Albspirit

Media/News/Publishing

Kur Aleksandër Moisiu denonconte persekutimin e hebrenjve

Aktori i madh shqiptar, Aleksandër Moisiu, në vitet ’30 të shekullit të kaluar do të ishte i famshëm jo vetëm për karrierën e tij shkëlqyese, por dhe për qëndrimin e tij prosemitist. Një qëndrim me të vërtetë i guximshëm në atë kohë, kur në vendin që ai jetonte kishte lindur bërthama e lëvizjes naziste dhe urrejtja e madhe kundër hebrenjve si raca e zgjedhur . Mendimet e tij prosemitiste do të citoheshin në një nga gazetat më të njohura amerikane “The jacobean” organ i komunitetit çifut në Florida në vitet ’30. Edhe pse ai është një racë e pastër shqiptare, aktori i madh do të përmendë në shtypin gjerman hapur dhe qartë se “Si i krishterë, nuk mund të qëndroj mënjanë dhe të shoh virusin e antisemitizmit që infekton të krishterët, kombe e shtete, duke i privuar ata nga çdo gjasim njerëzie e drejtësie”. Një deklaratë që me të vërtetë bëri jehonë në gjithë botën amerikane ku jetonte një komunitet i fortë çifutësh, por dhe në shtypin gjerman. Dhe nuk kishte si të ndodhte ndryshe. Ai ishte përfaqësues i një populli që gjithmonë ka bashkëjetuar me tolerancë fetare…

Vjenë – Në një kohë kur antisemitizmi është në ngjitje virtualisht në çdo fushë të të jetës kulturore dhe ekonomike në Gjermani e Austri, kundërsulmi i papritur ndaj antisemitëve nga Aleksandër Moisiu, aktori ‘gjerman’ me famë ndërkombëtare, i cili së fundmi arriti sukses si dramaturg me veprën e tij “Napoleoni”, ka krijuar njëfarë sensacioni, valët e të cilit ende nuk janë shuar.

Në një periudhë kur raportet janë plot me akte dhune dhe formash më të rafinuara torture, kundër hebrenjve, Moisiu ka zgjedhur të mbyllë hesapet me antisemitizmin në një mënyrë therëse. Shtypi në vendet gjermanike në vitet e fundit, ka ndërrmarrë një fushatë të ashpër kundër Moisiut, duke menduar se ai është hebre, ose të paktën me origjinë hebre, për shkak të qëndrimit të tij miqësor ndaj hebrenjve. Përballë këtij orteku abuzimesh, Moisiu ka ruajtur heshtjen. Por më në fund durimi i tij mësa duket ka rritur kulmin. Në një intervistë të dalë njëkohësisht në disa media të botës gjermane, Moisiu i ka thënë krishtërimit disa të vërteta, me një qartërsi të pashoqe në inteligjencën e krishterë.

Për të nënvizuar mprehtësinë e pohimeve të tij, Moisiu pohoi se ai është me prejardhje krejtësisht ariane.

Si i krishterë, thekson Moisiu, ai nuk mund të qëndrojë mënjanë dhe të shohë virusin e antisemitizmit që infekton të krishterët, kombe e shtete, duke i privuar ata nga çdo gjasim njerëzie e drejtësie.

Moisiu paraqet një listë aktesh dhune kundër hebrenjve të cilat ai ia vesh të krishterëve. Mes të tjerësh, ai citoi dhe rastin e shtatë hebrenjve të vrarë nga oficeri çekosllovak, Karl Horak, për të vetmen arsye se ishin hebrenj. Drejtësia dhe opinioni publik çekosllovak, akuzon Moisiu, e konsiderojnë Horakun si hero dhe ndaj tij nuk do të merret asnjë masë. Kur vjen fjala për hebrenjtë, morali, njerëzia dhe drejtësia kristiane, nëpërkëmben. Antisemitizmi ka rezultatin e tmerrshëm të shndërrimit të të krishterëve në shtazë.

“Rruga e antisemitizmit është një kthim pas në ditët e errëta të Mesjetës”, deklaron Moisiu. Ky i Moisiut është denonicmi më i ashpër kundër antisemitizmit, që është bërë deri më sot nga një anëtar i inteligjencies kristiane, megjithëse shumë anëtarë të këtij grupi janë akuzuar egërsisht, sepse dyshohej të kishte qoftë dhe një pikë gjaku hebre.

Ka shumë mundësi që puna kërkimore intensive për shkrimin e dramës së tij t’i ketë dhënë Moisiut një kuptim më të thellë të vuajtjeve të popullit çifut për emancipim dhe të kenë fituar simpatinë e tij. Kjo mund të jetë pjesërisht arsyeja për sfidën e tij të hapur ndaj botës së krishterë. Cilatdo qofshin arsyet për qëndresën e tij trimërore e cilido qoftë fati i saj, fakti që ai guxon të akuzojë sojin e tij në një epokë të njohur për persekutimin e saj ndaj hebrenjve, do të mbahet mend gjatë e me mirënjohje nga komuniteti hebre. Ka mundësi që sfidën e tij ta bëjnë të tyren dhe të tjerë.

Please follow and like us: