Seksizmi në Serbi

Seksizmi është shndërruar në një problem të madh në shumë fusha të jetës në Serbi. Më së shumti sulmohen politikanet dhe gazetaret, por seksizmi vërehet gjithandej.

Seksizmi në Serbi shikohet kryesisht si një problem i kulturës tradicionale dhe gjithmonë justifikohet me një traditë maçoizmi, ku ofendimi i fermave shihet si një argëtim i meshkujve. Më së shumti në shënjestër janë politikanet dhe gazetaret – për shkak të natyrës së punës. Ato janë shumë shpesh në shënjestër të sulmeve. Disa politikanë i krahasojnë koleget e tyre me Idi Aminin, disa shprehin tendenca të hapura erotike ndaj tyre, e të tjerët thonë se politikanet përfitojnë vetëm nga këmbët e tyre të gjata. Ka dhe të tillë që u sugjerojnë kolegeve të heqin ndonjë kilogram dhe u drejtohen me “vajza e vogël”, apo “shpirt”. Një problem tjetër është perceptimi i meshkujve se nuk ka asnjë femër që ka pasur sukses për shkak të aftësive të saj profesionale.

Seksizmi në të gjitha anët

Rasti mbase më i njohur i seksizmit në skenën politike është ai i politikanit nga Partia Përparimtare Serbe, Bratisllav Gashiq, i cili në kohën kur ishte ministër i Mbrojtjes, para kamerave televizive tha se “i përlqejnë gazetaret që gjunjëzohen”. Për këtë dekalratë u detyrua të japë dorëheqjen. Ndërsa rasti i fundit është ai i politikanit opozitar Sasha Jankoviq, i cili gjatë një emisioni i tha gazetares se “nëse ta them këtë, duhet të më puthësh”.

Pavarësisht kontekstit të fjalisë, ai u gjet në shënjestër të kritikave të shumta, nga të gjitha anët. Kjo deklaratë dëshmon se gjëra te tilla ndodhin nga të gjitha partitë dhe jo vetëm nga pozita apo opozita, thotë gazetarja e revistës „Vreme”, Tamara Skrozza. „Për fat të keq nuk ka asnjë dallim. Në publik thuhet se të gjithë janë të barabartë, ndërsa kur mbyllen kamerat, shumë prej tyre kanë probleme me seksizmin.”

Sociologia Vesna Peshiq pohon se në shoqërinë serbe ka tepër tradicionalizma, madje edhe në shtresat që paraqiten si qytetare. “Shoqëria serbe përmes nacionalizmit është tradicionalizuar edhe më shumë – në një masë shumë më të madhe se në kohën e socializmit”, thotë ajo.

Qëndrimet private dhe publike

Tamara Skrozza vlerëson se Serbia është një shoqëri bukur konservatore, por kjo nuk guxon të shprehet në qëndrimet publike. “Çfarë duhet thënë në objektet e mbyllura dhe në opinion? Gjërat që duhet të mbeten pas dyerve të mbyllura tani kanë dalë në sipërfaqe dhe në opinion”. Ka dhe të tillë që konsiderojnë se seksizmi është vetëm një vazhdimësi e asaj që ka nisur në estradë, ku nuk kursehet asgjë. Tani një fjalor të tillë kemi edhe në politikë dhe në institucione. Femrave në këto fusha u jepet vetëm roli i kukullave dhe i atyre që duhet të jenë të dëgjueshme.

Tamara Skrozza thotë se fjalët e politikanit Jankoviq nuk mund të krahasohen me ato të Gashiqit, sepse Jankoviqi gjatë fushatës për president ka qenë shumë korrekt. Ndërsa Vesna Peshiq mendon se edhe këto deklarata flasin për një amatorizëm total në politikën serbe. Zgjidhja për këto probleme është respektimi i plotë i të drejtave të njeriut dhe barazisë gjinore. Ndryshimet duhet të futen edhe në Kushtetutë, ku duhet të parashikohen të drejta plotësisht të barabarta mes meshkujve dhe femrave.