Kokëdhima:Pazari mes Rilindjes dhe PD-së nuk ofron zgjedhje të lira

Kryetari i partisë më të re Zgjidhja, Koço Kokëdhima ka deklaruar se forca e tij politike nuk do marrë pjesë në zgjedhje, sipas tij zgjedhjet nuk do jenë as të lira as të ndershme sepse votat do t’i numërojnë sipas qejfit dy partitë e mëdha.

Ai thotë se e ka mbështetur protestën e opozitës për zgjedhje të lira dhe të ndershme, por kjo marrëveshje nuk i garanton zgjedhjet sipas tij.

“Edhe një herë për 25 qershorin! Partia ZGJIDHJA mblodhi sërish grupin kombëtar të drejtimit për të diskutuar qëndrimin që do të mbajë si forcë e re politike për zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit. Në fjalën e tij, drejtuesi i partisë, Koço Kokëdhima, deklaroi se partia ZGJIDHJA zgjodhi të mos ishte subjekt elektoral në zgjedhjet parlamentare. Ajo mbështeti protestën e opozitës në bulevard për zgjedhje të lira, të ndershme dhe gjithëpërfshirëse. Por pazari mes Rilindjes dhe PD-së nuk ofron zgjedhje me standarde. Zgjedhjet e 25 qershorit nuk do të jenë as të lira dhe as të pastra. Shumica e anëtarëve të grupit kombëtar të drejtimit kërkoi që anëtarët dhe mbështetësit e partisë ZGJIDHJA të refuzojnë pjesëmarrjen në këto zgjedhje, ku votat e shqiptarëve sërish do t’i numërojnë sipas qejfit dy partitë e mëdha”, ka deklaruar Kokëdhima.