Tavo bie në tavë, kapet në flagrancë duke dhënë miell tek romët

Deputeti aktual i LSI njëkohësisht kandidat për këtë forcë politike në Qarkun e Gjirokastrës Vangjel Tavo, kapet në flagrancë teksa po shpërndan miell në favor të komunitetit rom në lagjen Zinxhira në qytetin e Gjirokastrës. Foto që ofron Jugunews.net është shkëputur nga një takim që ka kryer Tavo në orët e mbasdites së datës 2 qershor. Në foto shihet Tavo i rrethuar nga pjestarë të komunitetit rom të cilët prisnin radhën për të firmosur për ndarjen e thasëve me miell. Ngelet mister nëse Tavo ka shpërndarë të holla gjatë këtij takimi por gjithësesi, mielli është shpërndarë për familjet rome.
Furgoni i bardhë pas krahëve të Tavos ka qenë i tejmbushur me miell ku i’u është shpërndarë sipas nevojave, familjeve të varfëra rome në lagjen Zinxhira. Ndërkohë që pas krahëve të Tavos me shigjetë të kuqe, qëndron Gramoz Llapi, drejtor i Policisë Bashkiake. Banorët rom, vështrimin e kanë pingul në drejtim të duarve të Tavos ndërkohë që ngelet mister nëse gjatë këtij momenti, Tavo ka shpërndarë të holla apo jo. Por që gjithsesi, shpërndarja e miellit si një filozofi origjinale e Tavos dhe LSI në këmbim të votës, duhet të penalizohet. Ndryshimet e fundit në Kodin Penal, ndëshkojnë deri në 7 vjet burg, blerësit e votës.