Albspirit

Media/News/Publishing

Ruben Avxhiu: Ndahet nga jeta diplomati i shquar, Zbigniew Brzezinski

Vdiq Zbigniew Brzezinski!

Nje nga figurat me ndikim masiv ne politiken e jashtme amerikane gjate Luftës së Ftohtë.
Polako-amerikani që u bë Këshiltar i Sigurisë Kombëtare për Presidentin Jimmy Carter.
Brzezinski ishte mentor i Madeleine Albright që nga koha kur ishte profesor në Columbia University dhe luajti rol personal që ajo të përparonte në karrierën që do ta bënte një ditë Sekretare Shteti. (Që të dy fëmijë emigrantësh politikë nga Europa Lindore. Madeleine ishte çeke.)

* * *
Historia ime e preferuar me “Zbigun” është gjatë revoltave studentore në Columbia University, në 1968. Në kohën kur Shqipëria dhe Europa Lindore vuante nën komunizëm, studentët amerikanë u rebeluan në disa prej universiteteve kryesore.
Në New York, ata pushtuan Universitetin e Kolumbias dhe ngritën flamurin e kuq nga dritaret dhe tarracat e tij. Pati përleshje me policinë.
Një nga profesorët e rrallë që nuk ia kishte mbathur në shtëpi ishte Zbig, një anti-komunist i pasionuar. Kur i thanë se studentët ishin mbledhur jashtë dhe po bërtisnin kundër tij, ai zbriti i qetë dhe u doli përpara duke ngrënë një mollë.
I pyeti se çfarë kishin që e shqetësonin dhe duke përfituar që mbetën pa fjalë nga konfrontimi i papritur, u tha, “me që nuk paskeni gjë për të thënë, po kthehem të vazhdoj punën për triumfin e imperializmit”.
Kjo e fundit krijoi pak humor dhe e zbuti situatën. Shumë prej kolegëve të tij, përfshi edhe ata të majtë nuk arrinin ta besonin që kishte qendruar në shkollë në kohën e trazirave.

* * *
Zbigu kishte urrejtje të madhe për komunizmin. Ndryshe nga shumë prej kolegëve të tij në universitete apo në Partinë Demokrate amerikane, ai nuk kishte asnjë iluzion për Bashkimin Sovietik. Ai hutoi Republikanët kur i denoncoi për dobësi ndaj Bashkimit Sovietik dhe normalizim me diktaturat e kuqe në botë, gjatë presidencave Nixon dhe Ford.
GJatë gjithë Luftës së Ftohtë, angazhimi i Zbigut në administratën e Carter ishte e vetmja periudhë në të cilën Demokratët ishin më anti-komunistë se sa Republikanët.
Disa e kanë quajtur përgjigjia demokrate ndaj Henry Kissinger.

* * *
Zbig ishte një intervencionist. Madeleine Albright dëshmoi se ishte nxënësja e tij kur shndërroi politikën e jashtme të Presidentit Bill Clinton në fund të viteve 1990.
Brzezinski kishte kërkuar ndërhyje ushtarake kundër Jugosllavisë që nga koha e Luftës në Bosnje. Ai ishte shumë kritik ndaj administratës Clinton që nuk po vepronte kundër Beogradit.
Kur filloi lufta në Kosovë, ai jo vetëm që mbështeti pa mëdyshje ndërhyrjen e NATO-s, por bëri thirrje që Amerika të armatoste e financonte Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
Edhe më vonë, Zbig mbështeti pavarësinë e Kosovës dhe denoncoi pretendimet ruse se Osetia Jugore dhe Abkhazia janë raste të ngjashme me Kosovën.
(Kureshtarët mund të ndjekin këtu, intervistën e tij me Charlie Rose, në mbështetje të ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë:https://charlierose.com/videos/18201)

Please follow and like us: