Albspirit

Media/News/Publishing

Hahn: Kosova të formojë qeveri pro-europiane

BE  pret që Kosova të dalë nga zgjedhjet e 11 qershorit me një Qeveri pro-evropiane dhe që institucionet e reja t’i përmbushin sa më shpejt kriteret e mbetura për heqjen e vizave, deklaroi Komisioneri për Negociata dhe Zgjerim, Johannes Hahn.

Këto komente, Komisioneri Hahn i bëri në Bruksel, gjatë një konference në lidhje me perspektivën evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Ai tha se BE-ja planifikon që të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor të jenë pjesë e unionit.  Hahn tha se më 12 korrik në Triestë të Italisë, do të zhvillohet një takim i radhës ku do të diskutohet çështja e tregut të përbashkët ekonomik të rajonit.

Sa i përket Kosovës, Hahn dërgoi mesazhe për përmbylljen me sukses të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 11 qershorit, dhe konstituimit sa më të shpejtë të institucioneve të reja, shkruan REL.

Sipas tij, nëse liderët politikë në Kosovë dhe akterët tjerë tregohen serioz në lidhje me perspektivën evropiane, atëherë ata duhet të sigurohen për mbajtjen e zgjedhjeve të lira, fer e demokratike.

“Shpresojmë që ata të themelojnë më shpejt Qeverinë sesa herën e kaluar”, tha Hahn.

Komisioneri i BE-së tha po ashtu se është me rëndësi që Kosova ta ketë sa më shpejtë Qeverinë e re e cila do të duhej të ishte pro-evropiane dhe e pranueshme nga faktori i brendshëm, por edhe ai ndërkombëtar.

Please follow and like us: