Albspirit

Media/News/Publishing

May pritet të konfrontojë Trump për informacionet e zbulimit

Kryeministrja e Britanisë, Theresa May pritet të ngrejë sot shqetësimin me presidentin Donald Trump, lidhur me daljen e informacioneve të hetimeve në median amerikane rreth shpërthimit me bombë në Mançester.

Zonja May pritet të largohet më herët nga takimi i udhëheqësve të Natos në Bruksel për shkak të një kërcënimi në nivel kritik për një tjetër sulm terrorist në vendin e saj.

Sipas BBC-së, policia që po punon për ngjarjen në Mançester, e që është e “tejet e zemëruar rreth rrjedhjes së informacionit në shtyp”, ka ndalur ndarjen e informacioneve me homologët amerikanë.

Agjencia e lajmeve Reuters, citoi burime të kenë thënë se ndalimi i ndarjes së informacioneve të policisë me Shtetet e Bashkuara rreth sulmit, do të vazhdojë të jetë në fuqi derisa të merret garanci nga Uashingtoni se nuk do të ketë dalje të tjera informacionesh.

Disa media amerikane njoftuan emrin e autorit të sulmit, duke ia atribuar informacionin zyrtarëve amerikanë, para se kjo të lejohej nga zyrtarët britanikë. Gazeta The New York më pas publikoi fotografi nga sulmi të cilat nuk ishin lejuar ende zyrtarisht të publikoheshin.

Tetë persona janë ndaluar në lidhje me shpërthimin e të hënës në një concert të Ariana Grandes. Shpërthimi vrau 22 persona, përfshi fëmijë dhe plagosi 64 të tjerë.

Bomba u aktivizua nga Salman Abedi, një 22 vjeçar i lindur në Mançester me origjinë nga Libia.

Para takimeve këtë javë me udhëheqësit e NATO-s, presidenti Donald Trump e ka quajtur terrorizmin problemin “numër një” me të cilin përballet bota duke shtuar se po bëhet përparim i madh në luftën kundër terrorit.

Please follow and like us: