Fshehja e pasurisë, deputeti Peza merret i pandehur në Prokurori

Deputeti socialist Alfred Peza është thirrur në cilësinë e të pandehurit pas kërkesës së Prokurorisë së Përgjithshme.

Burime nga Prokuroria e Përgjithshme, i thanë mediave se ndaj Alfred Pezës janë ngritur 3 akuza. Bëhet fjalë për akuzat e ‘fshehje të të ardhurave’, ‘Pastrim i produkteve penale’ dhe ‘Refuzim për deklarim, mosdeklarim, fshehje, ose deklarim i rremë i pasurisë’.

Prokuroria do të dërgojë dosjen në Gjykatën e Lartë për gjykimin e deputetit socialist. Peza ishte i pranishëm në prokurori së bashku me avokatin e tij Ardian Visha.

Pikërisht për këto akuza është njoftuar edhe avokati i Alfred Pezës. Dosja ndaj këtij të fundit është dërguar në Gjykatën e Lartë ku do të gjykohet për shkak të pozicioni të tij si Deputet i Kuvendit të Shqipërisë.

Në prokurori ka qenë i pranishëm edhe vetë deputeti Peza, i cili nuk ka preferuar të flasë për gazetarët.

Ndërsa avokati i tij, Ardian Visha, ka thënë se organi i akuzës nuk ka asnjë provë për klientin e tij.

“Ky rast nuk ka kënd që të qëndrojë në tokë. Prokuroria nuk ka asnjë provë. Për mua është rast i lehtë për tu fituar, pasi është i ndërtuar keq nga prokuroria. Çdo avokat do ishte i nderuar ta kishte si rast”, tha Visha.