Albspirit

Media/News/Publishing

Shaban Murati: Presidenti rus provokon Bullgarinë dhe Ballkanin

Aq e madhe duhet të ketë qenë pakënaqësia e Moskës për uljen e tensioneve dhe fillimin e zgjidhjes së krizave politike në Maqedoni, Shqipëri dhe Kosovë, saqë presidenti rus Vladimir Putin gjykoi të ndërhyjë personalisht për të turbulluar prapë disa ujëra ballkanike. Për këtë qëllim ai priti në Kremlin në 24 maj, jashtë çdo protokolli diplomatik, Gjeorge Ivanovin, presidentin e shtetit të vogël ballkanik, Maqedonisë, i cili nuk ndodhej në Moskë për vizitë zyrtare, por thjesht për të marrë një çmim fetar nga kisha ortodokse ruse. Presidenti rus kishte ngutje ta jepte vetë shkëndijën e një provokimi diplomatik, politik dhe historik drejt Ballkanit, dhe e lëshoi këtë me deklaratën në takimin me Ivanovin se “alfabeti dhe shkrimi sllav erdhën te ne nga toka e Maqedonisë”.

Meqë dihej paraprakisht se kjo deklaratë do të shkaktonte një stuhi zemërimi në Bullgari, mund të thuhet se provokimi i tij ia arriti qëllimit për krijimin e një skandali diplomatik. Në mënyrë unanime, qeveria, politika, shkenca, shoqëria civile dhe opinioni bullgar u ngritën në protestë për të hedhur poshtë të pavërtetën e presidentit rus për ardhjen e alfabetit dhe shkrimit sllav në Rusi nga Maqedonia, deklaratë e cila u kualifikua në Bullgari si një cenim i identitetit kombëtar.

Kryeministri bullgar Bojko Borisov thirri brenda ditës në takim ambasadorin e Rusisë në Sofje dhe i shprehu qëndrimin se deklarata të tilla shkaktojnë reagime të fuqishme te qytetarët bullgarë. Zëvendëskryeministri dhe ministër i Mbrojtjes, Krasimir Karakaçanov, deklaroi në 25 maj se “politika ruse asnjëherë nuk ka qenë korrekte me Bullgarinë dhe me historinë bullgare”. Me deklarata kundër pretendimit të presidentit rus dolën ministrja e Jashtme, ministri i Kulturës dhe shumë personalitete të rëndësishme politike, kulturore e shkencore bullgare.

Presidenti rus nuk e hodhi rastësisht këtë provokim ndaj Bullgarisë në takimin me Presidentin e Maqedonisë. Ai është i ndërgjegjshëm se deklarata e tij do të sjellë erëra të reja të ftohta në marrëdhëniet midis dy fqinjëve ballkanikë, njëri shtet anëtar i NATO-s dhe tjetri kandidat për anëtar i NATO-s. Rusia e din nga eksperienca se fusha më e lehtë për të provokuar trazira në Ballkan midis shteteve dhe popujve është historia. Rusia e din se midis Bullgarisë dhe Maqedonisë ka pikëpamje dhe qëndrime të ndryshme për sa u përket historisë, personaliteteve historike, gjuhës dhe kulturës sllave. Por presidenti Putin zgjodhi të fryjë konfliktin, duke inkurajuar Maqedoninë në rrugën e shtrembër të përvetësimit të historisë dhe të kulturës së popujve fqinjë. Putin zgjodhi ta inkurajojë Maqedoninë në përplasjen me një shtet anëtar të BE-së dhe të NATO-s. Ai din se ky ekuacion konflikti mund të shtrihet edhe në raportet e Maqedonisë me BE-në dhe me NATO-n, ku Bullgaria është anëtare dhe, njësoj si Greqia, ka të drejtën e vetos për anëtarësimin e Maqedonisë.

Është e kuptueshme se udhëheqja e shtetit maqedonas, dhe sidomos grupimi politik i presidentit Ivanov dhe i ish-kryeministrit Gruevski, do të ndihen tepër të inkurajuar nga kjo përkrahje e Rusisë në raport me një shtet fqinj anëtar të NATO-s dhe të BE-së. Duke mikluar sedrën nacionaliste maqedonase dhe pretendimin antihistorik të Shkupit për alfabetin dhe shkrimin sllav, Moska nxit përplasje politike dhe diplomatike midis dy shteteve. Ish-ambasadori i Bullgarisë në Rusi, Ilian Vasilev, e akuzoi presidentin rus se “po luan me Serbinë dhe me Maqedoninë me qëllimin që të rrisë presionin mbi Bullgarinë”. Ambasadori thekson se “Kur Putini flet në këtë mënyrë për historinë, kjo do të thotë se politika e tij e sotme mbështetet në traditat imperiale të Rusisë”. Gema Grozdanova, përfaqësuese e partisë në pushtet të kryeministrit, GERB, deklaroi se “ky është provokim nga ana e presidentit Putin, që është politika e vazhdueshme e Rusisë ndaj Ballkanit Perëndimor”.

Duke e rreshtuar Rusinë në mbështetje të pretendimeve historike dhe linguistike të Shkupit, presidenti rus aplikon strategjinë e joshjes së udhëheqjes së shtetit maqedonas drejt lidhjeve më të forta e të posaçme me Moskën. Nën presionin e popullit dhe të faktorit perëndimor, Maqedonia sapo ka hyrë në rrugën e një rregullimi të krizës parlamentare e qeveritare. Dihet se Rusia gjatë gjithë krizës prej 2 vjet e gjysmë në Maqedoni, ka mbështetur grupimin politik prorus të Gruevskit dhe të Ivanovit dhe ka sulmuar me të gjitha forcat opozitën dhe orientimet e lidhjet e vendit me BE-në dhe me Perëndimin. Madje edhe dhënia e çmimit fetar nga kisha ortodokse ruse për presidentin Ivanov pikërisht në kulmin e krizës politike, ishte një mbështetje politike dhe propagandistike ruse ndaj Ivanovit për qëndrimin e tij pengues për zgjidhjen e krizës dhe për kursin e tij antiperëndimor. Sepse nuk shpjegohet ndryshe që kisha ortodokse ruse u jep çmim fetar në Ballkan vetëm Gjeorge Ivanovit dhe Tomislav Nikoliçit të Serbisë, dy prorusë të afishuar. Çmimi nuk ka lidhje me fenë, sepse në Ballkan ka dy shtete ortodokse me peshë shumë më të madhe, siç janë Bullgaria dhe Rumania, dhe asnjë presidenti të tyre nuk i është dhënë ai çmim.

Tani që ish-kryeministri prorus Nikolla Gruevski u detyrua të largohet nga pushteti, Moskës i ka mbetur si lojtar kryesor në Maqedoni presidenti Ivanov, dhe synon ta forcojë artificialisht figurën e tij nëpërmjet çmimeve fetare dhe nëpërmjet mbështetjes së re ruse për pretendimet e padrejta historike të nacionalizmit maqedonas. Presidenti rus i kërkoi hapur presidentit maqedonas të vazhdojë në rrugën obstruksioniste, që ka ndjekur gjatë gjithë krizës politike në vend dhe për të penguar integrimin euroatlantik të Maqedonisë. Jo rastësisht Putini i kërkoi atij “sigurimin e zhvillimeve të brendshme të situatës politike në Maqedoni në përputhje me Kushtetutën”. Presidentin rus nuk e ha malli për Kushtetutën maqedonase, por ai e din se gjatë gjithë periudhës së krizës parlamentare dhe qeveritare Ivanovi i ka justifikuar pengesat ligjore dhe administrative, që i nxirrte zgjidhjes së krizës, me gjoja shqetësimin për zbatimin e Kushtetutës. Me këtë justifikim Ivanovi kundërshtonte plotësimin e të drejtave të popullit shqiptar në Maqedoni, dhe sidomos të statusit të barabartë zyrtar të gjuhës shqipe me gjuhën maqedonase. Putini e inkurajoi që të vazhdojë me bllokadën “kushtetuese” ndaj kërkesave për demokratizimin e mëtejshëm të shtetit të Maqedonisë.

Presidenti Ivanov i shkoi lojës fetaro-politike ruse, kur deklaroi në takimin me Putinin se çmimi fetar, që ai mori nga kisha ortodokse ruse, “ka domethënie të madhe për gjithë vendin tim”. Është një deklaratë e papërgjegjshme e një presidenti, i cili harron detyrën kushtetuese për të qenë president i gjithë popullit në një shtet multinacional dhe multifetar. Është një deklaratë e papërgjegjshme, kur dihet se gjysma e popullsisë së Maqedonisë janë myslimanë, dhe për popullin shqiptar atje, për boshnjakët, për turqit, për maqedonasit myslimanë etj. nuk ka asnjë lloj domethënieje marrja e çmimit fetar të kishës ortodokse ruse nga presidenti. Por deklarata e Ivanovit tregon thelbin e politikës dhe të strategjisë së isteblishmentit nacionalist maqedonas për ta bërë Maqedoninë, me ndihmën e Rusisë, shtet njënacional dhe monofetar ortodoks.

Të njëjtat porosi i dha presidentit maqedonas edhe patriarku i kishës ortodokse ruse, Kirilli, i cili kur i dorëzoi çmimin fetar, i tha se kisha ortodokse ruse i ndjek nga afër proceset që zhvillohen në Maqedoni dhe admiron popullin maqedonas për përpjekjet e tij për të ruajtur besimin ortodoks dhe kulturën ortodokse. Patriarku bën sikur harron se në Shkup janë në pushtet partitë politike ortodokse maqedonase dhe se institucionet e shtetit drejtohen nga popullsia ortodokse dhe nuk ka asnjë vështirësi e rrezik për besimin e tyre. Për kishën ortodokse të Rusisë, që punon për vendosjen e influencës ruse në gjithë shtetet me shumicë ortodokse, konsiderohet rrezik lidhja dhe orientimi i Maqedonisë drejt BE-së dhe NATO-s.

Duke theksuar edhe më tej përkrahjen e Rusisë për pretendimet historike e linguistike të Maqedonisë, patriarku deklaroi se “lidhjet tona vëllazërore shkojnë thellë në antikitet”. Nuk është e qartë se për çfarë antikiteti e ka fjalën patriarku rus, në një kohë që pretendimet e Shkupit për antikitetin janë hedhur poshtë me forcë nga Greqia dhe nga shkenca. Në këtë mënyrë Moska inkurajon Maqedoninë të pretendojë edhe historinë e shkrimit dhe të alfabetit sllav, por edhe të entitetit gjeografik maqedonas të antikitetit. Ky qëndrim antihistorik rus, pa dyshim që do të forcojë intransigjencën diplomatike të Shkupit në bisedimet me Greqinë për çështjen e emrit. Mbështetja e Rusisë për antikitetin e Maqedonisë sllave don të thotë pajisja e diplomacisë maqedonase me kapital diplomatik obstruksionist. Deri tani nuk ka informacion se si i ka pritur Athina qëndrimet e reja ruse për Maqedoninë si një entitet, nga i cili ka ardhur në Rusi shkrimi sllav, dhe si një entitet, që paska pasur lidhje të forta me Rusinë qysh në antikitet.

Moska po insiston jo vetëm të rindezë krizat dhe tensionet e brendshme në Maqedoni, por edhe përplasjet e saj me shtetet fqinj, me të cilat ajo ka konflikte të pazgjidhura për identitetin, për emrin, për gjuhën, për origjinën, për historinë, për territorin etj. Rusia po aktivizon sidomos instrumentin e saj të rëndësishëm të politikës së jashtme, kishën ortodokse ruse, si një kundërvënie ndaj orientimit euroatlantik të Maqedonisë dhe me strategjinë e krijimit të një aleance të shteteve ortodokse në Ballkan.

Këto zhvillime tregojnë se është ende herët për t’u rënë fanfarave të uljes së tensioneve dhe të zgjidhjes së krizave politike në Ballkan, sepse forcat antieuropiane dhe antiatlantike, jashtë Ballkanit dhe brenda vendeve ballkanike, vazhdojnë të punojnë për tensione dhe kriza të reja, sepse kjo është rruga ku mund të çajë më lehtë influenca ruse në rajon./Gazeten Shqiptare/

Please follow and like us: