Albspirit

Media/News/Publishing

Ndue Ukaj vjen me librin me poezi “Gjithmonë diçka mungon”

Sipas Belfjore Qose, poezia e Ndue Ukaj veçohet nga letërsia jonë bashkëkohore, sepse, sipas saj, i jep një përmasë shpirtëzimi publikes, të përbashkëtës dhe veçanërisht qytetit, shkruan KultPlus.

Libri me poezi “Gjithmonë diçka mungon”i autorit Ndue Ukaj është botuar nga Om Publisher dhe do të promovohet në kuadër të Panairit të Librit në Prishtinë, që do të hapet sonte, shkruan KultPlus.

“Poezia e vëllimit “Gjithmonë diçka mungon” është një sheshbeteje dhe shtrat dashurie, i arsyes dhe kaosit, errësirës dhe dritës, rregullit të rreptë të formës dhe rebelimit ndaj saj. Kërkimi i asaj çka mungon e përfaqëson më së miri këtë vëllim, individi kërkon veten, të afërmin, shoqërinë, ndjesitë, lirinë, herë herë i gjen ato në trajtat e kërkuara, herë të shfytyruara e herë ironikisht të padobishme (liria si mungesë e robërisë)”, thuhet nga Belfjore Qose mbi librin e sapo botuar.

Po sipas saj, poezia e Ndue Ukaj veçohet nga letërsia jonë bashkëkohore, sepse, sipas saj, i jep një përmasë shpirtëzimi publikes, të përbashkëtës dhe veçanërisht qytetit. “Poezia me temë intime, e shoqëruar me forma të konsumuara letrare, është bërë etaloni i përsëritjes dhe mbetjes në vendnumëro në letërsinë tonë, njëlloj si poemat kalorësiake në kohën e Servantesit. Duke menduar se poezia i drejtohet lexuesit kur ka se çfarë i thotë atij, përtej dhimbjeve, lotëve, trishtimit të paanë sentimental, e vlerësoj poezinë e këtij vëllimi për këtë imazh të qytetit, të sheshit siç jepet herë herë, pra të publikes”, thuhet mes të tjerash në recensionin e Qose./KultPlus.com

Please follow and like us: