Prill 1947/ Firma e Todi Lubonjës në konfiskimin e bibliotekës së Mitrush Kutelit

Urdhëri i diktatorit: Të konfiskohen librat e të gjithë armiqve të popullit dhe t’i dorëzohen Komitetit të Kulturës

Dhuna komuniste ndaj intelektualëve ka nisur padyshim me arrestimin e tyre, burgosjen e vrasjen por paralelisht regjimi ka vepruar me konfiskimin e pasurisë së tyre. Më e madhja pasuri e intelektualëve ishte padyshim biblioteka e tyre.  Një grup dokumentesh që gjendet në Arkivën e Shtetit, japin detaje të luftës së komunistëve me intelektualët, që herë i cilësonin si të tillë, si intelektualë, e më pas si armiq të popullit. Dhimitër Pasko (Mitrush Kuteli), ishtepadyshim një prej tyre dhe në listën e emrave të parë që do t’iu duhej të dorëzonin partisë pasurinë e tyre të madhe, bibliotekën.

Dokumentet që pasqyrojnë të gjitha veprimet e  komunistëve, janë firmosur nga Todi Lubonja, asokohe i ngarkuar nga Enver Hoxha për propagandën dhe kulturën.  Ja çfarë shkruhet në dokumentin e konfiskimit të bibliotekës së Mitrush Kutelit.

“Në qoftë se nuk është bërë inventarizimi i bibliotekës personale të  të arrestuarit Dhimitër Pasko (Mitrush Kuteli), të veprohet sa më parë duke patur kujdes të madh që të mos humbë ndonjë volum. Po kështu të veprohet edhe me intelektualë të tjerë të arrestuar në kohët e fundit.  Një kopje e librave të na dërgohet edhe neve në drejtorinë e  shtypit. Për çdo libër të shënohet; a) titulli, b)autori, c)në ç’gjuhë është shkrojtur. Për këtë të veprohet pa vonesë dhe të na kthehet përgjigje në drejtorinë e shtypit për mënyrën e veprimit tuaj.”

Të njëjtin fat patën bibliotekat e të gjithë intelektualëve të pushkatuar e burgosur nga regjimi gjakatar i Enver Hoxhës.

Më poshtë botohet një grup me dokumenta që japin detajet për konfiskimin e librave të intelektualëve të viteve 1947 ku përfshihet edhe biblioteka e famshme e Françeskanëve në Shkodër.

Shënim: Çdo gazetë online apo print, çdo portal që merr këtë shkrim duhet të citojë Hithra.al në fillim të shkrimit.  Në rast të kundërt mos e publiko këtë shkrim.