Albspirit

Media/News/Publishing

Ilir Vata: Pakti që shpëtoi paqen, por që kafshoi demokracinë

Politika shqiptare është njohur për konflikte të ashpra politike me kosto të madhe sociale për shqiptarët dhe Shqipërinë. Jo pak herë, shqiptarët janë bërë preh e demagogjisë politike duke ndjekur të paudhët politikanë në udhën e tyre të errët dhe kjo situatë, gati sa nuk u përsërit sërish në prag të zgjedhjeve parlamentare të qershorit 2017.

Mazhoranca e stërmadhe me një pushtet gati absolut e kish ngritur spirancën për të mos e ulur më, me një axhendë lavdërimesh për realizimet, në emër të reformave dhe të sloganit “do të bëjmë shtet”, revanshi i mazhorancës ishte bërë i pandalshëm, pasi lidershipi kish në dorë një kauzë atë të drejtësisë, që do ia kishte zili dhe vetë shenjtori.

Pa dashur t’ia zbehim meritat, pasi u arritën një sërë reformash, ajo administrative territoriale, që opozita nuk u bë pjesë dhe e kontestoi si reformë politiko-elektorale; reforma në arsim që u kontestua si e dështuar dhe me taksa të larta për arsimin; reforma në energji që u kontestua si luftë ndaj qytetarit të thjesht dhe legalizimi falas, por mbi të gjitha reforma në drejtësi që ngeli në prag të votimit nga skepticizmi i opozitës, madje ishte në prag të dështimit ishte mundësi që duhej finalizuar.

Në këtë pushtet të stërmadh opozita duke e dobët, e paorganizuar, me kundërshti të brendshme dhe që bëri opozitë të butë, moderne dhe paqësore, por erdhi një kohë që u sos durimi, dhe opozita organizoi një protestë madhështore me 18 shkurt, e që u finalizua me “Çadrën e Lirisë” për të ndenjur aty për 90 ditë në një protestë të pandalshme që u bë edhe epiqendër elektorale dhe katalizator i energjisë së demokratëve, pse jo dhe i shqiptarëve.

Në fillim, skepticizmi ishte i madh, një lojë që dukej më shumë si një pengesë për të votuar Vettingun dhe mbuluar ata të korruptuar që kishin abuzuar me pushtetin ndër vite, por pas kësaj fshihej një tjetër shandan i artë, kauza për vota të lira dhe të ndershme, një privilegj që një subjekt politik ta ketë atë në kohë moderne, kur një botë e tërë është sakrifikuar për votën e lirë.

Aludimet shkuan përtej të parashikueshmes. E ndërsa ditët kalonin, palët filluan të qartësojnë qëndrimet, me arsyetimin se të korruptuar paska vetëm ish-qeveria, po qeveritarët dhe në këtë mëdyshje, qartësia arriti në një pikë sa opozitës iu dha e drejtë!

E çdo ditë që kalonte, njerëzit kuptuan se kjo betejë politike është më shumë se aq, dhe opozita befason me një protestë të dytë, në momentin kur politika e BE kishte dështuar për kompromis mes palëve, por ende s’ishin shprehur amerikanët dhe pikërisht një ditë para se të mbërrinte në Tiranë, Zëvendës Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Hoyt Brian Yee, për ofertën europiane paketën “Mc Alister”, opozita demonstron fuqishëm në një tjetër protestë në Tiranë.

Para se zyrtari amerikan të mbërrinte në Tiranë, lidershipi i mazhorancës u orvat në disa tentativa politike, por që dështoi, pasi në radhë të parë u delegjitimua vetë procesi zgjedhor, dhe vetë palët e mazhorancës sulmuan datën e koalicioneve që ishte 19 prilli sipas KQZ, por në të vërtetë dhe që opozita e kundërshtoi ishte 18 prilli, e në këtë vazhdë i gjithë cikli i procesit zgjedhor u mbyll pa regjistrimin e opozitës.

Goditja e datës së koalicionit me manovër juridike, bëri që mazhoranca të eliminojë datën që mundësonte koalicion, sepse deri në atë kohë ishin regjistruar 45 parti dhe opozita ishte minorancë, por dëshira për të nxjerrë partitë e vogla nga procesi zgjedhor e bëri mazhorancën minorancë sepse vetëm 15 parti arritën të ishin pjesë e procesit, pasi mazhoranca u kujdes të bënte një përzgjedhje, duke favorizuar partitë e preferuara.

Demokracia e skicuar në letër, përçudnim dhe lajthitje politike

Sipas ideuesit, u zgjodhën më të preferuarit, ku spikasin disa parti me mbiemër socialiste, partitë komuniste, por ajo që habiste ishte në listë edhe një parti e vetëquajtur demokratike, por që është thjeshtë një qejfmbetëse e PD-së, që donte të bënte PD brenda PS-së. Çmenduria nuk ndalon, mentori i lidershipit kish financuar dhe një parti të të përndjekurve, që të realizonin tablonë mikse të politikës me të përndjekur socialistë, dhe më keq akoma me pronarë, social-komunistë, a thua se politika dhe shqiptarët nuk e përqeshën këtë skenar, madje shqiptarët e neveritën.

Shumë e konsideruan si një atentat ndaj demokracisë, të tjerë e konsideruan se lidershipi aktual i së majtës s’ishte as në nivelin e presidentit të fundit komunist Ramiz Alia, pasi goditi pluralizmin, dhe solli në Shqipëri një monopartitizëm të ri, sepse dominante në zgjedhje ishte ish- partia e diktatorit dhe bijat e saj të dala në tranzicion, pra pa opozitën dhe të djathtën.

Demokracia e skicuar në letër ishte dhe mbetet një rrezik, pasi pas 27 vitesh trazicion Shqipëria kthehet në pikën zero, aty ku e la diktatori sepse eliminohen partitë e vogla, që në të vërtetë janë zëri real i demokracisë, shumëllojshmëria, pasuria. Por mendësia politike e lidhur me diktaturën, unin, mënyrën e qeverisjes me disa njerëz e bënë politikën shqiptare një kopje të përçudnuar të diktaturës, dhe rreziku është permanent se në demokraci mendohet si në diktaturë.

Por gjithë kjo siluetë politike agresive që kishte përgatitur dhe një betejë finale mes të shkuarës dhe së ardhmes, u shua papritmas pas vizitës së zyrtarit të lartë të SHBA-së, Yee dhe gjërat u rrokullisën në një kah tjetër, madje ndodhi ajo që nuk pritej…!

Pas takimit të krerëve të partive politike, lidershipi i mazhorancës dhe ai i opozitës në një takim disa orësh befasuan shqiptarët, pasi kishin gjetur një mundësi për të arritur dialogun, dhe ishte bashkëqeverisja mes palëve deri në një afat të përcaktuar për të garantuar zgjedhje të lira dhe për të votuar Vetingun, pra për të çliruar reformën në drejtësi që kur Shqipëria të presë çeljen e negociatave për antarësim në BE, të jenë bashkë për një qëllim final, atë që shqiptarët e ëndërruan në 1990, “E duam Shqipërinë si të gjithë Europën”.

Pikërisht në këtë pikë, lidershipi i së majtës reflektoi. Mbase e zgjuan refleksionet e 1990, që e bënë atë ta sjellë politikën shqiptare në një stad të pa hasur më parë në 27 vite konfliktualiteti, pasi shpëtoi Shqipërinë nga një kaos social dhe garantoi vazhdimësinë e procesit të integrimit të Shqipërisë.

Ndërsa lideri i opozitës i befasoi të gjithë me protesta paqësore me një politikë moderne, ku arriti të ulë mazhorancën e stërmadhe në urtësi për të dëgjuar opozitën dhe realitetin shqiptar, madje dhe për t’u bërë pjesë e qeverisë deri në një kohë të pacaktuar.

Kjo betejë la dhe pasoja, pasi në aspektin e parë ishte një marrëveshje historike, një gjetje politike, një mundësi reale për ta udhëzuar politikën në një frymë e gamë të re dhe pse jo në një rrugë të pashkelur, por kjo marrëveshje goditi dhe parimet e demokracisë, vrau pluralizmin dhe e ktheu politikën në një shteg që si duket do jetë i errët, deri sa vetë demokracia të gjenerojë forcën politike të partive të vogla në një tjetër dimension, pasi magjia e demokracisë është e mahnitshme, por më e rëndësishmja, marrëveshja ka kapërcyer çdo parashikim. Mbase ishte një gjetje politike e lidershipit, mazhorancë-opozitë, por që e kafshoi demokracinë në thelbin e saj.

Please follow and like us: