Kotzias: Mirëpres ministrin e ri të Jashtëm të Maqedonisë në Athinë

Ministri i Jashtëm grek, Nikos Kotzias, në një konferencë shtypi me homologun kroat në kryeqytetin e vendit ka deklaruar se është gati të ftojë ministrin e Jashtëm të ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë në Athinë sapo qeveria e re të marrë votëbesimin, për të thelluar bashkëpunimin dypalësh dhe për të tejkaluar problemet që mbartin dy vendet.

“Kam folur shpesh herë me kryeministrin e ri, zotin Zaev dhe i kam thënë se sapo të marrë qeveria e re votëbesimin në Parlament do të ftoj homologun tim, ministrin e Jashtëm Dimitrov, të vijë në Athinë”, ka deklaruar Kotzias.

Duke iu referuar çështjes së emrit që mban peng marrëdhëniet midis dy fqinjëve për mëse dy dekada, Kotzias ka aluduar se Shkupi nuk ka gjetur një kumbar të mirë që do të zgjidhte njëherë e përgjithmonë kontradiktat me Athinën.

“Të gjithë fqinjët dhe shtetet që interesohen për ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë duhet të ndihmojnë për të siguruar një të ardhme më të mirë për kete vend dhe të ardhmen e tij. E duam stabilitetin e atij shteti dhe, siç them shpesh herë në mënyrë ngacmuese në anglisht, ai vend është një dhuratë e Zotave, por nuk kanë zgjedhur një kumbar të mirë”, ka thënë Kotzias.

E them gjithnjë – ka shtuar shefi i diplomacisë greke – se historia duhet të jetë shkollë dhe jo burg dhe se Greqia do që ta nxjerrë fqinjin e saj verior nga burgu ku ka vënë veten.

“Për të kuptuar se elementët e kulturës evropiane janë konsensusi politik dhe kompromisi dhe në këtë aspekt zgjidhja e çështjes së emrit në mënyrë demokratike do të lehtësojë ecurinë europiane të Shkupit”, ka vijuar Kotzias.