Albspirit

Media/News/Publishing

Rrëfimi i ish-punonjësit të Sigurimit: Kam përgjuar edhe kushëririn te ‘Shtëpia e gjetheve’

Ai ka punuar aty një jetë të tërë. I ka kaluar të 73 vjetët, ndonëse tregon më pak. Ka ardhur me të bijën dhe nipin për t’i treguar ambientet, që ata nuk i kishin parë kurrë. Nesti Vako ishte djalosh, kur u thirr nga Ministria e Brendshme, nga Pogradeci, për të punuar në Qendrën e Përgjimit të Sigurimit të Shtetit, që sot njihet si “Shtëpia e gjetheve”.

Ishte radioteknik e më pas vijoi studimet duke u bërë inxhinier, krijoi skema e aparatura përgjimi. E njeh atë vend në majë të gishtave, çdo aparaturë e metodë përgjimi. Me gjithë nuancat e epitetet që ka marrë institucioni, i kthyer tashmë në muze nga Ministria e Kulturës, Vako thotë se ka shumë ekzagjerime. Ai është i bindur se puna që bëhej aty i shërbente sigurisë së individit dhe të shoqërisë, tek e fundit ashtu si vazhdon të bëhet edhe sot. “Nuk kishim asnjëherë tendencë për të futur në burg dikë, por të verifikonim sinjalizimet që merrnim”. Ai tregon se si funksiononte institucioni, kush e merrte vendimin për një përgjim, si krijohej terreni i përgjimit, si instalohej një aparaturë, komplotet që janë zbuluar, si edhe rastin kur i është dashur të ndjekë kushëririn e tij të parë, artistin Milto Vako, i cili edhe u dënua.
Milto Vako

Si filluat punë në “Shtëpinë e gjetheve”?

Pasi mbarova klasën e shtatë, u futa në punë marangoz, sepse s’desha të shkoja në shkollë. Hapa një laborator dhe punoja si radioteknik. Ndërkohë bëra gjimnazin natën. Më pas më çuan ushtar në brigadë pune për të hapur tunele. Meqë isha radioteknik, fillova punë në laborator, në Krujë. U lirova nga ushtria dhe u ktheva në komunale si radioteknik. Ditën e inaugurimit të hekurudhës Elbasan-Librazhd, takoj rastësisht dy burra, që më pyesin se nga isha dhe me se merresha. Kishte qenë ministri i Brendshëm. Pas kësaj më thirrën për të ardhur në Tiranë, për të punuar në Ministrinë e Brendshme.

Sa vjet keni punuar këtu? Nga viti 1969 deri në 2006.

Ç’pozicion kishit?

Isha oficer drejtimi në fillim.

Cimkat qe perdoreshin per pergjim
Cimkat qe perdoreshin per pergjim

Ç’bënit konkretisht?

Vinte raport-propozimi për të përgjuar një person, pasi ishte hapur dosja dhe kishte ardhur miratimi nga prokurori. Unë do të kryeja veprimin për të verifikuar sinjalizimet. Gjenim një mënyrë për të vënë një aparaturë përgjimi në çantë, në shtëpi, në kafe, kudo që mund të shkonte. Oficeri operativ që kishte marrë informacionin, këshillonte të konsumohej me personin e përgjuar një aksh problem. Nëse ai do ta konsumonte këtë bisedë, atëherë kishim të bënim me një informacion të saktë, në të kundërt informacioni ishte i gënjeshtërt. Në këto raste thirrej punëtori operativ dhe i tërhiqej vërejtje, ose transferohej, ose lirohej. Nëse kishte aktivitet kriminal, futej në burg.

Në listën e të përgjuarve ishte edhe Fatos Lubonja e Todi Lubonja…

Jo, unë nuk jam marrë fare me ta. Todi Lubonja është dëgjuar në burg, por kështu, jo.

Çfarë dëgjonit ju që këtu?

Aparaturat e pergjimit
Aparaturat e pergjimit

Këtu dëgjonim çdo lloj bisede që bënte i përgjuari. Për shembull, me një personalitet në Francë, çfarë i thoshte. Për shembull, “hidh Kombinatin në erë”.Mos duhet ta linim ne? Ose raste vrasjeje.

Keni zbuluar ndonjë komplot të tillë?

Po, kemi zbuluar. Në katin e dytë është fotografia e një oficeri Sigurimi, që jepte lajme të rreme dhe u zbulua nga teknika se kishte qenë bashkëpunëtor i grekëve. Ne kishim marrë informacione në lidhje me të dhe e vërtetuam. Ai komunikonte me një të dërguar, tregtar apo turist grek dhe i thoshte që e kam zgjidhur atë detyrë që më keni ngarkuar. Nën emrin e Sigurimit ai takohej me të dhe merrte udhëzime.

Ju transkriptonit, përcillnit gjithçka që përgjonit?

Çfarë dëgjonim ne këtu analizohej nga të tjerët.

Ka ndonjë brerje ndërgjegjeje nga ju për punën që keni bërë?

Jo, përkundrazi. Ne e mbronim individin dhe shtetin. Mund të ndodhte të kishim një incident me një ambasadë. Në këtë rast do përgjigjej shteti. Fillonin kontradiktat me shtetin tjetër. Mund të ndodhte ndonjë akt terrorist. Ishim ne që duhet t’i ruanim.

Me pak fjalë, ambasadat kanë qenë në përgjim…?

Po, po. ‘Ujë të zi’ u kemi nxjerrë.

Ka pasur abuzime, informacione të rreme?

As mos e diskuto. Por kur kanë ardhur te ne, është ndarë shapi nga sheqeri, kanë shpëtuar. Atij që është akuzuar kot i kemi kërkuar ndjesë, ai që ka pasur baza është gjykuar.

Kush vendoste për një përgjim?

E vendoste prokuroria. Punëtori operativ i lagjes merrte informacione. Po të njëjtin informacion e merrte edhe nga një burim tjetër, madje edhe nga një i tretë. Atëherë, si të veprohej?! Të futej në burg?! Mundet që të kishte qenë e qëllimshme, prandaj, kur ishin të bindur, e sillnin rastin këtu. Bëhej raport-propozimi për përgjim. Dhe ne e kontrollonim.

Ç’forma përdoreshin?

Kjo mund të bëhej përmes një përgjuesi, në vendin e punës. Këtë mund ta bënte drejtori, inxhinieri, kolegu… do të gjendej një njeri që ta vendoste.

Deri kur ka qenë funksionale kjo ndërtesë?

Ka qenë funksionale deri në 2009-n, sepse qendra u zhvendos pasi s’mund të punohej me këto aparatura të vjetra.

Me çfarë aparaturash punonit?

Kemi marrë aparatura nga jashtë, por në vitin 1978, kemi realizuar edhe vetë çimka.

Kush ka qenë ministër i Brendshëm në kohën tuaj?

Ka qenë Kadri Hazbiu, pastaj Feçor Shehu e më pas Hekuran Isai. Unë mund të kem qenë i vetmi oficer i Ministrisë së Brendshme që nuk kam lëvizur.

Po ata vetë i keni përgjuar?

Nuk jam marrë me ata. Por mund të them se kam nostalgji për Kadri Hazbiun, që ishte një burrë shumë korrekt dhe i rregullt.

Ka pasur ndonjëherë kërkesa personale nga ana e tyre për të përgjuar njërin ose tjetrin?

Në vitin ’73-’74, më kanë çuar të hap tunele, sepse nuk u vinte për mbarë korrektesa ime. Doja ta lija punën.

Përse?

Sepse nuk doja të veproja si kërkonte Feçori apo ndonjë tjetër.

Pra, ka pasur edhe kërkesa të tilla?

As diskutohet. Feçor Shehu më ka thirrur edhe në zyrë, edhe më ka kërcënuar se do të më fuste në burg. Këtë mund ta bënte kur të donte, por unë isha i ri dhe e kisha ndarë mendjen, të dilte ku të dilte. Dhe kur unë i thashë: ti mund të heqësh kapelën, por s’më bën dot asgjë, ai më pyeti: Ke ndonjë gjë në xhep? Dhe unë i nxjerr xhepat bosh dhe të grisur të pantallonave. Kjo ishte arsyeja pse më çuan të hapja tunele. Më pezulloi udhëtimet që kisha jashtë shtetit, më pengonte të vazhdoja fakultetin. Madje më kanë bërë edhe gjyq, sepse kishte të tjerë njerëz që merreshin edhe me ne. Por nuk kishte se për çfarë të më akuzonte.

Sa veta punonit këtu?

