Albspirit

Media/News/Publishing

25-vjet Deutche Welle, gazetarja Mimoza Kelmendi: Kartëvizitë e Gjermanisë

Në 25-vjetorin e prestigjiozes gjermane Deutche Welle, gazetarja Mimoza Kelmendi flet për eksperiencën e saj në këtë media.

Në një artikull me titull “Deutsche Welle, Kartëvizita e Gjermanisë”, Kelmendi e cilëson Deutche Welle-n si shtëpinë e saj të dytë, pas shumë viteve të punës që është angazhuar në këtë media.

“Ishin kohë të vështira për shqiptarët në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni, ishin kohë krize, tranzicioni jo të lehtë, kohë të përgjakshme si ajo në Kosovë dhe të gjitha do të duhej të hynin e të dilnin nga ai mikrofon, i vogël teknikisht, por shumë i madh në misionin e tij.
Me mikrofon kam vrapuar bashkë me kolegë sa në Bon, Berlin, Bruksel, Vjenë, Rambuje, Paris, Londër, Prishtinë, Shkup, Romë, Den Hagë e kudo ku flitej e diskutohej për fatin e shqiptarëve. Radio Deutsche Welle u bë shtëpia ime e dytë deri në vitin 2014 ku edhe zëri shqip i Radios gjermane do të shuhej përgjithmonë për t’ja lënë rradhën formatit të ri online dhe TV.”, tregon Kelmendi.
ARTIKULLI I PLOTË

DEUTSCHE WELLE, KARTËVIZITA E GJERMANISË

Nga Mimoza Kelmendi, Këln

Me rastin e 25 vjetorit të hapjes së Programit shqip në Multimedian gjermane

Të punosh në media gjermane, veçanërisht në “Deutsche Welle”, shkurt DW, është fat dhe privilegj për këdo që ka zgjedhur si profesion gazetarinë. Por, DW për ne gazetarët jo gjermanë në Gjermani, do të ishte edhe një shans për të qenë më pranë atdheut, duke e ndjekur atë hap pas hapi në gjithë rrugëtimin e tij në këto vite të tranzicionit dhe të integrimit. Edhe unë, për mbi 20 vjet, e kam pasur këtë fat. Misioni i kësaj medie është më shumë se sa informativ. Deutsche Welle është dhe kartëvizita e Gjermanisë; e vendit që sot mbahet si zemra e Europës për nga roli dhe fuqia politike dhe ekonomike që ka.

Deutsche Welle ka nisur transmetimin e saj të parë më 3 maj 1953, në Këln. Qëllimi i themelimit të DW në fillim ishte çtensionimi i marrëdhënieve të tendosura të botës ndaj Gjermanisë pas Luftës së Dytë Botërore dhe të prezantonte para saj Republikën e re Federale Demokratike. DW vetë mori në atë kohë rolin e gati një “Avokateje të Republikës Federale”. Ajo donte të krijonte një lidhje me njerëzit gjermanofolës në gjithë botën dhe të minimizonte sa më shumë imazhin e keq ndaj këtij vendi, krijuar nga e kaluara nazifashiste. Në vitet e mëpasme DW luajti një rol të rëndësishëm në vendet e Europës Qendrore dhe Lindore. DW shërbeu për të “çarë” Perden e Hekurt”, duke ofruar shërbime me valë të shkurtra, ndërkohë që aktualisht në situatën e pluralizmit ofron një informacion plotësues për të dhënë perspektivën gjermane dhe europiane nëpërmjet analizave të shumta.

Por detyra kryesore e DW është të pasqyrojë Gjermaninë dhe vlerat e saj. DW duhet ta përcjellë tek auditori Gjermaninë si një komb të mbrujtur në kulturën evropiane dhe një shtet liberal, demokratik, kushtetues, i bazuar në sundimin e ligjit. Deutsche Welle përfaqëson zërin e lirisë dhe i të drejtave të njeriut. Por pjesë e misionit të saj është të promovojë edhe gjuhën gjermane. DW flet në 30 gjuhë: në radio, në televizion, në internet dhe në mediat sociale. DW ka qenë radiostacioni i parë publik në Gjermani me internet. Adresa e internetit dë.de është sinonim për informacione të besueshme nga Gjermania dhe përmbajtje gazetareske me cilësi të lartë. Deutsche Welle financohet nga Parlamenti gjerman, por ajo ruan pavarësinë përmes informacioneve të hulumtuara mirë, të vërteta, të paanshme që nuk përfaqësojnë interesin e askujt.

