Albspirit

Media/News/Publishing

Ilir Çuçi: E shkuara parakalon vetëtimthi

Kam frikë të hap ditarin e jetës sime. Tani jam në një moshë kur më duhet të kthehem pas e të shoh jetën, pa e patur mundësinë të bëj retushe apo korrigjime (një plagë më vehte kjo).

Fjalë të hedhura pa kujdes që krijojnë fjali të thata, rezyme ditore gri, përdorim i shpeshtë reticence, fjalitë e ditarit tim.

E shkuara parakalon vetëtimthi duke më zgjuar stacione ngjarjesh, episode që pikojnë si mbi qelq shiu vjeshtarak.

Zakoni im i kahershëm për të eliminuar data (jo pa qëllim) më bën të shfletoj ngadalë dhe kujtesa thellë gërmon për rikujtime.

Eksistencën e tij e di vetëm unë. Kujdesem që këtë sekret ta ndaj vetëm me vehten (nuk e di përse). Ndoshta disa gjëra njeriu duhet t’i ndajë vetëm me vehten. Ndoshta ashtu dhe aty ai mund ta ndjejë vehten lakuriq, të paqtë me zotin.

Shfletoj.

Pa bërë zë, fletët rrokullisen njëra pas tjetrës shoqëruar me psherëtimat e mia jo pak të shpeshta.

Fjalë të pathëna duket se shtyjnë njera-tjetrën si njeriu i dënuar me kondicionel me shpresën se nuk do të mund të kthehen më aty.

Fjalë të lira në një kohë palirie, brenga dhe marrëzi fjalësh, klithma në eter, vargje pa lexues.

Kohë palirie, kohë e mbrapshtë, ndjenja të burgosura, vjeshtë humane e desaturuar.

Kohë ashtu, kohë kështu, kohë mjerane, histori njerëzore rënë në kurthin e çnjerëzores, ëndrra të vrara.

 

Shpejtoj ritmin e shfletimit si të dua të arratisem prej kllapie.

Gjyqe ëndrrash pa zë, klonim akuzash pa pendim, besim i mbytur, etje lirie pafund, rrugëtim me sens humbarak, historia ime.

Please follow and like us: