Milo braktis Ramën dhe nënshkruan marrëveshje me LSI

Lëvizja Socialiste ka nënshkruar një marrëveshje politike me Partinë Demokracia Sociale të Paskal Milos për zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit.

Një ditë pasi i kërkoi kryeministrit Rama t’i bënte vetë ftesë të tërhiqej nga zgjedhjet, duke refuzuar thirrjen e Petro Koçit, kreu i PDS-së Paskal Milo pas një takimi me kryetarin e LSI-së, Petrit Vasili dhe njoftoi se kanë nënshkruar nje marreveshje politike e cila sipas tyre shtrihet pertej zgjedhjeve.

Kreu i LSI-së, Petrit Vasili tha se “kemi një vizion bashkëpunimi kohëgjatë që shtrihet tej zgjedhjeve. Bashkëpunim LSI-PDS do jetë i frytshëm dhe LSI del garant për të gjitha votat e PDS. Themeli i marrëveshjes mes nesh janë zgjedhjet e lira”.

Ndërkohë që Paskal Milo shpjegoi se marrëveshja e përbashkët PDS-LSI është e natyrshme, për shkak të vlerave të përbashkëta që ndajnë dy partitë.

“Është një marrëveshje që do të materializohet gjatë zgjedhjeve si dhe në vijimësi gjatë qeverisjes së ardhshme, sepse është në interes të të gjithë shqiptarëve, – u shpreh kreu i PDS-së. – Një marrëveshje e bërë me synimin e vetëm për një rezultat maksimal të dy partive tona, në mënyrë që roli i PDS-së të manifestohet gjatë dhe pas fushatës. Kjo është një marrëveshje vlerash, jo marrëveshje kundër të tretëve. Do të jetë një garanci për zgjedhje të lira e të ndershme, me një parti mike e partnere, që do të ketë një mbështetje të plotë gjatë fushatës dhe një perspektivë të qartë në bashkëqeverisjen e vendit”.