Kur flasim për Deutsche Welle sigurisht që një vend të posaçëm ka edhe seksioni i gjuhës shqipe i themeluar në 1 qershor të vitit 1992. Nga 15 minuta emision në ditë me anë të shiritave manjetikë në fillim, kohë pas kohe, programi është pasuruar me informacione e trajtime tematike në versionin audio, apo atë “on-line”, deri tek formati më i fundit televiziv një herë në javë 30 minuta, titulluar “Europa Sot”. E, pikërisht, në një institucion të tillë mediatik fati e solli të punoj edhe unë si moderatore, redaktore, perkthyese dhe autore.
Sa herë që isha në studio para mikrofonit më kaplonte një emocion jo i frikshëm por shumë i bukur. Magjinë që të krijon mikrofoni unë e kam zbuluar pikërisht nga studiot e DW në Këln. Aty arrita ta prek nga afër, pikërisht aty ku jeta ime në Gjermani do të lidhej pas këtij mikrofoni për vite me radhë, madje u bë gjysma ime. Me qindra dhe ndoshta me mijëra shirita manjetikë kanë regjistruar zërin tim në emisione “live” dhe jo “live” me informacione nga më të ndryshmet nga e gjithë bota. Lajme dhe analiza apo komente, reportazhe dhe intervista nga të gjitha fushat: politikë, ekonomi, kulturë, shkencë, sport etj., do të ishin në fokus të programit tonë radiofonik për gati dy dekada në DW. Mikrofoni për mua ishte më shumë se një mjet teknik…

Ishin kohë të vështira për shqiptarët në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni, ishin kohë krize, tranzicioni jo të lehtë, kohë të përgjakshme si ajo në Kosovë dhe të gjitha do të duhej të hynin e të dilnin nga ai mikrofon, i vogël teknikisht, por shumë i madh në misionin e tij.
Me mikrofon kam vrapuar bashkë me kolegë sa në Bon, Berlin, Bruksel, Vjenë, Rambuje, Paris, Londër, Prishtinë, Shkup, Romë, Den Hagë e kudo ku flitej e diskutohej për fatin e shqiptarëve. Radio Deutsche Ëelle u bë shtëpia ime e dytë deri në vitin 2014 ku edhe zëri shqip i Radios gjermane do të shuhej përgjithmonë për t’ja lënë rradhën formatit të ri online dhe TV. Por multimedia gjermane Deutsche Welle ka qenë dhe vazhdon të jetë një urë komunikimi mes Shqipërisë dhe Gjermanisë. Madje ajo vazhdon të ndërtojë ura komunikimi edhe mes Berlinit dhe Prishtinës, Shkupit, Beogradit dhe Podgoricës duke kontribuar në integrimin europian të këtyre vendeve që shpesh konfrontohen mes tyre për shkak të së kaluarës së brishtë dhe ku e drejta për shprehjen e lirë të mendimit nëpërkëmbet çdo ditë. Nga përvoja ime, por edhe duke ndjekur zhvillimet e viteve të fundit mund të them e sigurtë se me Deutsche Welle-n, shqiptarët në Ballkan janë shumë më afër Europës. Deutsche Welle konsiderohet po ashtu, si zëri gjerman i të drejtave të njeriut.

Historia e redaksisë shqipe në DW, sikurse edhe e redaksive motra në BBC, Zëri Amerikës apo Radio Free Europe është vlerësuar edhe nga personalitetet më të larta shtetërore shqiptare. Presidenti Alfred Moisiu e pati dekoruar DW me rastin e 15 vjetorit me “Medaljen e Mirënjohjes” me motivacionin: “Për kontributin e veçantë në konsolidimin e imazhit pozitiv të Shqipërisë, njohjen e historisë së lashtë dhe të vlerave kulturore të popullit shqiptar, kuptimin e aspiratave të larta të tij për liri, demokraci e integrim dhe forcimin e miqësisë midis Shqipërisë e Gjermanisë”. Por unë do të veçoja  në përvjetorin e 25 të ditëlindjes së Redaksisë, edhe vlerësimin e shkrimtarit tonë të madh Ismail Kadare:

“Deutsche Welle për të gjithë shqiptarët në Shqipëri, Kosovë e kudo ka shërbyer dhe shërben si një media që sjell standartet e një vendi të zhvilluar demokratik, siç është Gjermania. Deutsche Welle ka dhënë një kontribut të madh në vetëdijësimin e qytetarëve për demokraci. Ajo mbetet për shqiptarët zëri i së vërtetës dhe zëri i së ardhmes së tyre në familjen e madhe europiane”.

Please follow and like us: