Albspirit

Media/News/Publishing

Bislim Ahmetaj: Një buqetë mirënjohjesh…

Ju jam thellësisht mirënjohës demokratëve dhe strukturave drejtuese të Partisë Demokratike të vendlindjes sime, Tropojës, të cilët kanë të paktën 20 vite që më propozojnë si kandidatë për deputet në kuvendin e Shqipërisë. Vendlindjes sime i jam pafundësisht mirënjohës edhe për një fakt tjetër, ajo më ka dhënë titullin më të vyer, më vlerësues, më të lartë që i jep një bashki qytetarëve të saj të spikatur. Ata më kanë nderuar me titullin e lartë “Qytetarë Nderi”. Po të ma kish dhënë këtë titull Parisi apo New Jorku sigurisht që s’do më shkonte e bija e mendjes ta refuzoja, po kurrë s’do ta çmoja më shumë se titullin që më ka dhënë qyteti ku kam lindur dhe jam rritur. Gjithë jetën time të punoj për Tropojën dhe banorët e saj fisnikë nuk e shlyej dot detyrimin ndaj saj.

Po kaq mirënjohës ju jam strukturave të Partisë Demokratike të njësisë Administrative nr 11, ku përfshihet Universiteti Bujqësor i Tiranës, aty ku unë e nisa aktivitetin tim politik në vitin 90, aty ku unë mbajta fjalimet e para politike në Dhjetor të 90-ës, aty ku unë u votova për herë të parë si kryetar i Degës së PD-së, prej ku u bëra edhe anëtar i Këshillit Kombëtar të PDSH në 1995 dhe deri sot në 2017. Në këtë njësi zgjedhore më njohin dhe i njoh me emër dhe mbiemër gati 30% të zgjedhësve. Demokratët e Laprakës më kanë propozuar si kandidatë të tyrin qysh në vitin 1996, unë përveç mirënjohjes që kam për ju, ju kam shumë borxh, sepse ju keni besuar tek unë dhe unë s’kam mundur t’ua shpërblej besimin që keni investuar tek unë.

Mirënjohja ime shkon edhe për demokratët e Njësisë Administrative nr. 1 , aty ku unë kam mbi 15 vite që jetoj. Bashkë kemi bërë shumë fushata, kemi fituar dhe kemi humbur disa beteja elektorale. E vlerësoj pafund bashkëpunimin dhe propozimin e tyre që unë të jem njëri prej kandidatëve të përzgjedhur për t’i përfaqësuar në Parlamentin e Shqipërisë.

Në Durrës kam vetëm tri vite që punoj si pedagog me kohë të plotë në Universitetin publik të këtij qyteti. Ndjej një mirënjohjë të thellë për demokratët e këtij rrethi që më kanë propozuar si kandidatin e tyre për deputet në Kuvendin e Shqipërisë.

Unë ju besoj njerëzve të thjeshtë, unë ju besoj vlerave, modestia është mënyra ime e jetesës edhe pse kam me çka të “shes mend” edhe politikisht, edhe intelektualisht, edhe si pinjoll i një familje me traditë.
E çmoj vlerësimin dhe besimin tuaj, s’do të dorëzohem kurrë së vepruari për ta merituar dhe shpërblyer atë.
Kur ecën ngadalë nuk do të thotë që je ndalur.
Koha është mjeku më i mirë.
Miqsisht Bislim AHMETAJ.

Please follow and like us: