Kur filozofisë i duheshin edhe myslimanët, edhe hebrenjtë, edhe të krishterët

Nëse do t’ju kërkohej të përmendni filozofin më të rëndësishëm të Bagdadit të shekullit të 10-të, ju me siguri nuk do të hezitonit të thonit ‘al-Farabi’. Ai është një nga të paktët mendimtarë të botës islame të njohur për jo specialistët, dhe me meritë të plotë, po të kemi parasysh ripunimin e tij ambicioz të metafizikës dhe filozofisë politike platoniane dhe aristoteliane. Por nëse do të ishit banor i Bagdadit të shekullit të 10-të, mund të mendonit më shumë për Yahya ibn Adin. Ai nuk është aspak emër i njohur, por përmendet nga historiani al-Mas’udi si mësuesi i vetëm i rëndësishëm i filozofisë aristoteliane, në kohën e tij. Por ibn ‘Adi nuk është vetëm një shembull i mirë se si fama zbehet përgjatë shekujve. Ai është gjithashtu një ilustrim i shkëlqyer i natyrës ndërfetare të filozofisë në botën islame.

Ibn ‘Adi ishte i krishterë, siç ishin shumica e anëtarëve të grupit të filozofëve, që shkruanin komente mbi Aristotelin në atë kohë në Bagdad. Muslimani el-Farabi, i cili ishte me sa duket mësuesi i ibn Adit, ishte një përjashtim nga rregulli. Për të kompletuar panoramën ekumenike, ibn Adi ishte përfshirë në një shkëmbim letrash me një dijetar hebre, i quajtur Ibn Abi Sa’id al-Mavsili, i cili i shkroi atij pyetje rreth filozofisë së Aristotelit, që ai shpresonte se i kish sqaruar. Pa dyshim, Bagdadi ishte një vend i jashtëzakonshëm, kryeqyteti i perandorisë dhe si pasojë, një “kazan” që tërhoqi studiues nga e gjithë bota islame. Por filozofia ishte një fenomen ndërfetar edhe në vende të tjera. Shembulli më i mirë është me siguri Spanja Islame, e spikatur për kulturën e saj të bashkëjetesës. Dy nga mendimtarët më të mëdhenj mesjetarë, myslimani Averroes dhe çifuti Maimonides, ishin bashkëkohës që të dy kishin dalë nga al-Andalusi. Pas Toledo ra në duart e të krishterëve, hebreu Avendauth bashkëpunoi me Gundisalvin e krishterë për të përkthyer një vepër nga mendimtari mysliman Avicenna, nga arabishtja në latinisht.

Ky shembull i fundit është shumë domethënës. Filozofia në këto kohë përfshinte shpesh përfaqësues të besimeve të ndryshme, sepse kërkonte përkthim. Vështirë se ndonjë filozof i botës islame mund të lexonte greqishten, madje as Averroes, komentatori më të madh i Aristotelit. Ai dhe entuziastë të tjerë myslimanë për mençurinë greke, duhej të mbështeteshin në përkthimet, të cilat më së shumti ishin kryer nga të krishterët në shekujt 8-10. Njohja e greqishtes ishte ruajtur nga studiues të krishterë në Sirinë Bizantine, gjë e cila shpjegon pse padronët myslimanë u kërkuan të krishterëve ndihmë, për të ribotuar në arabisht, vepra nga Aristoteli, Ptolemeu, Galeni dhe shumë mendimtarë të tjerë të lashtë. Kështu vetë ekzistenca e filozofisë me frymëzim grek, në botën islame, ishte një manifestim i bashkëpunimit ndërfetar.

E gjithë kjo nuk do të thotë që bota islame ishte e lirë nga mosmarrëveshjet ndër-fetare. Përkundrazi, duket se njëra prej arsyeve që ata patronë myslimanë ishin të interesuar për Aristotelin, ishte se logjika e tij do t’u jepte mjetet për t’iu kundërvënë kundërshtarëve të krishterë në debatin teologjik. Një shembull është dhënë nga al-Kindi, mendimtari i parë musliman që merret me burimet helenike. Ai shkroi një përgënjeshtrim të shkurtër të Trinisë, në të cilin përdori logjikën greke për të argumentuar se Perëndia duhet të jetë një i tërë, e jo Një dhe tre – duke përmendur se lexuesit e krishterë duhej të ishin në gjendje që të ndiqnin argumentin, duke pasur parasysh njohuritë e tyre mbi konceptet logjike. Një kthesë e mirë e kësaj historie, është se ne kemi njohuri për këtë përgënjeshtërsi vetëm falë ibn Adit, i cili citoi al-Kindin, në mënyrë që të mbështeste sulmin e tij ndaj dogmës së krishterë.

Ndërsa njerëz si al-Kindi po përshtasnin idetë greke për të mbrojtur islamin dhe për të sulmuar krishtërimin, të tjerët nuk e pranuan importimin e po këtyre ideve në kulturën myslimane: al-Kindi iu përgjigj kritikëve të paidentifikuar, të cilët përbuznin përdorimin e filozofisë pagane dhe themeluesi i Shkollës së krishterë të Bagdadit hyri një mosmarrëveshje publike me një studiues të gramatikës musliman, mbi dobinë e logjikës së Aristotelit. Studiuesi i gramatikës u tall me pretendimet e aristotelianëve të krishterë dhe theksoi se e gjithë kjo logjikë nuk i kishte penguar ata, që të besonin se Perëndia në një farë mënyre, mund të jetë një dhe tre.

Megjithatë, mbetet fakti që filozofia dhe shkencat në përgjithësi kanë ofruar një lloj pikëpjekjeje, apo një terren neutral për intelektualët e besimeve të ndryshme. Myslimanët, të krishterët dhe hebrenjtë që ndanë një interes në metafizikën e Aristotelit, ose teoritë mjekësore të Galenit, lexonin komentet dhe përpunimet e njëri-tjetrit mbi traditën helene. Kjo është treguar edhe nga mosmarrëveshjet që kishin me njëri-tjetrin: përdorimi i logjikës greke për të debatuar për Trininë, nënkuptonte në mënyrë implicite se kjo ishte një temë që mund të zgjidhej duke i thirrur arsyes. Dhe shumë nga mendimtarët e përmendur më lartë argumentonin se filozofia ofronte burimin më të mirë për interpretimin e teksteve të shenjta, qoftë Toras, Biblës së krishterë apo Kur’anit. Pra, nuk është rastësi që tek myslimani el-Kindi, i krishteri ibn Adi dhe hebreu Maimonid, Zoti unik i traditës abrahame ka një ngjashmëri të habitshme me zotin e metafizikës së Aristotelit. Ndërmarrja e tyre e përbashkët si filozofë elitarë, nënkuptonte se ata kishin më tepër gjëra të përbashkëta me njëri-tjetrin, se sa me shumicën e studiuesve me të cilët ndanin fetë respektive. /Aeon – Në shqip nga bota.al/