Kush e rrëmbeu trofeun “Kadare”?

 

“Musa Ramadani me “Profeti nga Praga” ka sjellë një roman të vecantë si për nga forma ashtu dhe nga përmbajtja. Duke qenë i strukturuar në tregime të lidhura fort me njëra-tjetrën, “Profeti nga Praga” shpërfaqet si një mozaik rrëfimesh dhe kolazh teknikash narrative, është një roman për letërsinë, tekst kënaqësie dhe akt përjetësie, ku krijuesi shpaloset si një libër i hapur ndaj konteksteve dhe konotacioneve të ndryshme”.

Kështu u shpreh ish ministri i kulturës françeze, Frederic Miterrand, në akordimin e çmimimit “Kadare” dhënë autorit gjatë ditëve të Razmës.

Çmimi “Kadare” 2017 akordohet nga Instituti Evropian Pashko me mbështetjen e Universitetit Evropian të Tiranës dhe në listën finale ishin 6 autorë. Juria drejtohej nga shkrimtari i njohur Bashkim Shehu dhe vlera monetare e tij është 10 mijë euro.

Musa Ramadani ka lindur në Gjilan të Kosovës në vitin 1944. Ka kryer studimet në shkollën e lartë pedagogjike dhe më pas degën e Gjuhë Letërsisë në Prizren. Nga viti 1965 është bërë i njohur si gazetar, kritik teatri dhe redaktor i kulturës në gazetën “Rilindja”.

Me marrjen e disa çmimeve ai iu përkushtua letërsisë dhe ndër librat e tij më të njohur janë “Mëkatet e Adamit” , “Thirravaje” , “Neurosis”, “Romani pa kornizë”, “Muzat nuk flejnë”, “Zezona”, “Alfabeti i neurozave”, “Nostalgji antike”, “Mëkatet e Evës” etj.

Autori njihet dhe për përkthime të shumta.