McCain: Rusia dhe Putini, kërcënim më i madh sesa IS

Senatori amerikan John McCain thotë se ai e sheh Rusinë dhe presidentin e saj, Vladimir Putin, si “sfidën më të madhe për SHBA”, më të madhe edhe se ajo që paraqet grupi terrorist Shteti Islamik.

Gjatë një vizite në Australi, senatori McCain i tha Kompanisë Australiane të Transmetimeve se Putini është përpjekur të “shkatërrojë thelbin e demokracisë” me orvatjen për të ndikuar në zgjedhjet presidenciale amerikane.

John McCain, senator republikan i shtetit Arizona, tha se nuk ka parë ndonjë provë që Rusia t’ia ketë arritur qëllimit. Por, – tha ai, – ata ende përpiqen të ndryshojnë rezultatet e zgjedhjeve.

“Ata sapo u përpoqën të ndikojnë në rezultatin e zgjedhjeve franceze. Prandaj, unë e shoh Vladimir Putinin, i cili ka copëtuar shtetin sovran të Ukrainës dhe që po ushtron presion ndaj Baltikut, i shoh rusët si sfida më e madhe që kemi.”

Komentet vijnë ndërkohë që administrata e Presidentit Donald Trump përballet me hetime, të cilat synojnë të sqarojnë nëse ekipi i fushatës së tij ka patur lidhje me Rusinë. Këtu përfshihen njoftimet se Jared Kushner, dhëndërr i Presidentit dhe këshilltar i lartë i Shtëpisë së Bardhë, është përpjekur të krijojë një kanal të fshehtë komunikimi me zyrtarët rusë në javët para përurimit të zotit Trump.

“Pikëpamja ime është se kjo nuk më pëlqen, por thjesht e nuk di. Di që disa zyrtarë të administratës kanë thënë se kjo është ‘një procedurë standarde’. Nuk mendoj se është procedurë standarde që, përpara përurimit të një Presidenti të Shteteve të Bashkuara, të veprohet kështu nga dikush i cili nuk është emëruar në atë pozitë.”

Gazeta New York Times, citon zëdhënësen e Shtëpisë së Bardhë, Hope Hicks,sipas të cilës zoti Kushner “po vepronte si zyrtar i ekipit kalimtar” dhe se ka rënë dakord të diskutojë me ligjvënësit rreth takimeve të tij me rusët.

Presidenti Trump ka hedhur poshtë çdo pretendim se fushata e tij ka qenë e lidhur me Rusinë.

“Jared po bën një punë të shkëlqyer për vendin” tha zoti Trump për gazetën New York Times.” Ai tha se ka besim të plotë tek dhëndrri i tij. Sipas presidentit Jared Kushner respektohet pothuajse nga të gjithë dhe po punon me programe që do t’i kursejnë vendit miliarda dollarë. Por më e rëndësishme, tha presidenti Trump, është fakti se Jared Kushner është njeri shumë i mirë.

36-vjeçari Kushner, biznesmen i njohur në fushën e pasurive të patundshme në Nju Jork përpara se t’i bashkohej stafit të presidentit në Shtëpinë e Bardhë, është martuar me vajzën e madhe të zotit Trump, Ivankën, e cila gjithashtu është këshilltare në Shtëpinë e Bardhë.

Sipas disa mediave Jared Kushner u përpoq të krijonte lidhje komunikimi të fshehta me Moskën, kur u takua me ambasadorin e Kremlinit në SHBA, Sergej Kislyak, në fillim të dhjetorit të kaluar.

Shtëpia e Bardhë pret tani të dëgjojë dëshminë që do të japë në Kongres ish-shefi i FBI-së, James Comey. Presidenti Trump e shkarkoi zotin Comey pasi, sipas njoftimeve, i kishte kërkuar atij të ndërpriste hetimet rreth ish-këshilltarit të Sigurisë Kombëtare Michael Flynn dhe lidhjet e ngushta që ky i fundit kishte me Kremlinin.

Për të hetuar çështjen është emëruar një prokuror i posaçëm, ish-drejtori i FBI-së, Robert Mueller. Ndërkaq, komisionet e Kongresit u kanë bërë thirrje disa prej ndihmësve të tanishëm dhe të mëparshëm të zotit Trump që të dëshmojnë.