Shaban Murati: Haxhi Qamili apo Jorgo Zografi?

Përpara historiografisë dhe publicistikës shqiptare qendron një pyetje me interes kombëtar, që kërkon përgjigje. Cili e ka dëmtuar më shumë integritetin territorial dhe sovranitetin e Shqipërisë: Haxhi Qamili, me parullën “duam babën” në 1914, kur pjesa më e madhe e territorit të vendit ishte e pushtuar nga trupat serbe, greke e malazeze, apo Jorgo Zografi, që krijoi “republikën” separatiste greke të “Vorio Epirit” në 1914, u bë “kryeministër” i saj dhe bandat e të cilit masakruan me mijra shqiptarë në krahinat e Tepelenës, Përmetit, Kolonjës, Korçës, Skraparit, etj. dhe i cili dërgoi edhe delegacion në Konferencën e Paqes në Paris në 1919, që të shkëpuste Jugun e Shqipërisë dhe t’ia bashkëngjiste Greqisë? Apo Marka Gjoni, që shpalli në vitin 1921 “republikën” separatiste serbe të Mirditës, me paratë serbe, me ushtarët serbë dhe me kozakët rusë, dhe i cili dërgoi edhe delegacion në Lidhjen e Kombeve në 1921, që të shkëpuste Mirditën nga Shqipëria?
Çfarë paragjykimesh dhe ndikimesh e dominojnë sot historiografinë dhe publicistikën, të cilat kanë bërë metaforë historike dhe publicistike vetëm Haxhi Qamilin dhe kanë krijuar një mjegull heshtjeje apologjetike për dy të tjerët?