“Smells like woman” me rrëfime intime që thyejnë tabu

Fotografitë kanë qenë të padukshme. Janë pozicionuar në atë formë që pa i hapur të mos shihen. Kur të pranishmit kanë nisur t’i shpalosin fotografitë e varura në hollin e teatrit “Oda” në Prishtinë, organizatorët e festivalit “FemArt” kanë sqaruar se ekspozita do të hapet pas performancës “Smells like woman” (Vjen erë gruaje).

Të pranishmit janë ulur në ulëset e teatrit, përderisa përballë tyre në skenë ka dominuar një lloj dere. Prej aty, kanë nisur të dalin personazhe e rrëfime të grave. Secili rrëfim është paralajmëruar, shkruan sot “Koha Ditore”. I pari ishte monologu “The woman who loved to make vaginas happy” që është një prej monologëve të “The vagina monologues”, vepër e Eve Ensler.

Margarita Ukaj në rolin e një punëtoreje seksi ka rrëfyer për jetën e saj dhe për misionin që kishte: t’i kënaqë gratë. Ajo ka emituar shprehitë seksuale të anëtarëve të shumë nacionaliteteve. E njëjta është futur në personazhin e monologut “My angry vagina” ku përjetimet shndërrohen në protestë.

“My vagina was my village” dhe “I was here in the room”, po ashtu janë interpretuar nga Ukaj e Rita Thaçi. Pas performancave është hapur ekspozita ku janë paraqitur fotografi të shumë femrave të cilat kanë probleme estetike me lëkurën e tyre.

Pos punëtorive, paneleve të diskutimit e filmave që janë shfaqur në Prishtinë, në ditën e pestë të festivalit në Mitrovicën Veriore është hapur ekspozita personale “Unë jam vajzë nga fshati” e artistes Milana Bulatoviq dhe është mbajtur punëtoria “Trupi im, vendi im” nga Milica Gjorgjeviq…