Albspirit

Media/News/Publishing

KE, 80 mijë vende pune për Ballkanin deri në 2025; Vasili: 100 mijë vende të reja pune

Socialistët premtuan 300 mijë vende pune para se të vinin në pushtet në vitin 2013. Shifër e sigurtë është se të paktën 100 mijë shqiptarë ikën nga vendi qysh atëherë, për ta reduktuar sfidën në 200 mijë. Aktualisht një tjetër parti politike, LSI-ja premton 100 mijë vende pune për katër vitet që vijnë, kuptohet nëse zgjidhet si parti që do të drejtojë qeverinë. Nuk dihet nëse ky objektiv lidhet me punësimet masive që partia e Ilir Metës mendon se janë bërë gjatë kohës kur “punë kishte, por profesionistë jo”, apo me komplekset e saj si parti e dytë. PD-ja e Lulzim Bashës nuk ka bërë asnjë premtim të tillë publikisht, por në fakt ka nisur punësimet në bazë të Pazarit të 18 majit.

Në lojë hynë një aktor tjetër që mund të diversifikojë ekuacionin e punësimit në Shqipëri: Komisioni Europian. Por në ndryshim nga partitë politike shqiptare, KE-ja prezantohet në tregun e punës me objektiva shumë më modestë.

Komisioni Europian po punon mbi një plan masash për lëvizjen e lirë të punonjësve, rritjen e investimeve dhe lehtësimin e tregtisë në rajonin e Ballkanit. Propozimi që synon krijimin e rreth 80.000 vendeve të reja pune deri në vitin 2025, pritet që të detajohet bashkë me instrumentet financiarë përkatës gjatë Samitit të Triestes në muajin korrik”, raporton Televizioni Publik Shqiptar.

Pak javë më parë u njoftua një tjetër statistikë sipas të cilës numri i vendeve të punës në Ballkanin Perëndimor në katër vitet e fundit ishte tepër më modest krahasuar me ambiciet e PS-së dhe qeverisë shqiptare. Një tjetër aspekt që hyn në lojë është se Shqipëria ka përfituar nga projekti TAP për shumë nga të dhënat e përmirësuara, ndërkohë që qeveria ka premtuar një projekt investimesh 1 miliardë euro për katër vitet e ardhshme, por ky mbetet për t’u parë.

 

Programi ynë për 100 mijë vende të reja pune

23 maj 2017

Lëvizja Socialiste për Integrim organizoi një takim me të rinjtë e LRI-së në Njësinë administrative nr. 9 në Bashkinë e Tiranës. I pranishëm në këtë takim ishte Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili, i cili shoqërohej nga kandidatet për deputete të LSI-së për qarkun e Tiranës, Floida Kërpaçi dhe Eriona Bixha etj.

Duke evidentuar punësimin dhe arsimimin e të rinjve si një nga problematikat kryesore, Vasili u shpreh në fjalën e tij se programimi elektoral i LSI-së parashikon një punësim real për të rinjtë dhe që garanton hapjen e 100 mijë vendeve të reja të punës. “LSI premton ato që realizon dhe ka një premtim shumë të madh dhe shumë të rëndësishëm: në katër vjetët që vijnë, nën drejtimin e LSI-së forcë e parë, 100.000 punësime për të rinjtë. 100.000, një numër që nuk është realizuar kurrë në Shqipëri.

Vetëm turizmi ka një potencial të programuar nga ne për të realizuar 35.000 të rinj të punësuar. Bujqësia ka një potencial  që realizohet brenda 4 vjetëve nga ne për 25.000 të punësuar. Infrastruktura ka një potencial plotësisht të arritshëm, për 25.000 dhe 15.000 të tjerë janë në sektorin shumë të rëndësishëm të shërbimeve, informatikës, shërbimeve juridike.

Pra 100.000 vende pune për të rinj është një objektiv i qartë, i menduar mirë dhe që do të realizohet në drejtimin e LSI-së në katër vjetët që vijnë”,- theksoi z. Vasili duke shtuar se kjo mbështetje që Lëvizja Socialiste për Integrim i jep të rinjve është edhe një nga arsyet kryesore se përse LSI do të dal forcë e parë në zgjedhjet parlamentare. “Prandaj kjo është forca jonë, prandaj dhe bindja jonë, prandaj dhe objektivi ynë është vetëm një: LSI forcë e parë!

Kjo rrugë pa kthim e jona, ky objektiv pa kthim i yni, ka startuar prej ditësh po tani kërkon sprintin final, shpejtësinë maksimale dhe deri në 25 qershor duhet të mos na zërë gjumi, duhet të flemë me merakun se si e ç’bëmë sot, ç’bëmë gjatë gjithë orës e si kontribuuam ditën e sotme e të nesërme deri më 25 qershor, që LSI të jetë forcë e parë”,- nënvizoi Kryetari i LSI-së. Gjithashtu, i pranishëm në këtë takim ishte edhe Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, i cili shprehu edhe një herë mbështetjen e tij për të rinjtë dhe të rejat dhe vlerësoi kandidatet e reja.

Please follow and like us: