Albspirit

Media/News/Publishing

NATO mirëpret Malin e Zi

Mali i Zi, një shtet i vogël në juglindje të Evropës, nga sot do të ketë ulësen e tij në takimet formale dhe joformale të NATO-s.

Nga fillimi i qershorit, ndërkaq, do të jetë edhe zyrtarisht anëtari i 29-të i Aleancës Veriatlantike.

“E mirëpresim Malin e Zi si anëtarin e 29-të të aleancës. Kjo është e rëndësishme për Malin e Zi, është e rëndësishme për NATO-n, është e rëndësishme për Ballkanin Perëndimor. Po ashtu tregon se dyert e NATO-s janë të hapura, tregon se Mali i Zi është reformuar”, tha sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, në prag të takimit të aleancës, të enjten në Bruksel.

NATO i ka dhënë Malit të Zi planin për anëtarësim qysh në vitin 2009, ndërsa më 2015 i ka bërë ftesë për t’iu bashkuar aleancës.

Procesi e ka irrituar Moskën, e cila, për kohë të gjatë, ka menduar se mund ta ketë Malin e Zi në sferën e saj të ndikimit.

Qëkur Mali i Zi është ndarë nga Serbia në vitin 2006, Moska ka kultivuar lidhje të ngushta me republikën ish-jugosllave, ndërsa investitorët dhe turistët rusë kanë derdhur para të majme atje.

Nga viti 2015, afërsia e tyre është kthyer në rrëmujë. Mali i Zi ka fajësuar Rusinë për një komplot për vrasjen e ish-kryeministrit malazez, Millo Gjukanoviq, në tetor të vitit të kaluar.

Rusia, në anën tjetër, ka ndërprerë investimet në Mal të Zi, ka zvogëluar turizmin atje, ndërsa, së voni, ka ndaluar edhe importin e verës malazeze.

“Jemi të përgatitur për çdo veprim të Rusisë, por asgjë nuk do të na pengojë në rrugën që kemi vendosur të marrim”, u tha gazetarëve, ditë më parë, kryeministri malazez, Dushko Markoviq.

“Ballkani, me shekuj, ka qenë skenë e luftës midis Perëndimit dhe Lindjes. Si asnjë vend tjetër në rajon, Mali i Zi ka lidhje të fuqishme me Lindjen, por në vitin 2006 (v.j. kur Mali i Zi ka shpallur pavarësinë), kemi marrë një vendim kyç, për të pranuar standardet dhe vlerat perëndimore”, tha Markoviq.

Mali i Zi, vend me rreth 630,000 banorë, ka një ushtri të vogël, me rreth 2,000 ushtarë aktivë.

Në vitin 1999, gjatë luftës në Kosovë, ai dhe Serbia janë bombarduar nga avionët e NATO-s për 78 ditë.

Me anëtarësimin e Malit të Zi, NATO bën zgjerimin e parë qysh në vitin 2009, kur në radhët e saj kanë hyrë Shqipëria dhe Kroacia./REL/

Please follow and like us: