Hakerët rusë, arrestohet kontraktorja që publikoi informacione sekrete

Sipas dokumenteve të reja në NSA-së, hakerët rusë kanë sulmuar të paktën një nga ofruesit e programeve për zgjedhjet amerikane para votimit të presidencialeve 2016. Dokumentet, të publikuara nga sajti “Intercept”, tregojnë që aksioni i hakerëve rusë ka penetruar në sistemin elektoral më shumë nga ç’rezulton deri tani.

Një kontraktore e qeverisë amerikane është arrestuar me dyshimet se ka publikuar informacione sekrete në një portal lajmesh. 25-vjeçarja Reality Leigh Winner pretendohet se ka mbledhur, transmetuar ose humbur materiale të klasifikuara të mbrojtjes nga një godinë e Agjensisë Kombëtare të Sigurimit, në shtetin e Xhorxhias.

Akuzat ndaj saj u lajmëruan shkurtimisht, pasi portali “Intercept” publikoi një konferencë të Agjensisë Kombëtare të Sigurimit mbi ndërhyrjen e pretenduar ruse në politikën amerikane.

Ndërkaq, Departamenti i Drejtësisë tha se kontraktorja 25-vjeçare është arrestuar në 3 qershor.

Raporti i klasifikuar i NSA-së, i cituar nga “Intercept”, daton në 5 maj 2017 dhe analizon informacione të inteligjencës të marra nga agjencia federale kohët e fundit dhe i referohet përpjekjes së zgjatur një muaj me objektiv për disa dokumente të infrastrukturës elektorale të SHBA-ve. Dosja nuk përmban materiale sekrete, por gjithsesi ka informacione rreth ndërhyrjes së mundshme ruse.