KQZ anulon miratimin e listave të PD

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka anuluar sot mbledhjen e planifikuar për në orën 18:00 ku pritej të miratohej lista e kandidatëve për deputetë të Partisë Demokratike, duke e shtyrë atë për ditën e nesërme në ora 12:00.
Në njoftimin zyrtar të këtij institucioni, nuk sqaroheshin arsyet e këtij vendimi por burime nga KQZ pohuan se shkak ka qenë fakti se listat e sjella nga Partia Demokratike nuk plotësonin kushtet e përcaktuara nga Kodi Zgjedhor e për pasojë nuk mund të miratoheshin nga KQZ.
Sipas të njëjtave burimeve bëhet me dije se lista e PD nuk ishte e plotë me 140 kandidatë, numër që korrespondon edhe me numrin e vendeve në Kuvend dhe se gjithashtu listat e depozituara nuk ishin të shoqëruara edhe me CV-të përkatëse.
Të njëjtat burime saktësojë se PD ka depozituar në KQZ vetëm 95 emra kandidatësh ndërkohë që edhe për këto emra nuk ka depozituar asnjë formular dekriminalizimi, si dhe nuk ka paraqitur jo vetëm kopjet e kartave të identitetit por madje as ka plotësuar ditëlindjet e kandidatëve.
Një fakt të tillë e vërtetojnë edhe listat e PD-së për Qarqet Vlorë dhe Tiranë, ku siç mund të konstatohet nga fotot, respektivisht në Vlorë janë paraqitur vetëm 7 kandidatë nga 12 mandate që ka kjo zonë, dhe në Tiranë vetëm 18 nga 34 mandate që ka Qarku.
Referuar afateve të përcaktuara në Kodit Zgjedhor sot fleta e votimit duhej të ishte konfiguruar dhe të ishte dërguar për të filluar shtypja e saj, por duket se parregullsitë në listat e kandidatëve të PD janë bërë shkak që KQZ të shtyjë mbledhjen përtej afatit ligjor duke vënë seriozisht në pikëpyetje ecurinë e procesit. Kujtojmë se dhe depozitimi në KQZ i listave të kandidatëve u bë sot në mëngjes nga PD-ja përtej afatit ligjor
PARASHIKIMET E KODIT ZGJEDHOR

Neni 67
Lista e kandidatëve të partive dhe koalicioneve të partive
5. Emrat në listën e partisë paraqiten të renditura sipas rendit shifror, duke filluar nga numri një. Numri i kandidatëve në listën shumemërore të një partie të regjistruar si subjekt zgjedhor më vete apo numri i përgjithshëm i kandidatëve të një koalicioni nuk duhet të jetë më i vogël sesa numri i mandateve që do të zgjidhen në zonën zgjedhore përkatëse. Për një parti pjesëtare të koalicionit, numri i kandidatëve nuk mund të jetë më i vogël sesa gjysma e mandateve që zgjidhen në zonën zgjedhore përkatëse. Për listat shumemërore për këshillat e bashkisë zbatohet i njëjti rregull.
6. Për çdo zonë zgjedhore, të paktën tridhjetë për qind e listës shumemërore dhe një në tre emrat e parë të listës shumemërore duhet t’i përkasë secilës gjini. Subjekti paraqitës i listës deklaron vendet, sipas kuotës gjinore, me qëllim zbatimin e përjashtimit, sipas pikës 2 të nenit 164 të këtij Kodi.

Neni 72
Dokumentet e kandidimit
1. Dokumentet e kandidimit duhet të jenë në përputhje me kërkesat e këtij Kodi dhe sipas formës së përcaktuar në udhëzimet e KQZ-së.
2. Dokumentet e kandidimit duhet të përmbajnë këto të dhëna:
a) listën e plotë të kandidatëve me renditjen përkatëse, të nënshkruar nga kryetari i partisë, ose propozimin nga komiteti nismëtar i një grupi zgjedhësish;
b) emrin, atësinë, mbiemrin, datëlindjen, gjininë, adresën e kandidatit dhe një kopje të dokumentit të identifikimit;
c) deklarimin e kandidatit se gëzon të drejtën dhe vullnetin për të kandiduar, në të cilin përfshihet, sipas rastit, deklarimi i dorëheqjes nga funksionet e përcaktuara në nenin 63 të këtij Kodi, shoqëruar me kopjen e deklaratës së dorëheqjes, të depozituar pranë institucionit përkatës;
ç) deklarimin e kandidatit të propozuar nga një grup zgjedhësish se nuk do të mbështetet apo nuk do të mbështesë asnjë subjekt zgjedhor në zgjedhje;
d) një listë të nënshkruar nga zgjedhësit e zonës përkatëse, që mbështesin kandidatin ose partinë, sipas neneve 69, 70, dhe 71 të këtij Kodi.

lst1

lst2