Isuf Kalo: Pesë vitet e Akademisë Shqiptare të Arteve dhe Shkencave

 

Entela Resuli

Akademia Shqiptare e Arteve dhe Shkencave mbrëmjen e djeshme, në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar u mblodh për të mbajtur Forumin e dhjetë të sajin, por edhe për të  festuar 5-vjetorin e themelimit të saj.

Me pjesëmarrjen e anëtarëve dhe dashamirësve, intelektualët e Shqipërisë, të mbledhur të gjithë bashkë, ngritën një gotë për këtë organizëm të ri në vendin tonë. Janë të gjithë personazhe të nderuar dhe njerëz me kontribut në fusha të ndryshme, që në mënyrë vullnetare kanë zgjedhur të mos ndalojnë  së punuari për një vend më të mirë.

Por çfarë ka ndodhur pesë vite më parë? Për të promovuar krijimtarinë më të mirë kulturore, shkencore, artistike dhe letrare të realizuar në Shqipëri, në trojet shqiptare dhe në Diasporë, me nismën e disa intelektualëve shqiptarë u themelua Akademia Shqiptare e Arteve dhe Shkencave. E ideuar sipas modelit të Akademisë Amerikane të Arteve dhe Shkencave (American Academy of Arts and Sciences), e cila dallon nga Akademia Kombëtare e Shkencave (National Academy of Sciences) në ShBA.

Kjo akademi ka shërbyer dhe synon, gjithashtu, të shërbejë si një forum intelektual serioz, duke bashkuar preokupimet e shkencëtarëve dhe të artistëve shqiptarë për dijen teorike dhe rekomandimet praktike në të mirë të zgjidhjeve racionale të problemeve të shumta e të rëndësishme me të cilat ballafaqohet shoqëria e sotme shqiptare, për të shërbyer si një katalizator për ngritjen e vazhdueshme të standardeve akademike dhe artistike në çdo fushë të krijimtarisë intelektuale, si edhe për të popullarizuar edhe më mirë në tregun global të vlerave dhe ideve arritjet më të mira të artit, të letërsisë, të kulturës dhe të shkencës shqiptare.

President Nderi i kësaj akademie është shkrimtari i njohur Ismail Kadare.  Ndërsa presidentët e akademisë janë ndryshuar çdo vit, duke mos e mbajtur mandatin e tyre më shumë se sa një vit. Këtë vit, postin e presidentit e mban Dr. Isuf Kalo.

Në një intervistë për DITA-n, mjeku i njohur në vend ka folur më shumë për aktivitetin e akademisë gjatë këtyre viteve dhe synimet e tij dhe të të gjithë anuarve për vitet e ardhshme.  Energjik dhe i palodhur Dr. Kalo është vazhdimisht në lëvizje e udhëtime duke mos reshtur së dhëni dijet dhe eksperiencën e tij.

 -Dr. Kalo, akademia që ju drejtoni ka më shumë se pesë vite që është aktive, por si lindi ajo dhe cili është qëllimi i saj?

Kjo akademi u themelua me iniciativën e një grupi profesorësh, shkencëtarësh dhe artistësh të shquar, të cilët vendosën ta krijojnë, duke ndjekur shembullin e disa vendeve të tjera, si për shembull Shtetet e Bashkuara, me qëllim për të ofruar ekspertizën, dijet, opinionet, veprat e tyre në dobi të progresit, qoftë shkencor qoftë kulturor të vendit.

Kjo akademi e nisur me vullnet të mirë, ndryshon nga akademia zyrtare, ajo shtetërore, e paguar nga shteti, pasi është vullnetare. Kjo akademi dallohet nga të tjerat për spektrin më të gjerë, pasi, e para; nuk është vetëm e shkencave, por edhe e arteve. E dyta, kjo akademi nga vetë emri që mban, Akademia Shqiptare e Arteve dhe Shkencave, çka do të thotë që pranon në gjirin e saj edhe shqiptarë të vendeve në territore fqinj, si në Kosovë, Maqedoni apo edhe në Diasporë.  Kjo akademi pranon gjithashtu në anëtarësi, anëtarë të huaj, të cilët pasi janë njohur me qëllimin tonë, kanë rënë dakord që të jenë pjesë e saj.

Si kontribuojmë? Ne organizojmë në mënyrë periodike, të ashtuquajturat forume.  Ne zgjedhim një temë të caktuar, mbi të cilën katër, pesë anëtarë të akademisë tonë, ose të ftuar si ekspertë të fushës, thirren për të trajtuar një subjekt të tillë. Deri më sot janë zhvilluar nëntë të tilla dhe e dhjeta po zhvillohet sot (dje, 29 Maj).

-Si i përzgjidhni temat që trajtoni ?

Ne i përzgjedhim temat në bazë të ndjesisë tonë, duke kuptuar apo nuhatur se cilat janë ato tema që përbëjnë interes publik, si për shembull: kërkimi shkencor, reforma arsimore, shëndetësia, diplomacia, temat historike…

-E konkurron akademia juaj Akademinë e Shkencave apo nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën?

Qëllimi ynë nuk është të konkurrojmë, qëllimi ynë është të plotësojmë. Ne jemi një vlerë e shtuar, jemi një vlerë vullnetare.  Nuk kemi aspak qëllim t’ua kalojmë atyre apo t’i sfidojmë ata, ne i ftojmë ata të vijnë në aktivitetet tona, pavarësisht se prezenca e tyre nuk ka qenë shumë e madhe. Ajo që është e rëndësishme është se, këto forume për të cilat unë fola, jo vetëm referohen, por edhe botohen. Akademia jonë ka një organ që quhet Akademi i cili deri më tani ka përgatitur pesë nga këto forume dhe katër janë gati për botim. Ne jemi ofruar të ndihmojmë me ekspertizën tonë, por jo të imponojmë.

Akademia jonë ka sjellë edhe një risi në mënyrën se si funksionon, e cila ka të bëjë jo vetëm me një bashkëpunim të brendshëm, por edhe me një udhëheqje e cila nuk është e stilit komandues, është pak a shumë si një ekip çiklistësh të cilët kur garojnë, ndërrojnë me radhë vendin e parë.  Ai që udhëheq nuk është për të komanduar, por të sakrifikojë me shembullin e tij. Ne kemi një sistem rotacioni, deri më tani është ndërruar pesë herë presidenti. Unë e kam mandatin deri në fund të këtij viti.  Ndërsa vitin tjetër ne kemi një eveniment pasi për herë të parë do të jetë kryetare e akademisë një grua.

-Cilët janë anëtarët e akademisë tuaj?

Anëtarët e Akademisë tonë janë njerëz të shquar. President Nderi i akademisë sonë është Ismail Kadare. Anëtarë aktiv,  ndër intelektualët e shquar,  janë: Mojkom Zeqo, Pëllumb Xhufi, Fatos Tarifa, Ksenofon Kristafi, Romeo Gurakuqi, Emil Lafe, Xhevat Lloshi… e shumë të tjerë.  Nga njerëzit e artit është anëtare Inva Mula, Ermonela Jaho, Limos Dizdari, Piro Milkani, Skender Minxhozi, Kujtim Çashku. Disa nga anëtarët tanë nuk janë në Shqipëri si Mina Naqo, i cili është një fizikan i njohur që jeton në Amerikë.

-Dr. Kalo pse duket sikur keni qëndruar në hije me punën që keni bërë gjatë këtyre viteve?

Për fat të keq kjo akademi nuk është shumë e njohur, pasi nuk kemi patur kushte, deri para pak muajsh nuk kishim një rezidencë dhe kjo nuk na linte të strukturoheshim.

-Si mund të anëtarësohesh në Akademinë tuaj?

Akademia jonë nuk është e hapur që mund të hyj kushdo. Ka një filtër. Duhet të kesh patjetër gradën e Profesorit për t’u bërë pjesë e saj. Duhet të kesh një produkt akademik. Duhet të kesh eksperiencë akademike e kështu me radhë. Pra ne, nuk duam të shtojmë sasinë në dëm të cilësisë.

Kemi organizuar shumë aktivetete, njëri prej tyre ka qenë për ditëlindjen e Ismail Kadaresë, i cili ka dalë shumë mirë. Edhe pse nuk janë bërë gjashtë vitet e kësaj akademie, veprimtaria ka qenë e gjallë. Kjo akademi është mbajtur gjallë jo me kontributin e njëjtë të të gjithë anëtarëve, pasi dikush ka qenë më pasiv, dikush ka qenë sëmurë, dikush tjetër ka ikur jashtë shtetit dhe ka qenë një celulë me aktive, që i ka dhënë impuls aktiviteteve. Çdo gjë që bëjmë është vullnetare; edhe udhëtimet i paguajmë vetë, edhe hotelet ku qëndrojmë po ashtu.

-Po ç’është kjo dëshirë dhe ky aktivizim, pa asnjë lloj interesi?

Unë do të thoja që vullnetarizmi ynë është risi. Dikush mund të thotë që edhe dikur është bërë punë vullnetare, por ajo ka qenë pseudo vullnetare ose vullnetare e diktuar. Ne duam të ngjallim te brezi i ri dhe te bota moderne sot ndjenjën e vullnetarizmit social, pra indirekt duam të japim prova që njeriu nuk është vetëm individ me interesa të ngushta, duke menduar vetëm për veten dhe familjen e tij, por është një qenie sociale që e ka për të detyrë të jap ato që jap dijet dhe talentin e tij.

Anëtarët themelues të AShASh

  1. Alajdin ABAZI, fizikan (Maqedoni)
  2. Panajot BOGA, mjek
  3. Luljeta BOZO, inxhiniere
  4. Adrian CIVICI, ekonomist
  5. Limos DIZDARI, kompozitor
  6. Dhimitër DHORA, biolog
  7. Përparim FUGA, fizikan
  8. Romeo GURAKUQI, historian
  9. Gëzim HOXHA, arkeolog
  10. Ermonela JAHO, soprano
  11. Helena KADARE, shkrimtare
  12. Ismail KADARE, shkrimtar
  13. Isuf KALO, mjek
  14. Ksenofon KRISAFI, jurist
  15. Xhevat LLOSHI, gjuhëtar
  16. Piro MILKANI, regjisor
  17. Inva MULA, soprano
  18. Mina NAQO, matematikan
  19. Llukan PUKA, matematikan
  20. Skënder RIZA, historian (Kosovë)
  21. Marenglen SPIRO, fizikan
  22. Sali SHIJAKU, piktor
  23. Fatos TARIFA, sociolog
  24. Thoma THOMAI, skulptor
  25. Pëllumb XHUFI, historian
  26. Aleksandër XHUVANI, inxhinier

President Nderi

Ismail Kadare

Anëtarë nderi

  1. Jean-Philippe ASSAL, mjek (Zvicër)
  2. Amitai ETZIONI, sociolog (ShBA)
  3. Lord Anthony GIDDENS, sociolog (Angli),
  4. Pierre HASSNER, filozof (France)
  5. Peter LUCAS, gazetar/shkrimtar (ShBA)
  6. Mateo MANDALA, gjuhëtar (Itali)
  7. Obrad SAVIC, filozof (Serbi)

Kjo listë, gjatë këtyre viteve është pasuruar me shumë emra të tjerë të nderuar nga fusha e shkencave dhe arteve