Albspirit

Media/News/Publishing

Si ta shohim përplasjen e Rama-Basha me Frangaj & Co?

Alfred Lela

Edi Rama e ka paralajmëruar, në njëfarë mënyre, atë vendim që do të merrte, bashkë me kreun e opozitës, dy  muaj më vonë, duke hapur një ‘televizion të vetin’ të cilin e quajti ERTV. I pakënaqur siç ishte me ‘mediat e kazanit’, edhe pse në to ishte star-i i mëngjeseve dhe mbrëmjeve, Kryeministri është munduar gjithnjë t’i shmangë, ato që konsiderohen si ‘media tradicionale’ në favor të një komunikimi ‘të centralizuar’, në Facebook apo Tëitter, që i lejon atij dhe stafit të jenë drejtorë, kryeredaktorë, redaktorë dhe kronikanë të një ngjarjeje, që është gjithashtu e tyrja.

Kreut të opozitës, i cili është më konservator, si në veshje ashtu edhe në komunikim, se sa homologu i tij i anës tjetër, iu desh të shpikte një gjë më radikale, duke dalë me gjithsejt prej konservatorizimit, Çadrën e protestës. Askush nuk e ka thënë, por Çadra ishte edhe një formë e protestës së opozitës kundër establishmentit mediatik. Një përpjekje për t’ia marrë me zor atë që s’i jepej, por që i takonte.

Asnjë opozitë, në 25 vjet pluralizëm politik, nuk ka qenë mediatikisht më e përgjunjur se ajo e Lulzim Bashës. Nëse Top Channel i rezistoi trysnive të Berishës dhe pushtetit të tij, duke i mbetur në krah opozitës së Ramës, ata që ishin në krah të Berishës në kohën e pushtetit të tij, kapërcyen, me lehtësinë e jaguarëve, në atë anë të savanës politike ku ndodhej gjahu i lakmuar ekonomik.

Kundërshtia e fortë, beteja dhe kriza politike, dhe nevoja e palëve për të patur akses informativ, i mbante edhe mediat të karikuara dhe, rrjedhimisht të lakmuara nga palët politike.

Marrëveshja Rama-Basha e çliroi skenën politike nga kriza, duke zhvleftësuar, rrjedhimisht, edhe kuotat e larta në bursën e shkëmbimeve që u njihej televizioneve. Duke qenë se partitë e mëdha nuk ia kanë më nevojën kronikës së një përplasjeje të madhe, nuk kanë pse çmojnë hapësirën ku do u duhej normalisht ta vendosnin këtë kronikë.

Nuk po themi se kjo është mirë apo keq. Thjesht është.

Megjithatë, nuk mund të themi as se Rama e Basha janë treguar të drejtë me ligjin e ri, i cili mund të konsiderohet anti-privat. Atyre do u duhej të zbatonin në Shqipëri njërën prej formave legjislative, amerikanen apo britaniken.

E para është e shfrenuar në reklamimin mediatik, dhe në çdo fushatë shpenzohen qindra miliona dollarë vetëm në reklamë për kandidatët dhe partitë. Amerika nuk i njeh kufizimet në fushatat politike, edhe pse si vend puritan ndjek shumë kufizime të tjera.

Krejt ndryshe, spartane mund të thuhet, është Britania e Madhe e cila e kufizon fushatën, duke mos lejuar reklamën politike televizive. Partitë kanë një minutazh të caktuar në televizione për të shpallur programet, që në fjalorin politik të ishullit quhen ‘manifesto’.

Rasti i Britanisë mund të përkufizohet në titullin e një specialeje të NPR-it, Radios Publike Amerikane “No big money or TV ads” (jo parasë së madhe dhe reklamave televizive).

Sigurisht, të dy rastet janë të parashikuara në legjislacionet e vendeve përkatës, në atë set ligjesh që konsiderohet si ‘media regulations’.

Rama e Basha kanë vendosur ‘të shpikin’ një model sui generis, të cilin zakonisht e marrin prej Amerikës apo Britanisë. I cili, duhet thënë, ka edhe nota kineze brenda; pikërisht të Kinës, një vend ku ekonomia është e asaj tipologjie që njihet si kapitalizëm shtetëror. Kjo është zgjatur edhe në ‘ekonominë e medias’.

Të dy liderët politikë dhe partitë e tyre, e kanë një hapësirë ku mund të reklamojnë falas: Televizonin publik shqiptar. Sa u takon televizioneve private, ata mund të rregullojnë me ligj hapësirën e mbulimit mediatik, dmth se sa minuta merr secila parti në kronikat politike, por jo reklamat, që janë ‘njësi tregtare’. Të cilat mund të zgjedhin të mos i bëjnë në TV private, por jo t’i bëjnë falas pikërisht aty.

Edhe pse qarkullon si aksiomë e pakundërshtueshme, e kundërshtueshme është megjithatë, fjalia se ‘televizionet janë private, por frekuencat janë publike’. Po, frekuencat janë publike, ama jo për propagandën, por për idetë politike. Ekspertët e komunikimit politik i klasifikojnë, pa pikë mëdyshjeje, reklamat partiake si propagandë, të njëanëshme dhe të pabesueshme nga publiku.

Hakmarrja e Ramës dhe e Bashës duhet të ishte shërbyer më e ftohtë: Nuk bëjmë reklamë këtë sezon politik, por duam përfaqësim të ndershëm në kohën televizive të kronikave të lajmeve, e cila mund të konsiderohet si ‘frekuencë publike’.

Ky mesazh, që politika i jep medias, nuk duhet lexuar me ‘zemërim tregtar’. Mediat tradicionale, ndoshta duhet të përfitojnë profesionalisht nga ajo që humbin financiarisht nga ‘armiqësia’, dhe në zemërimin e saj të fillojnë të raportojnë se ç’ndodh në të vërtetë gjatë fushatës elektorale të partive.

Nëse reklamat duhet t’i transmetojnë falas, ata nuk kanë pse bëjnë të njëjtën gjë me kasetat e gatshme që u vijnë nga partitë.

Përndryshe, nëpër televizionet shqiptare do shihnim ‘kronikën e një poshtërimi’./©Politiko.al/

Please follow and like us: