Albspirit

Media/News/Publishing

Nju Jork, aktivitet për Kosovën: të ftuar nderi Lorik Cana e Eliot Engel

Ylli i futbollit, Lorik Cana, dhe kongresmeni amerikan Eliot Engel ishin të ftuarit e nderit në një mbrëmje gala të enjten në Nju Jork, kushtuar çështjes së edukimit cilësor të të rinjve në Kosovë. Organizator i mbrëmjes ishte Fondi Kosovë-Amerikë i Edukimit, i njohur shkurt me emrin KAEF.

Lorik Cana njihet si një ndër përfaqësuesit më në zë të Kosovës në skenën botërore. Ai ka luajtur me disa nga ekipet më të mira të Evropës dhe ka qenë kapiten i ekipit kombëtar të Shqipërisë kur ajo u kualifikua për finalet e EUEFA-s në vitin 2016 në Francë.

Cana, i cili jeton në Romë, është tërhequr nga futbolli dhe thotë se ka vendosur të merret me investime. Por ai ruan dëshirën e madhe për të ndihmuar vendlindjen e tij, Kosovën, që të përparojë në rrugën e ndërtimit si shtet i ri:

“Unë jam një njeri i sportit, i kulturës dhe do të mundohem të jap kontribut në atë fushë. Nuk jam njeri i politikës. Arti, kultura, sporti janë themelueset e një shoqërie dhe janë vlera që ne i kemi. Aty duhet të vazhdojmë të kontribuojmë dhe të tërheqim sa më shumë vemendje”.

Programet e Fondit për Edukimin Kosovë-Amerikë (KAEF), ndihmojnë 6 deri në 8 ose 10 të rinj nga Kosova për të bërë masterin në Shtetet e Bashkuara, kryesisht në administrim biznesi dhe në fusha që lidhen me zhvillimin ekonomik të Kosovës.

Dan Davidson, President i Këshillave Amerikane për Edukimin Ndërkombëtar, që përfshijnë edhe KAEF-in, thotë se më shumë se 90 për qind e studentëve nga Kosova që vijnë në Amerikë kthehen përsëri në vendin e tyre:

“Ata drejtojnë biznese, shumë prej tyre janë ekzekutivë biznesesh, të tjerë drejtojnë instucione jofitimprurëse, ose punojnë për qeverinë e Kosovës, për ta bërë atë më efikase dhe më transparente dhe më pak burokratike. Gjatë 10 viteve të fundit, ata kanë krijuar vende punë për qindra e qindra të rinj të Kosovës”.

Në mbrëmje ishte edhe kongresmeni Eliot Engel, një ndër mbështetësit më të rëndësishëm të Kosovës në qarqet e politikës amerikane. Zotit Engel i pëlqen të përsërisë se respekti që shqiptarët në Kosovë dhe Shqipëri tregojnë ndaj Amerikës është i pakrahasueshëm me çdo vend tjetër. Ai pranon pa mëdyshje se në Kosovë ka probleme, por shikon përparim:

“Korrupsioni është problem, reforma e gjyqësorit po ecën ngadalë dhe papunësia është tepër e lartë, mbi 30 përqind. Pra, sigurisht mbetet shumë për të bërë. Por unë e kam vizituar Kosovën shumë e shumë herë dhe çdo herë që shkoj shikoj përparim dhe një të ardhme të ndritur”.

Anea Hapçiu, një nga përfitueset e programit të KAEF-it, mund të quhet shembulli tipik i asaj se çfarë ndryshimi sjell një edukim cilësor. Pas studimeve në Uashington, Anea hapi në Kosovë një zyrë për edukimin profesional të grave, të cilësuar si një ndër më të suksesshmet në botë. Anea ka hapur gjithashtu studion e parë të jogës në Kosovë:

“Mijëra njerëz në Kosovë janë njohur me jogën dhe meditimin nëpërmjet studios së jogës që unë themelova në vitin 2013”.

Mark Gjonaj, anëtar i Asamblesë së së shtetit të Nju Jorkut, tha se investimi për edukimin është çelësi për transformimin e Kosovës:

“Nuk mund t’u themi fëmijëve të kenë ëndrra të mëdha, nuk mund t’u themi se çdo gjë është e mundur, se një ditë ata mund të ndryshojnë botën, nëse nuk investojmë për edukimin e tyre”.

Georgio Kolaj, bashkëpronar i njërit prej rrjeteve më të suksesshme amerikane të picerive, ndihmon KAEF-in për të sjellë të rinj nga Kosova në universitetet amerikane. Ai ka në plan të hapë biznes në Kosovë, falë besimit që ka tek rinia e saj:

“Me origjinë jemi prej Kosovës. Ishalla ia prin Zoti mbarë Kosovës. Mua më pëlqen vendi shumë. Njerëzit janë të fortë, janë njerëz të mençur dhe të rinj. Unë besoj shumë se Kosova ka për t’u zhvilluar”.

Granit Gjonbalaj, erdhi në Amerikë me familjen nga Mali i Zi kur ishte fare i vogël. Tani familja e tij ka një biznes të suksesshëm pronash të patundshme në Nju Jork me një zyrë të madhe edhe në Kosovë. Graniti beson se ka ardhur koha që të punojë me një organizatë si KAEF-i për të ndihmuar njerëz të tjerë në Kosovë të arrijnë suksesin:

“Nëse ke një ëndërr dhe punon shumë, nuk ka asgjë në botë që nuk mund ta arrish. Organizata si KAEF të japin mundësinë dhe të hapin dyert”.

Mbrëmja gala në Nju Jork kishte një titull kuptimplotë: Kosova në skenën botërore dhe disa nga ata që folën thanë se vendit nuk i mungojnë talentet apo shembujt e suksesit në nivel botëror, si Lorik Cana. Drejtuesit e Fondit KAEF besojnë megjithatë se duhet bërë më shumë për edukimin e të rinjve, i cili sipas tyre është i pazëvendësueshëm në zgjidhjen e problemeve më të ngutshme dhe forcimin ekonomik të vendit.

Please follow and like us: