Albspirit

Media/News/Publishing

Sami NEZA: Kurthi i fushatës brenda PD

Një grup të pakënaqurish nga lista e kandidateve për deputetë të PD-së kanë nisur një sulm të ethshëm ndaj kryetarit të Partisë Demokratike, por edhe anëtarëve të tjerë të listës. Si për të ndihmuar sadopak efektet e sprucimit të gazit helmues, o nga kulla binjake , o nga kulla përballë kullave që shtriu në urgjencat e QSUT dhjetra protestues përfshirë edhe kreun e opozitës.

Normalisht që shumë prej këtyre që janë të pakënaqur kanë një kontekst të sulmit që lidhet me përvojën e tyre politike apo profesionale, me pritshmëritë që kanë pasur nga kreu i PD-së. Me një kqyrje që i bëjnë listës ata konstatojnë se asnjë prej atyre që është atje nuk e meritonte të ishte para tyre. Është një ndjesi normale njerëzore. Mund të kenë edhe fakte për këtë. Bile edhe të drejtë.

Por nëse cështja do të mbetej tek një hatërmbetje nuk përbën ndonjë problem. Hatërmbetjet sheshohen me kohën, politika të jep mundësi të reja dhe kush e sheh politikën si pasion apo ndjënjë më shumë se sa interes ia di këtë veti. Jo shumë shpesh por herë pas here politika krijon mundësi për më të mirët, edhe pse është profesion për mesatarët.

Cështja është se hatërmbetja nuk po mbetet këtu. Zyrtarë të ndryshëm të PD, një numër njerëzish të pakënaqur për shumë arsye po hedhin më media dhe rrjete sociale gurë ndaj Partisë Demokratike, duke e kamufluar atë si luftë kundër Bashës dhe lidershipit të tij. Këtu qëndron edhe hilja e madhe e këtyre njerëzve që nëse e bëjnë si pjesë e ndonjë skeme është e papranueshme dhe nëse nuk e kuptojnë se cfarë po bëjnë, dikush t’ua bëjë të qartë.

Po stimulohet një garë brenda PD ndërkohë që vetë PD është e përfshirë në garën e zgjedhjeve parlamentare. Është rast i paparë që përmes debateve po kthehet vëmëndja tek problemet e brendshme në PD duke lënë në harrese problemet kombëtare që debatohen në fushatën zgjedhore. Po i ngulet thikë pas shpine, jo më Bashës, por PD-së, të djathtës dhe më tej mijëra e mijëra qytetarëve që kanë problemet e mëposhtme:

-nuk kanë depozita bankare, për më keq mezi e mbyllin muajin

-nuk i përkasin as si kushërinj oligarkisë politike dhe financiare të kujtdo partie apo cfarëdo banke apo koncesioni

-nuk zgjidhin dot asnjë problem në administratë pasi qarku i saj mbyllet për këdo që nuk ka patur mundësinë dhe mjetet për të qenë pjesë e saj

-kanë bërë gati valixhet të lënë vendin me cfarëdo mënyrë nëse zgjedhjet e reja nuk prodhojnë mekanizma që t’ua mbajë gjallë shpresën

-nuk kanë vila, nuk kanë apartamente por vetëm bukë të hanë dhe ndonjëherë me kursim.

-nuk kanë media të vetat, internet në shtëpi dhe kanë pamundësi të thellë artikulimi për të qenë aktorë të hapësirës publike në Shqipëri.

Lë shumë për të dëshiruar kjo papjekuri e të djathtëve të cilët edhe kur kanë qenë të pakënaqur kanë ditë që ajo të mos u shërbejë kundërshtarëve politikë. Është veti e të djathtëve për tu shprehur, për të mos rënë dakord, për të thyer xhamat e syzeve kur nuk i sheh.

Por nuk kanë pse ta bëjnë këtë sherr kur meritat e kësaj mosbindje nuk i ngelet atyre, por i merr Edi Rama, ose kur Edi Rama duket sikur është administratori i tyre.

Lulzim Basha që është shënjestra po drejton PD prej katër vitesh. Ka pasur vetëm një rast kur atij i është drejtuar një atakim publik nga një zyrtar i PD-së, Eduard Selami, tri vite më parë. Në mbledhjet e kryesisë së PD-së apo grupit parlamentar ka pasur debate, por asnjë akuzë seriozë ndaj lidershipit të tij. Selami që ka folur nuk po flet.

Ka dy ditë që ka nisur fushata elektorale dhe kanë vërshuar ata që e paskan njohur mirë Bashën që nuk drejton dot PD. Deri dje nuk kishin ndonjë gjë për të thënë. Sot paskan. Dhe kur? Pikërisht kur një partie politike i duhet të mblidhet të paktën një muaj për të bërë betejën me kundërshtarin politik, dhe jo për ta furnizuar drejtorin e Fermës Kombëtare të Kanabisit me lëndë të parë që zëvëndëson hashashin që i dha gjithë Shqipërisë për dy vjet, duke trullosur edhe opozitarët e pakënaqur

Demokratët duhet ti japin fund këtij cikli ku janë futur tash dy ditë. Lufta kundër Bashës në fushatë elektorale është luftë kundër PD-së, luftë kundër së djathtës. Pas 25 qershorit ka shumë më tepër mundësi për të zhvilluar betejat brenda partisë. Ajo është punë e demokratëve dhe ata e dinë se si e menaxhojnë.

Kjo që po bëjnë tani nuk është vetëm punë e tyre por e shumë e shumë të tjerëve.

Please follow and like us: