Albspirit

Media/News/Publishing

Gjyqtarja Majlinda Andrea kërkon pafajësi, më 12 qershor jepet vendimi përfundimtar

Ish-gjyqtarja e Gjykatës së Lartë, Majlinda Andrea, kërkoi pafajësi lidhur me akuzën për korrupsion që po shqyrtohet nga kolegët e saj. Avokati mbrojtës i Andreas hodhi poshtë pretendimet e Prokurorisë, duke thënë se gjyqtarja është e pafajshme. Me fjalën e mbrojtjes, Gjykata e Lartë mbylli dje shqyrtimin gjyqësor, ndërkohë që vendimi do të jepet më 12 qershor. Pafajësi kanë kërkuar dhe të pandehurit e tjerë në këtë proces: Odhise Andrea, Petraq Dashi, Ilia Çabiri dhe Eleni Lino. Në seancën e kaluar Prokuroria e Përgjithshme ka kërkuar dënimin e ish-gjyqtares Majlinda Andrea me 4 vjet burg, për korrupsion. Andrea akuzohet se dha një vendim në favor të një pale në një proces për një pronë të madhe në zonën turistike të Butrintit. Prokuroria beson se ish-gjyqtarja ka përfituar një shumë prej 50 mijë eurosh nga ky vendim. Organi i akuzës ndërkohë kërkoi edhe shpalljen fajtor dhe dënimin me 5 vite burg për bashkëshortin e Andreas, si dhe sekuestrimin e shumës prej 50 mijë euro të përfituar nga afera korruptive. Ndërsa me 4 vite heqje lirie, prokuroria kërkoi dënimin për të pandehurin Petraq Dashi, njëherazi personi që ia ka dorëzuar bashkëshortit të gjyqtares shumën prej 50 mijë eurove. Ndërsa për të pandehurin Ilia Çabiri prokuroria kërkoi dënimin e tij me 2 vite burg e për të pandehurën Eleni Lino dënimin me 12 muaj heqje lirie.

Gjyqtarja

Gjykata e Lartë ka caktuar masën e sigurisë “pezullim nga detyra” për ish-gjyqtaren e kësaj gjykate, Majlinda Andrea, e dyshuar për veprën penale të “Korrupsionit pasiv të gjyqtarëve”. Kjo e fundit dyshohet se ka marrë 50 mijë euro nëpërmjet bashkëshortit të saj Odhise Andrea nga disa persona për dhënin në favor të një vendimi pronësie në zonën e Butrintit në Sarandë. Nga aktet hetimore, rezulton se i dyshuari Ilia Çabiri, në cilësinë e përfaqësuesit të një familjeje ish-pronare, ka zhvilluar disa procese gjyqësore për njohjen e një sipërfaqe toke, në zonën e Butrintit në Gjykatën e Lartë, proces që do të shqyrtohej nga gjyqtarja Majlinda Andrea. Sipas akuzës, në këtë skemë ishin përfshirë edhe bashkëshorti i saj Odhise Andrea dhe tre persona të tjerë, Ilia Çabiri, Petraq Dashi dhe Eleni Lino. Sipas hetimeve të prokurorisë, procesin që do të shqyrtohej nga gjyqtarja Majlinda Andrea ishin Ilia Çabiri dhe Eleni Lino, ndërsa Petraq Dashi kishte rolin e sekserit. Ky i fundit dyshohet se i ka dhënë shumën e parave bashkëshortit të gjyqtares, Odhise Andrea. Një ditë pas dhënies së parave, trupa e Gjykatës së Lartë, u shpreh me vendim, në favor të Ilia Çabiri dhe Eleni Lino.

Please follow and like us: