Albspirit

Media/News/Publishing

Ish-kryetarja e KQZ-së zbulon telefonatat pas orës 12 të natës: Politikanët më pyesnin a ishin në listë

Ish-kryetarja e KQZ, Lefterije Luzi, e ftuar në emisionin “Ekopolitikë” në Ora News, ka treguar se gjatë kohës që ajo ishte në krye të KQZ-së, politikanët e telefononin pas orës 12 të natës, për të mësuar nëse ishin pjesë e listave.

“Është e vërtetë që listat e kandidatëve janë domen i kryetarëve të partive politike. Heqim këtë rast të PD që ka këtë specifikë dhe ti kthehemi zgjedhjeve të mëparshme. Është e njëjta situatë.

Kam qenë kryetare e KQZ dhe për mua më është dukur habi që pas orës 24:00 kur ne na vinin listat më merrnin kandidatët për deputetë, ata që mendonin se ishin në lista dhe thoshin:

A jemi në lista? Është qesharake. Në fillim nuk mund ta pranoja dot se thosha si ka mundësi të mos dish je apo nuk je në listë.

Domeni i kryetarëve të këtyre partive është që ata i bëjnë vetë listat dhe ti nuk di deri në momentin e fundit je apo nuk je në listë. Duhet të ketë më shumë demokraci brenda partive në përzgjedhjen e kandidatëve”, tha Luzi.

Dita e sotme, është në fakt dita e fundit kur pritet dorëzimi i listave të kandidatëve të Partisë Demokratike në KQZ, pasi afati përfundon në mesnatë.

Please follow and like us: