serialin “O Sa Mirë”, vjen kësaj radhe në një intervistë jashtë kornizave të ‘Xhbanes’.

Aktorja e njohur rrëfen shumë detaje nga karriera, angazhimet e saj për momentin në serial dhe jetën private, duke pohuar se gjithë energjinë e saj jetësore, ajo e merr nga tre fëmijët e saj. Jemi mësuar ta shohim gjithnjë rigoroze dhe një lloj burrneshe brenda serialit, por në të vërtetë Arjola di të paraqitet elegante dhe shumë fine, si një femër e vërtetë, siç na erdhi në fotosesionin e saj më të fundit të realizuar ditë më parë.  Ju ftojmë të njiheni me aktoren Arjola Demiri, për jetën dhe karrierën e saj jashtë kornizave të ‘Xhbanes’….

Arjola, aktualisht jeni e angazhuar në serialin “O Sa Mirë”. Na trego pak rreth eksperiencës tuaj në këtë serial?

Ne të gjitha përvojat e mia në skenë, mbetet më unikja dhe fantastikja. E them këtë sepse, është një rol dinamik, vital dhe i vërtetë që i afrohet deri diku realitetit. Në të njëjtën kohë është një rol interesant që tregon se si ka evoluar mentaliteti dhe toleranca ndaj femrës. Mbi të gjitha është një rol që jep një ide fillestare të figurës së femrës në terrenin social dhe patriarkal.

“Xhbane” është shndërruar në prej roleve më të dashur për publikun. Si ndihesh që njerëzit e duan dhe e pëlqejnë kaq shumë paraqitjen tënde?

Pa dashamirësinë e ndjekësve të serialit, roli do të ishte i mangët. Unë i falënderoj dhe dua të gjithë ata që pëlqejnë ‘Xhbanen’, edhe ata që kanë kritika për “ngurtësinë” e saj, duke i ftuar të argëtohen me të vërtetat që ajo mëshiron dhe duke vlerësuar dëshirën që ka ajo si personazh për të tejkaluar mundësitë që ka dhe për të arritur ambiciet e saj. ‘Xhbanja’ mishëron femrat që kanë sfiduar dhe që synojnë t’ia dalin me të gjitha forcat e tyre. personazhe si ‘Xhbanja’ janë të gjithanshme, nganjëherë edhe burrnesha që nuk i frikëson asgjë. Në rastin e rolit në fjalë, Zoti ka bekuar me një bukuri që nuk vihet kollaj re, natyra ka qenë dorëlëshuar me të duke e bërë simpatike në rol dhe duke tërhequr vëmendje. ‘Xhbanja’ dhe Arjola kanë gjëra të përbashkëta dhe të ndryshme, një gjë është e sigurt: sinqeriteti dhe raporti me të vërtetën nuk ju mungon.

Me cilët kolegë nga seriali ke krijuar afrimitet më tepër?

Kolegët janë secili shkollë më vete, janë të dashur dhe të mirë, pa dashur të veçoj, prurjet e tyre në rol janë të këndshme, të bukura dhe pasqyrojnë tek secili personazhet e shoqërisë sonë duke plotësuar një mozaik ngjyra-ngjyra. Ne kemi një bashkëpunim të shkëlqyer dhe harmonik me njëri tjetrin, çka ndihmon edhe në cilësinë e serialeve. Adriana Matoshi është pika ime e dobët….

A ekziston vërtet “Xhbanja” brenda teje, vajza me frymë veriore që do traditat dhe është kundër “rebelizmit”?

Unë jam luftarake dhe nuk dorëzohem kurrë, sado të forta dhe të egra të jenë stuhitë. Nuk trembem, i konsideroj sfida çdo gjë që sjell jeta, e cila jo gjithmonë me ne është e ëmbël. Forca e njeriut varet nga motivi për jetën dhe dëshira për të ndryshuar gjërat. Unë jam malësore, njoh dhe vlerësoj prejardhjen time, jam krenare për të dhe cilësitë e mira që kanë malësorët, që nga ato fizike e deri te ato shpirtërore, por jam dhe rebele kur është puna për të çrrënjosur mendësi që femrën e kanë lënë në pikën zero ose në një status jo të gavorshëm për të. Femra është shtysë e fuqishme, motor i shoqërisë së cilës i duhen krijuar lehtësitë e nevojshme për të përparuar, e në rast se këto lehtësira nuk i ofrohen, ajo duhet t’i krijojë vetë.

Jetoni në Tropojë, por aktualisht karrierën e keni të zhvilluar në Prishtinë. Si është për ju të jetuarit në Kosovë?

Prishtina është një qytet kozmopolit shumë i ëmbël. Afërsia gjeografike më ka krijuar lehtësira dhe dashamirësia e njerëzve të artit që veprojnë e punojnë në Kosovë është për t’u vlerësuar. Kosova është e bukur, është e freskët në çdo dimension të saj, një dashuri që ne në Tropojë na ka shoqëruar përherë. Jemi njëlloj, jemi një dhimbje dhe një gëzim, ndaj unë ndjehem përherë si në shtëpinë time.

Ndërkohë, jeni lindur dhe rritur në Tropojë. Merreni me ndonjë aktivitet tjetër pos aktrimit. Kemi dëgjuar që jeni specialiste e turizmit, çfarë bëni më saktësisht?

Puna ime në Tropojë është fokusuar në nxjerrjen në pah të vlerave, traditave dhe trashëgimisë së pasur kulturore të vendit. Kemi kaq shumë gjëra të bukura që mahnitin të huajt por jo vetëm, sa unë me përkushtim jam marrë nëpërmjet aktiviteteve të ndryshme në nxjerrjen e tyre në dritë. Është një kënaqësi dhe pasion më vete, sepse kultura është pasaporta më dinjitoze e prezantimit të një vendi.

Dimë gjithashtu se jeni nënë e tre fëmijëve, sa është e lodhshme për ju angazhimi në karrierë kur ke edhe familje?

Ata janë lodhja më e bukur në botë, janë dashuria më dedikuese, prioriteti i pandryshueshëm i jetës sime. Fëmijët e mi kanë qenë dhe janë mbështetja ime e parë, e pakushtëzuar dhe çdo hap që unë kam bërë u është dedikuar atyre. Janë motivi dhe shpresa ime. Asgjë s’është e lehtë, po çdo mund që kam derdhur për të arritur diçka, do ishte i pamundur pa tre bekimet e mia, fëmijët e mi.

Si reagojnë fëmijët kur shohin mamanë e tyre në TV?

Ata gëzojnë, buzëqeshin dhe besoj se janë krenarë. Por janë edhe kritikues të ashpër, kur s’ju pëlqen ndonjë gjë, më japin ide se si të përmirësohem. Sugjerimet e tyre janë këshilla për mua, sepse sinqeriteti i tyre është përherë më i drejti, i bukuri dhe ai për të cilin kemi nevojë. Janë fëmijë e shohin botën, më bukur se të rriturit dhe unë dua t’i respektoj duke i marrë në konsideratë. Pastaj dashuria e tyre është përtej kufijve që mund t’i përshkruaj me fjalë, e kjo më bën që çdo kërkesë e tyre, të përkthehet në punë e përkushtim për mua.

Çfarë nuk di publiku për Arjola Demirin?

Jo gjithmonë rolet mjaftojnë për të shfaqur veten në të gjitha përmasat e saj. Përherë ka gjëra të pathëna dhe që zbulohen me kohë por e rëndësishme është që të gjithë të punojmë pandërprerë me vetën, në përmirësimin e çdo cilësie që kemi e mbi të gjitha në atë që çdo ditë të jemi më të mirë dhe afërt për njëri-tjetrin. Arti i vërtetë na mëson si të jemi humanistë më të mëdhenj, si ta zgjerojmë zemrën dhe tolerancën ndaj gjithçkaje. Unë punoj që të jem çdo herë më e mirë në aspektin njerëzor dhe profesional.

Përveç angazhimeve në serial, keni marrë pjesë edhe në projekte tjera filmike: teatër/film?

Në prill 2017 isha asistente e dytë e regjisë dhe kisha edhe rolin e doktoreshës në filmin me metrazh të gjatë ”Streha mes Reve” i cili u xhirua në Valbonë.

Çfarë ju pëlqen të bëni në kohën e lirë?

Më pëlqen të udhëtoj, bisedat me fëmijët janë diskurse të cilat më bëjnë të mendoj dhe frymëzojnë, më pëlqen të harxhoj kohë me shoqërinë e cila ka qenë suport i pandashëm gjatë punës dhe jetës sime, libri zë një vend të rëndësishëm me të cilin merrem po ashtu dhe aktivitetet e ndryshme kulturore të cilat kanë vëmendjen time.

Cilat janë projektet tuaja për të ardhmen, që mendoni t’i realizoni?

Mirëpres ftesa për bashkëpunim, dhe në korpusin e dëshirave të mia profesionale ka plot gjëra që presin për të dalë në dritë. Skena mua më mahnit, më magjeps dhe dua të jem pjesë e saj pa diskutim.

Arjola, faleminderit që ishe në këtë intervistë. Për fund dëshiron të shtosh diçka. Ndonjë porosi për lexuesit…

Mos e lini artin të vdesë, mos e zëvendësoni me asgjë, është i vetmi mjet që në kohët e vështira të globalizimit na mban të lidhur me njëri-tjetrin. Arti është mënyrë për të përmirësuar vetveten.