Ishim pesë veta. Unë isha në zyrën e parë, pastaj ishte kryetari i Degës, në një dhomë të vogël dy veta dhe pastaj edhe një tjetër. Operatoret që merrnin shënime ishin gra. Ne vërtetonim vetëm pretendimet e të tjerëve.

Ju ka ndodhur të përgjoni njerëz që i njihnit?

Po, ka ndodhur. Madje, unë kam pasur muhabet me majorin që u dënua, u pushkatua.

Po ndonjë të afërm tuajin?

Po, ka pasur. Marrim rastin e Milto Vakos, udhëheqës artistik i Ansamblit Popullor, shef katedre, “Artist i merituar”, një nga më të mirët e kohës. Përfundoi në burg. Ai ishte kushëriri im i parë.

E keni përgjuar ju?

Po, unë e kam përgjuar, në Durrës. Doja ta sinjalizoja, po nuk pranoi të fliste me mua se i dukej vetja më i madh. Doja t’i thosha: ore mos fol se kemi informacion nga filani…

Pra, ju tentuat ta sinjalizonit?

Asnjëherë nuk ka pasur tendenca për dënim. Madje edhe në tentativa arratisjeje, do ta survejonim deri në fund se mos përplasej me ushtarin në kufi dhe mund të vritej, ose mund ta vriste ky atë. I përgjuari merrej dhe këshillohej. I bëhej e qartë se do të futej në burg nëse do arratisej. Ai mohonte. “Ne kaq po të themi”, i thuhej, “hajt dil përjashta”. Po ta bënte sërish tentativën, do futej në burg. Ne e kishim të shkruar që punonjësi operativ asnjëherë nuk duhet të mendojë të fusë njerëz në burg, por t’i edukojë.

Është ekzagjeruar mbi veprimtarinë e këtij institucioni?

I kanë ekzagjeruar dhe i kanë veshur gjëra të paqena. Është njëlloj sikur unë sot, që nuk jam më në punë, të akuzoj Visho Ajazin. Tek e fundit, ai atë punë ka. A e keni dëgjuar që është përgjuar edhe Merkeli e Obama? Edhe mua më dëgjojnë sot.

Si u përgjua kushëriri i parë, dënimi i dirigjentit Milto Vako

Të punoje në “Shtëpinë e gjetheve” nuk do të thoshte se vetë apo të afërmit e tu ishin imunë ndaj përgjimit. Inxhinierit Nesti Vako i është dashur të përgjojë kushëririn e parë, i cili fatkeqësisht u dënua.

Bëhet fjalë pikërisht për dirigjentin Milto Vako, një personalitet i muzikës shqiptare. Nesti Vako tregon se ishte përpjekur ta sinjalizonte, edhe pse kjo ishte e rrezikshme. Puna e tyre kryhej tërësisht në fshehtësi. Por dukej se artisti nuk ia vinte veshin një punonjësi të Sigurimit të Shtetit. Një përgjim në Durrës e ka vulosur përfundimisht dënimin e Vakos. Milto Vako kreu shkollën e mesme artistike “Jordan Misja” në vitin 1952.

Në vitet 1953-1959 vijoi studimet e larta në Konservatorin “Çajkovski” në Moskë, ku u diplomua si dirigjent kori, me profesorin e famshëm Sokollov. Pas studimeve u emërua dirigjent në Ansamblin Shtetëror të Këngëve dhe Valleve Popullore, njëkohë- sisht pedagog në Institutin e Lartë të Arteve dhe në Liceun Artistik. Në vitet 1964- 1968 punoi si dirigjent në Teatrin e Operës dhe Baletit.

Në vitet 1968-1973 ishte udhëheqës artistik i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore. Në vitin 1973 dënohet, largohet nga Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore dhe internohet në Tepelenë, ku punoi për dy vjet rresht në kushte të vështira.

Në vitin 1975 arrestohet dhe dënohet për “agjitacion e propagandë” dhe vuajti dënimin në burgun e Tepelenës e në Ballsh deri në vitin 1982.

Pas burgut, deri në vitin 1991 punoi si punëtor në Ndërmarrjen e Mirëmbajtjes së Shkollave të Tiranës. Pas ndërrimit të sistemeve, do t’i kthehej aktivitetit artistik dhe punës pedagogjike.

Please follow and like us: