Albspirit

Media/News/Publishing

Premtime për SmartPhone në këmbim të postimeve për PS në ”Facebook”

Nuk ka më asnjë dyshim. Nëse partitë që janë regjistruar në zgjedhje kanë një luftë të fortë në terren, qoftë edhe për një votë më shumë, në hapësirën virtuale luftohet edhe më fort. Aty janë grupmosha e votuesve, më e vështirë, në pikëpamje të vendosmërisë për të votuar. Të rinjtë ose janë neglizhentë, ose militantë, por ka edhe nga ata që janë në mëdyshje.

Çfarë ndodh me hapësirën virtuale mes profileve të shqiptarëve? A janë prezente partitë? Sa aktivë janë të rinjtë në shpërndarjen e mesazheve të fushatës, apo promovimit të personazheve të njohur politikë, ndoshta edhe të lajmeve ”fake”?!

Në ”Facebook” qarkullon prej kohësh një postim i një profili, të quajtur ”Rilindje.net”, e cila ka thuajse 100 mijë ndjekës. Postimet e këtij profili, që ka nga pas edhe një website dhe që si foto ”Coveri” mban posterin dhe sloganin e PS-së, kanë të bëjnë me video të Edi Ramës, foto-albume të tij, spotin elektoral të PS-së, lajme kundër PD-së etj

Si arrin ky website dhe ky profil në ”Facebook” të ketë të rinj kaq aktivë? Fare e thjeshtë: duke zhvilluar një garë.

ÇFARË THOTË PLATFORMA, CILËS PARTI I PËRKET

”Rilindje.net” ka vetëm një objektiv: ”Të ndihmojë Partinë Socialiste të vazhdojë projektet e saj për Shqipërinë dhe për 4 vitet e ardhshme”, të paktën sipas atyre që lexohen në faqen e saj.

”Rilindje.net është platforma e parë dhe e vetme e aktivizmit politik në Shqipëri. Ajo lindi nga dëshira e një grupi të rinjsh për të komunikuar, për t’u organizuar e për të ndarë lirisht idetë e tyre. Sot Rilindje.net bën bashkë mbi 10 mijë të rinj e të reja nga gjithë Shqipëria. Që prej prezantimit të saj në 12 mars 2013 nga Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, Rilindje.net ka shërbyer si një pikë takimi virtuale për djem e vajza që besojnë tek parimet e së majtës progresive. Në zgjedhjet e 23 Qershorit 2013 Rilindje.net u vlerësua si çelësi i fitores nga Edi Rama. Sfida jonë sot është që të mbajmë gjallë të njëjtën frymë, entuziazëm e angazhim që e ka kthyer Rilindje.net në një histori suksesi. Ajo që na motivon është dëshira për të punuar. Ajo që na bashkon është shpirti i skuadrës. Ajo ku ne besojmë është vlerësimi i punës së gjithësecilit. Rilindje.net është një eksperiencë fantastike për çdo të ri e të re që ka dëshirën të kontribuojë në politikë dhe në jetën publike. Shumë prej nesh tanimë kanë bërë realitet ëndrrën e tyre për të kontribuar në mënyrë reale për projektin e Rilindjes Shqiptare. Bashkohu edhe ti me ne!””, shkruhet në faqen e saj.

GARA PËR TË FITUAR SMARTPHONE

”Rilindje” ka hapur garën e dytë, ku të rinjtë kundrejt ”Share”-ve përfitojnë një tablet Samsung TAB A për vendin e parë dhe Gift Card me vlerë 5 mijë lekë të reja për vendin e dytë dhe të tretë

”Në këtë çast historik, ne kemi nevojë të dëgjojmë zërin e çdo të riu dhe të reje anembanë Shqipërisë.

Shqipëria që kemi është krejt ndryshe nga Shqipëria që kishim por ende larg Shqipërisë që duam, ndaj edhe ne duhet të shpërndajmë projektin e Shqipërisë që duam, por dhe vizionin e punën që PS-ja ka bërë me përkushtim e përulje këto 4 vite. Gara e dytë e Rilindje.Net nis në datë 26 Maj 2017 në orën 18:00 dhe përfundon në 1 Qershor 2017 në orën 15:00 dhe fituesit e garës përfitojnë një tablet Samsung TAB A për vendin e parë dhe Gift Card me vlerë 5 mijë lekë të reja për vendin e 2 dhe të 3. Akoma shumë mbetet për tu bërë, ndaj kërkojmë kontributin e secilit prej jush për më shumë punë dhe mirëqenie për familjen e çdo shqiptari. Sëbashku, për shtet, punë, mirëqënie. Për Shqipërinë që Duam”, detajon postimi.

Mbi 13 mijë mbështetës aktivë, me profile në rrjetet sociale, profile që nuk dihet nëse kanë emrat e vërtetë të të rinjve, bëjnë  shpërndarjen e lajmeve, postimeve apo PR-it të socialistëve si dhe komentojnë. Sigurisht që për të marrë pjesë në këtë garë, duhet të regjistrohesh në web. Kjo është e vetmja mënyrë se si kontrollohet puna e të rinjve, sa shpesh shpërndajnë postimet e sugjeruara, cilat dhe sa aksione suporti fitojnë.

ÇFARË U KËRKOHET TË RINJVE TË BËJNË

Anëtarët më aktivë të ”Rilindje.net” shpërblehen me dhurata të ndryshme si ftesa në evente eskluzive, tablet, celularë, lap top dhe kupona dhuratash.

PIKËT:

1.Regjistrimi : 20 pikë, Ju do të merrni pikë për regjistrimin në faqen tonë.

2.Hyrjet e përditshme: 8 pikë, Ju do të merrni pikë për vetëm 1 hyrje në ditë në faqe.

3.Aksionet speciale të shpërndarjes: 15 pikë, Pikët fitohen kur ndani një artikull “Shpërndaj” në seksionin e Aksioneve të shpejta. Artikujt “Shpërndaj” kanë një status special, sepse ato shprehin mesazhe shumë të rëndësishme të kauzës sonë. Ju mund të fitoni pikë vetëm 1 herë për secilin artikull “Shpërndaj” dhe pikët e plota mund ti përfitoni vetëm pasi dikush ka klikuar në linkun të cilin ju keni shpërndarë!

4.Aksione të zakonshme shpërndarjeje : 5 pikë, Pikët fitohen duke shpërndarë vetëm një artikull të zakonshëm nga faqja.

5.Të firmosësh një Peticion: 10 pikë, Një peticion në seksionin “Aksionet e shpejta” mund të firmoset vetëm një herë nga një përdorues.

6.Premto: 7 pikë, Rubrika Premto në seksionin “Aksionet e shpejta” mund të plotësohet vetëm një herë nga një përdorues.

7.Të japësh mendimin tënd: 7 pikë, Pikët do të fitohen nga përdoruesit që do tiu aprovohen komentet në rubrikën “Mendimet tuaja”.

8.Të shkruash komente: 3 pikë, Pikët do të fitohen për përdoruesit që do tiu aprovohen komentet në rubrikën “Lexo dhe komento”.

9.Firmosja në rubrikën “Përkrah”: 10 pikë, Rubrika Përkrah në seksionin “Aksionet e shpejta” mund të plotësohet vetëm një herë nga një përdorues.

10.Plotësimi I sondazheve: 5 pikë, Ju do të merrni pikë vetëm një herë për secilin sondazh që plotësoni.

11.Publikimi materialeve mediatike: 10 pikë, Pikët fitohen për secilin material mediatik (foto ose video) të ngarkuar në faqe dhe të aprovuar.

12.Votat e marra në materialet tuaja të postuara në faqe: 2 pikë për votë, Çdo përdorues I rregjistruar mund të votojë një herë për një material të postuar.

ÇFARË FSHIHET PAS

Kuptohet që thelbi nuk është të gjejnë të riun që i bën zbor teknologjisë. Çështja është të shpërndajnë sa më shumë postime partiake, duke angazhuar të rinjtë vetë. Krejt ndryshe do përqafohej një mesazh apo postim nëse bëhej nga përfaqësues të njohur partiakë të zyrës së shtypit, apo zyrave të institucioneve, të cilët promovojnë punën e drejtuesve dhe krejt ndryshe do përqafohej nëse rrjeti do të bombardohej nga postime të ”pafajshme” të rinjsh.

A janë të ndërgjegjshëm të rinjtë për punën që i kryejnë partisë? A janë ata anëtarë të partisë?! A janë punonjës të administratës?! A mendojnë vetëm si e si të fitojnë 1 SmartPhonë për të cilin kanë shumë nevojë?!

Please follow and like us: